Kërko

Papa Leoni XIV përshëndet pjesëmarrësit e shtegtimit jubilar ekumenik nga Estonia Papa Leoni XIV përshëndet pjesëmarrësit e shtegtimit jubilar ekumenik nga Estonia

Papa besimtarëve estonezë: lutuni për paqe, kundër logjikës së luftës në Evropë

Leoni XIV, duke takuar 250 shtegtarë jubilarë ardhur nga Estonia, nënvizoi vlerën ekumenike të nismës, e cila i bashkon katolikët, luteranët dhe të gjithë dashamirët e lumnimit të Kryeipeshkvit Eduard Profittlich, kremtuar në kryeqytetin Talin muajin e kaluar. Kujtoi edhe dëshminë e tij, si ipeshkvi i parë estonez dhe tani i Lumi i parë i kombit, si "antitezë e urrejtjes" së dukshme gjatë persekutimit të Kishës nga regjimi sovjetik.

R.SH. / Vatikan

"Sot jemi ende dëshmitarë të përjetësimit të logjikës së luftës në Evropë", prandaj Papa Leoni XIV u kërkoi afërsisht 250 besimtarëve nga Estonia në shtegtimin e Jubileut të "luten me zjarr për paqe". Gjatë takimit të sotëm në Vatikan Papa i falënderoi që erdhën në Romë në Vitin Shenjt për të "kremtuar lidhjet e ngushta të Kishës" në tokën estone "me Pasardhësin e Shën Pjetrit", me shpresën "se këto lidhje do të forcohen më tutje".

Vlera e shtegtimit ekumenik

Papa theksoi rëndësinë ekumenike të nismës, që bashkon katolikët, anëtarët e Kishës luterane të vendit baltik dhe ata që mbështetën lumnimin e Kryeipeshkvit Eduard Profittlich, kremtuar në kryeqytetin Talin muajin e kaluar.

"Dëshmia juaj ekumenike mund të rritet vetëm duke bërë një shtegtim së bashku" - i siguroi Papa - dhe sot pasqyron këtë të Jezuitit gjerman Profittlich, i cili ishte ipeshkvi i parë i Estonisë, e tani i Lumi i parë i kombit. Një dëshmitar,  shpjegoi Leoni XIV, në "antitezë" me urrejtjen "që ishte kaq tragjikisht e dukshme gjatë persekutimit të Kishës nga ana e regjimit sovjetik".

Urime meshtarëve të rinj

Në përshëndetjen e tij në anglisht, Leoni XIV përgëzoi edhe dy meshtarët e shuguruar kohët e fundit. "Bujaria juaj duke i thënë po thirrjes së Zotit për t'i shërbyer Atij dhe Kishës si shërbyes të shuguruar të Ungjillit, është vërtet shenjë shprese për bashkësinë e krishterë në tokën tuaj", tha Papa, duke shpresuar se shembulli i tyre do të "inkurajojë shumë të tjerë të bëjnë të njëjtën gjë". Në këtë drejtim,  i nxiti të pranishmit "të luten për njëri-tjetrin, veçanërisht për Ipeshkvin Philippe Jourdan, në mënyrë që uniteti si bashkësi feje, të ushqehet gjithmonë nga Zoti dhe të tërheqë besimtarë të rinj".

Vizitat e Papëve dhe lartimi në Dioqezë në Estoni, në vitin 2024

E vizituar nga Papa Françesku në vitin 2018 dhe nga Shën Gjon Pali II në vitin 1993, të dyja si pjesë e shtegtimeve më të gjera në vendet baltike të ish-Bashkimit Sovjetik, Estonia u gëzua vitin e kaluar për ngritjen e Kishës lokale në rangun e dioqezës, një shekull pas krijimit të saj si Administraturë Apostolike dhe gati 500 vjet pas zhdukjes së Selisë së lashtë të Talinit.

24 tetor 2025, 11:30