Kërko

Papa: nënshkruan në Shën Pjetër Letrën Apostolike mbi Edukimin

Leoni XIV kremton sot pasdite Meshën me studentët e Universiteteve Papnore dhe firmos letrën apostolike "Të përvijojmë harta të reja shprese" 60 vjet pas deklaratës së Koncilit të Dytë të Vatikanit "Gravissimum educationis". Në homeli Papa thekson se Kisha ka nevojë për një vështrim që refuzon "çdo logjikë të pjesshme" dhe që mposht "atrofinë shpirtërore".

R.SH. – Vatikan

Përvoja e studimit dhe e kërkimit universitar mund t'ju bëjë të aftë për një vështrim të ri, t'ju ndihmojë "të dini të thoni, të tregoni, të thelloni dhe të shpallni arsyet e shpresës që është në ne", dhe "t'ju formojë të jeni gra dhe burra kurrë të përkulur mbi veten tuaj, por gjithmonë në këmbë", të aftë të çoni kudo "gëzimin dhe ngushëllimin e Ungjillit". Kjo është ajo që Papa Leoni XIV i kërkon Zotit për studentët universitarë, në homelinë e Meshës me studentët e Universiteteve Papnore në Romë, të kryesuar sot pasdite, më 27 tetor në Bazilikën e Vatikanit .

Letra apostolike "Vizato harta të reja shprese"
Letra apostolike "Vizato harta të reja shprese"   (@Vatican Media)

Letra apostolike "Vizato harta të reja shprese"

Para fillimit të kremtimit, që hap Jubileun e botës edukative, Leoni XIV firmos, papritur, letrën apostolike «Disegnare nuove mappe di speranza» (Të përvijohen harta të reja shprese), 60 vjet pas deklaratës së Koncilit të Dytë të Vatikanit ‘Gravissimum educationis’ të Papës Palit VI, e cila do të publikohet nesër, në përvjetorin e dokumentit të Koncilit të Dytë të Vatikanit "mbi edukimin e krishterë", miratuar nga ipeshkvijtë e mbledhur në Koncil dhe shpallur nga Papa Pali VI më 28 tetor 1965.

Të shohim në Jubile një rifillim për jetën personale

Papa Leoni XIV thekson se në këto muaj, duke kremtuar Jubileun e Shpresës, Kisha përjeton "ecjen e saj", duke i kujtuar vetes se ka nevojë vazhdimisht të kthehet, të ripërtërihet. Dhe shpreson që edhe çdo student të shohë në Vitin e Shenjtë Jubilar një mundësi "përmes së cilës jeta mund të rifillojë". Ati i Shenjtë u drejtohet kështu atyre që janë pjesë e institucioneve universitare dhe angazhohen në studime, mësimdhënie dhe kërkim:

Çfarë hiri mund të prekë jetën e një studenti, të një kërkuesi, të një studiuesi? Do të doja t'i përgjigjesha kështu kësaj pyetjeje: hiri i një vështrimi të përgjithshëm, një vështrim i aftë të kapë horizontin, të shkojë përtej.

Gruaja e përkulur, që nuk shikon përtej vetes

Leoni XIV shikon më pas protagonisten e episodit të Ungjillit të sotëm nga shën Luka (Lk 13,10-17), që flet për shërimin e gruas së kërrusur nga Jezusi: ajo është e mbyllur në vetvete, komenton Papa, "prandaj e ka të pamundur të ndreqej drejtë e të shohë përtej". Një gjendje e ngjashme me injorancën, "që shpesh lidhet me mbylljen dhe mungesën e shqetësimit shpirtëror dhe intelektual".

Kur njeriu është i paaftë të shohë përtej vetes, përtej përvojës personale, ideve dhe bindjeve të tij, skemave të tij, atëherë mbetet i burgosur, mbetet skllav, i paaftë të formojë një gjykim të vetin.

Mesha në Bazilikën e Vatikanit
Mesha në Bazilikën e Vatikanit   (ANSA)

Jezusi është e vërteta e aftë të ndryshojë jetën

Përvoja e hirit të Zotit, "që shëron kërrusjet tona", për Papën, është në pranimin e gjërave themelore të jetës "nga mësuesit, nga takimet, nga përvojat e jetës". Bëhet fjalë për një shërim të vërtetë, që na lejon të shohim gjërat dhe jetën "me një horizont më të madh".

Kjo grua e shëruar fiton shpresën, sepse më në fund mund të ngrejë shikimin dhe të shohë diçka ndryshe, të shohë në një mënyrë të re. Kjo ndodh veçanërisht kur takojmë Krishtin në jetën tonë: hapemi ndaj një të vërtete të aftë të ndryshojë jetën, të na shkëpusë nga vetja, të na nxjerrë nga përkuljet.

Hiri i një vështrimi që mposht atrofinë shpirtërore

Kush studion, tha Papa Leoni, "zgjeron horizontet e veta" dhe është i aftë "të shohë lart: drejt Zotit, drejt të tjerëve, drejt misterit të jetës". Ky është hiri "i studentit, i kërkuesit, i studiuesit": një vështrim i gjerë...

Që di të shkojë larg, që nuk i thjeshton çështjet, që nuk i trembet pyetjeve, që mposht përtacinë intelektuale dhe, kështu, mposht edhe atrofinë shpirtërore.

Kisha ka nevojë për këtë vështrim unitar

Për këtë vështrim, sqaron Papa, ka nevojë spiritualiteti, i ndihmuar nga studimi i teologjisë dhe filozofisë, sepse sot, fatkeqësisht, "jemi bërë ekspertë të detajeve të imta të realitetit, por jemi të paaftë të kemi përsëri një vizion të përgjithshëm".

Përvoja e krishterë, përkundrazi, dëshiron të na mësojë të shohim jetën dhe realitetin me një vështrim unitar, të aftë të përqafojë gjithçka duke refuzuar çdo logjikë të pjesshme. Ju nxis atëherë – ua them juve studentëve dhe të gjithë atyre që angazhohen në kërkim dhe mësimdhënie – të mos harroni se për këtë vështrim unitar ka nevojë Kisha e sotme dhe e nesërme.

Puna intelektuale të mos ndahet nga jeta

Sipas shembullit të Augustinit, Tomës, Terezës së Avilës, Edith Stein dhe shumë të tjerëve, "që kanë ditur të integrojnë kërkimin në jetën e tyre dhe në rrugën shpirtërore", për Leonin XIV jemi të thirrur "të vazhdojmë punën intelektuale dhe kërkimin e së vërtetës pa i ndarë ato nga jeta".

Është e rëndësishme të kultivohet ky unitet, sepse ajo që ndodh në auditoret e universitetit dhe në ambientet edukative të çdo rendi dhe shkalle të mos mbetet një ushtrim abstrakt intelektual, por të bëhet një realitet i aftë të transformojë jetën, të na bëjë të thellojmë marrëdhënien tonë me Krishtin, të na bëjë të kuptojmë më mirë misterin e Kishës, të na bëjë dëshmitarë të guximshëm të Ungjillit në shoqëri.

Detyra edukative për të shuajtur urinë për të vërtetën dhe kuptimin

Papa nxit pastaj Universitetet të përqafojnë thirrjen për "detyrën edukative", sepse kush edukon ndihmon tjetrin, siç bëri Jezusi me gruan e kërrusur, "të jetë vetvetja dhe të zhvillojë një ndërgjegje dhe një mendim kritik autonom". Bëhet fjalë për një akt të vërtetë dashurie.

Të shuash urinë për të vërtetën dhe kuptimin është një detyrë e nevojshme, sepse pa të vërteta dhe kuptime autentike mund të hysh në zbrazëti e madje mund edhe të vdesësh.

Të zbulosh se Zoti ka një plan dashurie për ne

Dhurata më e madhe që secili mund të gjejë në këtë rrugë, përfundon Papa Leoni, është "të dish se nuk je vetëm dhe se i përket dikujt", të dish se bir i Zotit, siç u kujton Shën Pali romakëve.

Ajo që marrim ndërsa kërkojmë të vërtetën dhe angazhohemi në studime, pra, na ndihmon të zbulojmë se nuk jemi krijesa të hedhura rastësisht në botë, por i përkasim dikujt që na do dhe që ka një plan dashurie për jetën tonë.

27 tetor 2025, 18:10