Papa: të zgjedhim nëse duam t'i shërbejmë Zotit apo parave
R.SH. – Vatikan
Të shpresosh do të thotë edhe të zgjedhësh, të marrësh vendime e "Jubileu është kohë shprese konkrete", gjatë së cilës është e mundur të "gjesh falje dhe mëshirë, në mënyrë që gjithçka të fillojë nga e para". Papa Leoni XIV ua shpjegoi këtë besimtarëve të mbledhur sot, më 4 tetor, në Sheshin e Shën Pjetrit, për audiencën jubilare. Ndërmjet tyre, edhe shumë shqiptarë, ardhur në Romë për Jubileun e Migrantëve dhe për atë të Botës Misionare, që kremtohen sot e nesër. Pasi bëri xhiron e tij të zakonshme me papamobil në mesin e besimtarëve, Ati i Shenjtë filloi katekezën, duke theksuar se "Jubileu ia hap dyert edhe shpresës për një shpërndarje të ndryshme të pasurive, mundësisë që toka t'u përkasë të gjithëve, sepse në realitet, nuk është kështu”.
“Këtë vit duhet të zgjedhim se kujt t'i shërbejmë: drejtësisë apo padrejtësisë, Zotit apo parave”.
Ata, që nuk zgjedhin, dëshpërohen
Zgjedhja çon në ndryshime, shtoi Papa, i cili më pas e zgjeroi perspektivën duke theksuar se "bota ndryshon, nëse ne ndryshojmë". Kështu, nëse shtegtimi jubilar "është një vendim" i marrë me qëllimin për të ndryshuar, në këtë Vit Jubilar, kalimi nëpër Portën Shenjte është gjest "për të hyrë në një epokë të re" të jetës për secilin.
“Të shpresosh do të thotë të zgjedhësh, sepse ata që nuk zgjedhin, dëshpërohen. Një nga pasojat më të zakonshme të trishtimit shpirtëror, pra të plogështisë, është të mos zgjedhësh asgjë. Ata, që e përjetojnë, kaplohen nga një përtaci e brendshme, që është më e keqe se vdekja. Ndërsa shpresa është zgjedhje, vendimmarrje”.
Zgjedhja e Kiarës së Asizit
Ajo, që "dinte të zgjidhte" ishte Kiara e Asizit, "një vajzë e guximshme, që shkoi kundër rrymës", kujtoi Papa, i cili foli për të pikërisht në ditën e përkujtimit liturgjik të Shën Françeskut të Asizit, i cili zgjodhi "varfërinë ungjillore", u shkëput nga familja, duke krijuar edhe shkandull. Vendimi i Kiarës, e cila "donte të ishte si Françesku" dhe "të jetonte, si grua e lirë", duke e imituar atë, "ishte edhe më mbresëlënës". Ajo grua e kuptoi "çfarë kërkon Ungjilli", vërejti Papa, megjithatë "edhe në një qytet që beson se është i krishterë, Ungjilli i marrë seriozisht mund të duket si revolucion". Por nga zgjedhja e Kiarës, pra, nga vendimi i saj, lindi shpresa, sepse shumë vajza të tjera bënë si ajo "me të njëjtin guxim, duke zgjedhur varfërinë e Jezusit, jetën e Lumnive". Edhe sot, shembulli i saj frymëzon "thirrjet në jetën rregulltare në mbarë botën".
“Jezusi thotë: nuk mund t’u shërbesh dy zotërinjve. Kisha është e re dhe tërheq të rinj. Kiara e Asizit na kujton se Ungjilli u drejtohet të rinjve. Është akoma kështu: të rinjve u pëlqejnë njerëzit, që zgjedhin dhe bartin pasojat e vendimeve të tyre. E kjo i bën të tjerët të duan të zgjedhin. Është imitim i shenjtë: nuk bëhemi “fotokopje”, por çdo njeri - kur zgjedh Ungjillin - zgjedh veten. E humbet dhe e gjen sërish vetveten”.
Një Kishë, që jeton ndryshe në qytete
Prandaj, duhet të lutemi për të rinjtë, përfundoi Leoni XIV e, edhe "për një Kishë, që nuk u shërben parave, ose vetvetes, por Mbretërisë së Zotit dhe drejtësisë së Tij" e që, "ashtu si Shën Kiara e Asizit, ka guximin të jetojë ndryshe në qytet".
Shën Françesku, model jete
Në ditën e kremtimit të Shën Françeskut të Asizit, Papa nuk harroi t’ua paraqiste shenjtin si shembull jete, sidomos të rinjve të pranishëm. Gjatë përshëndetjeve në fund të audiencës, duke iu drejtuar shtegtarëve të gjuhës polake, ardhur nga shkolla e universitete, Ati i Shenjtë i nxiti të marrin përsipër me guxim përgjegjësitë në shoqëri, sipas shembullit të Shën Françeskut e të Shën Kiarës, duke kërkuar “më shumë nga vetvetja e duke u bërë shenjë shprese për të tjerët, veçanërisht për bashkëmoshatarët”. Të rinjve të tjerë ua propozoi shën Françeskun si model jete ungjillore; të sëmurëve, si shembull i dashurisë për kryqin e Krishtit e të sapomartuarve si shembull besimi në Provaninë Hyjnore.
