Kërko

2025.10.31 Anëtarët e "International Youth Advisory Body" 2025.10.31 Anëtarët e "International Youth Advisory Body"

Papa të rinjve të IYAB: jepini zë më të dobëtve, të vëmendshëm ndaj fesë së njohur vetëm në internet

Leoni XIV priti rreth njëzet anëtarë të Trupit Këshillimor Ndërkombëtar të të Rinjve, të Dikasterit për Laikët, Familjen dhe Jetën. Gjatë takimit theksoi se pjesëmarrja e mirëfilltë kishtare ka rrënjë shpirtërore, jo ideologjike, as politike; i nxiti të flasin për bashkëmoshatarët e tyre, veçanërisht ata që nuk kanë të njëjtat mundësi arsimore. Pastaj i ftoi të jenë "mjeshtra të krijimtarisë dhe të guximit" duke i siguruar: zëri juaj merret seriozisht e kontributi juaj është i vlefshëm.

R.SH. / Vatikan

Perspektiva e të rinjve nuk zë vendin e dytë; ajo merret seriozisht nga Kisha, e cila u beson të rinjve shtytjen misionare, të bazuar pikërisht në krijimtarinë dhe guximin e brezave të rinj. Këtë pohoi Papa Leoni XIV në fjalimin e tij drejtuar anëtarëve të 'International Youth Advisory Body', (Trupit Këshillimor Ndërkombëtar të të Rinjve), të Dikasterit të Vatikanit për Laikët, Familjen dhe Jetën, pritur në Vatikan sot, 31 tetor, në kuadër të Jubileut të Arsimit. Organizatë e përkushtuar për të informuar Selinë e Shenjtë mbi shqetësimet dhe perspektivat e të rinjve si dhe mbi çështje të ndryshme që ndikojnë në misionin e Kishës.

Afërsia me Kishën lind nga afërsia me Krishtin

Në fillim të takimit, Papa Leoni XIV theksoi rëndësinë e ripërqendrimit në rrënjën e pjesëmarrjes së vërtetë kishtare, e cila është shpirtërore, "jo ideologjike apo politike". Ky sqarim i rëndësishëm përsërit një çështje kyçe: të jesh pranë zemrës së Krishtit, burimit të vërtetë të çdo veprimi, çdo përkatësie, çdo misioni. Pjekuria mbështetet në këtë zhytje, në Jezusin, për të ndjerë dhe për të parë ashtu siç bën Ai:

Ata që janë afër Jezusit, që bëhen miqtë e Tij në lutje, nëpërmjet Sakramenteve dhe në jetën e përditshme, fillojnë të ndiejnë ashtu siç ndien Ai; fillojnë të mbajnë të gjithë botën në zemrat e tyre: asgjë nuk është e huaj për ta, asnjë person nuk është indiferent ndaj tyre. Vuajtjet e të tjerëve, nevojat e tyre, aspiratat e tyre i shqetësojnë, i prekin. Prej këndej, dëshira për të marrë pjesë, për t'u ndjerë pjesë e misionit universal të Kishës, drejtuar të gjithëve.

Duke dëgjuar zërat e mbytur nga zhurma e të pushtetshmëve

Duke pasur parasysh përparësinë sinodale për të cilën Kisha është e thirrur të japë shenja konkrete, Papa i fton të rinjtë të japin kontributin e tyre pa lënë pas dore më të prekshmit e pa ndjekur trendet e atyre që bërtasin më fort:

Nëpërmjet jush, duam t'i kushtojmë vëmendje edhe zërave të më të ligshtëve, më të varfërve, më të vetmuarve, refugjatëve, atyre që përpiqen të integrohen në shoqëri dhe të kenë mundësi arsimore - zëra që shumë shpesh mbyten nga zhurma e të fuqishmëve, të suksesshëmve dhe atyre që jetojnë në situata "ekskluzive".

Rreziku i një feje të pa trup e të vetmuar

Duke treguar se nuk është i panjohur me rreziqet e mundshme të një feje të zbuluar në internet, Papa foli kundër një përvoje që mbetet vetëm individuale, " që qetëson intelektualisht dhe emocionalisht, por kurrë nuk bëhet 'materiale', sepse mbetet e pa trup". Janë pikërisht përvojat sinodale që krijojnë antihelmin, që thyejnë barrierat e unit, që ndërtojnë bashkësitë. Më saktësisht, Papa Leoni pohon:

Algoritmet e mediave sociale shumë shpesh krijojnë thjesht një tabelë tingulli për individin; domethënë, ato kapin preferencat dhe shijet personale dhe i "kthejnë mbrapsht" të përforcuara, të pasuruara me propozime tërheqëse. Por secili person mbetet vetëm me veten, rob i prirjeve dhe projekteve të veta.

Në mision me krijimtarinë dhe guximin

Pasardhësi i Pjetrit është mirënjohës për "energjinë shtesë" që të rinjtë sjellin në misionin e Kishës. Duke bekuar këtë përfaqësim të të rinjve dhe të rejave, Papa siguron: "Të jini të sigurt se zëri juaj dëgjohet dhe merret seriozisht. Kontributi juaj, prania juaj, është e çmuar". Flet kështu e edhe shton:

E gjithë kjo kërkon nga ju të rinj zemër të gatshme të dëgjojë si "frymëzimet" e Shpirtit, ashtu edhe "aspiratat" e thella të secilit, përtej pamjes së jashtme, për të kërkuar përgjigjet e vërteta që i japin kuptim jetës; një zemër e hapur ndaj thirrjes së Zotit dhe jo e fiksuar në planet e veta, e hapur ndaj mirëkuptimit dhe dhembshurisë para se të gjykojë. Perspektiva e misionit kërkon gjithashtu çlirim nga frika, sepse Zoti do të na thërrasë të përshkojmë shtigje të reja. Dhe ju të rinj mund të jeni, në këtë kuptim, mësues të krijimtarisë dhe të guximit.

31 tetor 2025, 13:30