Papa Xhandarëve të Vatikanit: jini shërbëtorë të Kishës dhe dëshmitarë të paqes
R.SH. / Vatikan
Një shërbim që zhvillohet kryesisht "pas kuintave" dhe ndërton "siguri, rend, respekt", për t'u kryer "së bashku, si një ekip", dhe mbron "jo vetëm vende dhe njerëz", por pasqyron misionin e Kishës. Një mision që është shpallja e Ungjillit, për t'u jetuar "me uniformën tuaj dhe para së gjithash me humanitetin tuaj". Kështu Papa Leoni XIV përshkruan detyrën e Trupave të Xhandarmërisë së Shtetit të Qytetit të Vatikanit, në homelinë e Meshës që kryesoi në Kopshtet e Vatikanit, para Shpellës së Zojës së Lurdë, për festën e shenjtorit mbrojtës qiellor, Shën Mihillit Kryeengjëll. Ati i Shenjtë thekson se puna e xhandarëve të Vatikanit nuk është vetëm një profesion, por "një shërbim për të mirën e Kishës", sepse puna e tyre e përditshme "dëshmon Ungjillin".
Shpesh – e dini nga përvoja – prania juaj diskrete dhe e sigurt mund të shprehë një stil ungjillor jo me fjalë, por edhe vetëm me një vështrim të vëmendshëm, me një gjest të kujdesshëm që mbron çdo person rreth jush.
Jo të krishterë të vakët, pa zemër
Papa thekson se është dëshmia e Jezusit ajo që i jep kuptim asaj që bëjmë, "përndryshe rrezikojmë të bëhemi të krishterë gri, të vakët, pa një zemër të zjarrtë për Ungjillin". Leoni XIV kujton me Shën Palin se Hyji na ka dhënë shpirtin e "fuqisë, të dashurisë dhe të urtisë". Dhe këto janë gjithashtu edhe virtytet e xhandarit të Vatikanit.
Ju keni forcën nga ligji, por jo për të dominuar; dashurinë ndaj të vegjëlve, por jo për të gëzuar autoritetin; urtinë në veprim, por jo nga frika e përgjegjësive që ju takojnë.
Një program i besuar veçanërisht xhandarëve të rinj
Programi që Papa Leoni XIV u beson veçanërisht xhandarëve të rinj që sapo kanë bërë betimin e tyre, është një akt "lirie dhe përkushtimi". Papa i falënderon ata për guximin dhe gatishmërinë e shprehur "në shërbimin besnik ndaj Selisë së Shenjtë". Dhe i fton të gjithë xhandarët ta bëjnë të tyren kërkesën e apostujve drejtuar Jezusit, sikur dëgjuan në pjesën e Ungjillit të Lukës ( Lk 17, 5-10) të kësaj së diele të 27/të: "Na e shto fenë!".
Bëj që besimi ynë, domethënë marrëdhënia jonë me Ty, të rritet gjithmonë, mes gëzimeve dhe provave të jetës. Ti vetë, o Zot, e ushqen atë me hirin e Shpirtit tënd të Shenjtë, në mënyrë që të sjellë në ne fryte veprash të mira.
