Papa, të rinjve: mos i ndiqni ata, që përçajnë përmes fesë
R.SH. - Vatikan
Papa u shkruan të rinjve për Ditën e 40-të Botërore të Rinisë, e cila do të kremtohet në nivelin dioqezan, më 23 nëntor, me temën marrë nga Ungjilli sipas Gjonit: “Edhe ju dëshmoni për mua, sepse jeni me mua”. Kjo ditë është hap drejt edicionit ndërkombëtar të Ditës Botërore të Rinisë, të planifikuar për në Seul në vitin 2027.
Në mesazhin e tij, Leoni XIV i fton të ndjekin dëshirat e tyre për paqe dhe drejtësi. Jezusi "i njeh zemrat e të rinjve, indinjatën tuaj përballë diskriminimit dhe padrejtësisë, dëshirën tuaj për të vërtetën dhe bukurinë, për gëzimin dhe paqen; me miqësi, Ai ju dëgjon, ju motivon dhe ju udhëzon, duke e thirrur secilin prej jush në një jetë të re".
Dëshmitari i vërtetë i Krishtit është i përvuajtur dhe shpirtërisht i lirë
Për Papën Leoni XIV, "dëshmitari i vërtetë i Krishtit është i përvuajtur dhe shpirtërisht i lirë, para së gjithash nga vetvetja, domethënë nga pretendimi për të qenë në qendër të vëmendjes. Prandaj, është i lirë të dëgjojë, të interpretojë e, edhe t'u thotë të vërtetën të gjithëve, madje, edhe para të të pushtetshmëve", shkruan ai, duke kujtuar figurën e Shën Gjonit apostull, atë që Jezusi e donte veçanërisht, por edhe të Shën Gjon Pagëzuesit. Ati i Shenjtë i këshillon të rinjtë të mos i gjejnë përgjigjet thjesht duke luajtur me telefonin, por të dalin nga mbyllja në vetvete e nga rrethi i tyre i ngushtë për të shkuar drejt të tjerëve, sidomos drejt më të varfërve e më nevojtarëve, duke u bërë misionarë të Krishtit.
“Shumë nga bashkëmoshatarët tuaj janë të ekspozuar ndaj dhunës”, vazhdon Papa, “të detyruar të marrin në dorë armët, të shtrënguar të ndahen nga të afërmit, të detyruar të migrojnë dhe të ikin. Shumë prej tyre nuk kanë arsim dhe mjete të tjera thelbësore. Të gjithë ndajnë me ju kërkimin për kuptim në jetë dhe pasigurinë që e shoqëron atë; shqetësimin e shkaktuar nga presionet shoqërore në rritje, ose nga ato të punës; vështirësinë e përballimit të krizave familjare; ndjenjën e dhimbshme të mungesës së mundësive dhe keqardhjen për gabimet e bëra. Ju vetë mund t’u qëndroni pranë të rinjve të tjerë, të ecni me ta dhe t’u tregoni se Zoti, në Jezusin, është bërë i afërt me çdo njeri”.
Edhe sot, të krishterët vuajnë nga persekutimi
“Është e vërtetë: nuk është gjithmonë e lehtë të japësh dëshmi” për Krishtin, pranon Leoni XIV, "dëshmitari-dishepull e përjeton drejtpërdrejt refuzimin dhe nganjëherë, edhe kundërvënien e dhunshme". Megjithatë, të dëshmosh Krishtin do të thotë të kesh “mundësinë për të vënë në praktikë urdhërimin më të lartë: ‘Duajini armiqtë dhe lutuni për persekutuesit tuaj".
“Edhe sot, në shumë vende të botës, të krishterët dhe njerëzit vullnetmirë vuajnë nga persekutimi, mashtrimi dhe dhuna. Ndoshta, edhe ju jeni prekur nga kjo përvojë e dhimbshme dhe ndoshta, tundoheni të reagoni instiktivisht duke u vendosur në nivelin e atyre që ju kanë refuzuar, duke përdorur qëndrime agresive”, shkruan Papa, para se të bëjë thirrjen: “Mos u shkurajoni: ashtu si shenjtorët, edhe ju jeni të thirrur të ecni përpara me shpresë, veçanërisht përballë vështirësive dhe pengesave”.
