Kërko

Papa te presidenti italian: paqja, familja dhe kujdesi për identitetin

Të mos e nënvlerësojmë atë që përjetuan dhe na transmetuan etërit tanë – tha Leoni XIV gjatë vizitës zyrtare te presidenti italian Sergio Mattarella. Papa u bëri thirrje italianëve që "të mos tundohen nga modelet masive dhe të lëngshme, të cilat promovojnë vetëm iluzionin e lirisë, për t'i bërë më pas njerëzit të varur nga format e kontrollit, siç janë tendencat aktuale, strategjitë tregtare ose të tjera".

R.SH. – Vatikan

Paqja është angazhimi i parë

Papa vuri në dukje se jetojmë në kohë kur ka shumë situata vuajtjesh të rënda që e plagosin njerëzimin në mbarë botën dhe kërkojnë përgjigje urgjente, por njëkohësisht largpamëse. "Angazhimi i parë, të cilit dëshiroj t'i referohem në këtë kontekst – tha Ati i Shenjtë – është paqja. (...) Prandaj, përsëris thirrjen e zjarrtë për të vazhduar veprimet për rivendosjen e paqes në të gjitha pjesët e botës dhe për të kultivuar dhe promovuar gjithnjë e më shumë parimet e drejtësisë, barazisë dhe bashkëpunimit midis kombeve, të cilat përbëjnë bazën e domosdoshme të paqes".

Fshirja e identitetit kulturor

Papa vuri në dukje se në kontekstin e lëvizjeve migratore që ndodhin në botën bashkëkohore, ekziston një tendencë e caktuar për të nënvlerësuar, në nivele të ndryshme, modelet dhe vlerat që për shekuj kanë formuar identitetin tonë kulturor, dhe ndonjëherë edhe për të provuar t'i fshijnë kuptimin e tyre historik dhe njerëzor.

Traditat janë të rëndësishme për të ardhmen

Duke bërë thirrje për t'iu kundërvënë kësaj tendence, Leoni XIV theksoi se "kujtesa e atyre që na paraprinë dhe kultivimi i traditave që na formuan ashtu siç jemi, janë të rëndësishme për të parë të tashmen dhe të ardhmen me vetëdije, qetësi, përgjegjësi dhe ndjenjë perspektive".

Integrimi i migrantëve me vlerat italiane

Ati i Shenjtë theksoi se kjo është veçanërisht e rëndësishme për shkak të migrantëve që vijnë gjithnjë e më shumë. Papa, nga njëra anë, shprehu mirënjohjen ndaj italianëve për ndihmën që u ofrojnë migrantëve dhe për angazhimin në luftën kundër trafikimit të qenieve njerëzore. Nga ana tjetër, Ati i Shenjtë theksoi nevojën për integrimin e të ardhurve me vlerat dhe traditat e shoqërisë italiane. "Në këtë kontekst, theksoj sa e vlefshme është për secilin të dojë dhe të transmetojë historinë dhe kulturën e vet, së bashku me shenjat dhe manifestimet e saj: sa më shumë të njohim dhe të duam atë që jemi, aq më lehtë është të takohemi me të tjerët dhe të integrohemi me ta pa frikë dhe me zemër të hapur".

Rënia e numrit të lindjeve

Duke folur për problemet me të cilat përballen sot Italia, Ati i Shenjtë Prevost vuri në dukje, ndër të tjera, rënien e ndjeshme të numrit të lindjeve. "Kjo kërkon – tha ai – angazhim për të promovuar në nivele të ndryshme zgjedhje që favorizojnë familjen, duke mbështetur përpjekjet e saj, duke promovuar vlerat e saj, duke mbrojtur nevojat dhe të drejtat e saj. 'Baba', 'nënë', 'bir', 'bijë', 'gjysh', 'gjyshe' janë në traditën italiane fjalë që në mënyrë natyrale shprehin dhe zgjojnë ndjenja dashurie, respekti dhe përkushtimi, ndonjëherë heroik, për të mirën e familjes, dhe rrjedhimisht të mbarë shoqërisë".

T'u japim familjeve ndjenjën e sigurisë

Papa theksoi gjithashtu edhe nevojën për të siguruar të gjitha familjeve mbështetjen e nevojshme në formën e një pune të denjë, me kushte të drejta dhe duke marrë parasysh nevojat që lidhen me amësinë dhe atësinë. "Të bëjmë gjithçka që është në fuqinë tonë për t'u dhënë familjeve, veçanërisht të rinjve, ndjenjën e sigurisë, në mënyrë që të mund të shohin të ardhmen me qetësi dhe të zhvillohen në harmoni" – bëri thirrje Ati i Shenjtë.

Mbrojtja e jetës në të gjitha fazat

Leoni XIV theksoi gjithashtu edhe rëndësinë themelore të mbrojtjes së jetës nga ngjizja deri në vdekjen natyrale. "Shpresoj – tha Ati i Shenjtë – që kjo ndjeshmëri të vazhdojë të rritet, gjithashtu në lidhje me mundësinë e qasjes në kujdesin shëndetësorë dhe përdorimin e ilaçeve, sipas nevojave të çdo njeriu".

Trashëgimia e Shën Françeskut

Leoni XIV kujtoi se vitin e ardhshëm shënohet 800-vjetori i vdekjes së Shën Françeskut të Asizit, shenjtit pajtor qiellor të Italisë. Ky është një shenjtë, siç theksoi Papa, i cili "na mësoi të lavdërojmë Krijuesin, duke respektuar të gjitha krijesat". "Prandaj, besoj se Italia ka marrë në një mënyrë të veçantë misionin për t'u transmetuar kombeve një kulturë që e njeh tokën si motër, me të cilën bashkëndajmë jetën, dhe si një nënë të bukur që na pret në krahët e saj" – shtoi Ati i Shenjtë Prevost.

14 tetor 2025, 12:51