Kërko

Papa Leoni XIV dhe Patriarku Ekumenik i Kostandinopojës Bartolomeu gjatë nënshkrimit të Deklaratës së Përbashkët. Papa Leoni XIV dhe Patriarku Ekumenik i Kostandinopojës Bartolomeu gjatë nënshkrimit të Deklaratës së Përbashkët.

Leoni XIV dhe Patriarku Bartolomeu refuzojnë dhunën e luftën në emër të Zotit

Papa i Romës dhe Patriarku Ekumenik i Konstantinopojës nënshkruajnë në Fanar, në Stamboll, një Deklaratë të Përbashkët, ku riafirmojnë angazhimin për unitetin e krishterëve dhe për një datë të përbashkët për Pashkët, si dhe thirrjen për të ndaluar «menjëherë» tragjedinë e luftës. Nga situata aktuale botërore, ata lëshojnë një mesazh shpresë se: «Zoti nuk do të braktisë njerëzimin»

R.SH. – Vatikan

Papa dhe Patriarku, Leoni XIV dhe Bartolomeu I, pasardhësi i Shën Pjetrit dhe pasardhësi i Shën Andreut, bashkë dje në bregdetin e Iznikut për kremtimin e 1700 vjetorit të Koncilit të parë kishtar mbajtur nënë vitin 325 në Nike; bashkë, përsëri sot paradite, në takimin me liderët e Kishave dhe komuniteteve tjera të krishtera në Kishën siriane të Mor Ephrem; bashkë, përsëri, sot në mbrëmje në Kishën patriarkale të Shën Gjergjit për Doxologjinë, e cila u shpreh me këngë dhe litani në gjuhë të ndryshme dhe u karakterizua nga aroma e kemit. Bashkë, së fundi, në Fanar, në selinë e Patriarkatit Ekumenik të Konstantinopojës, ku – në fund të ditës së tretë të vizitës së Papës në Turqi, në Stamboll – u mbajt një nga momentet më të rëndësishme të tërë udhëtimit apostolike, nënshkrimi i një Deklarate të Përbashkët.

Në vijim teksti i deklaratës.

DEKLARATË E PËRBASHKËT

“Lavdëroni Zotin, sepse është i mirë,

sepse e amshuar është dashuria e tij!

PSALMI 106 (105), 1

Në prag të Festës së Shën Andreut, të parëthirrurit ndër Apostujt, vëllait të Apostullit Pjetër dhe Pajtor i Patriarkanës Ekumenike, ne, Papa Leoni XIV dhe Patriarku Ekumenik Bartolomeu, e falënderojmë nga zemra Zotin, Atin tonë të mëshirshëm, për dhuratën e këtij takimi vëllazëror. Duke ndjekur shembullin e Paraardhësve tanë të Nderuar dhe duke i kushtuar vëmendje vullnetit të Zotit tonë Jezu Krisht, vazhdojmë të ecim me vendosmëri të patundur në rrugën e dialogut, në dashuri dhe në të vërtetë (krh. Efezianët 4,15), drejt rivendosjes së dëshiruar të bashkimit të plotë ndërmjet Kishave tona motra. Të vetëdijshëm se uniteti i krishterë nuk është thjesht rezultat i përpjekjeve njerëzore, por dhuratë nga Lart, i ftojmë të gjithë anëtarët e Kishave tona - klerin, murgjërit, të kushtuarit, besimtarët laikë - të kërkojnë me zjarr përmbushjen e lutjes që Jezu Krishti i drejtoi Atit: "që të gjithë të jenë një gjë e vetme; si ti, o Atë, je në mua dhe unë në ty, edhe ata të jenë në ne, që bota të besojë" (Gjn 17:21).

Përkujtimi i 1700-vjetorit të Koncilit të Parë Ekumenik të Nikesë, i kremtuar në prag të takimit tonë, ishte çast i jashtëzakonshëm hiri. E Koncili i Nikesë, i mbajtur në vitin 325 pas Krishtit, ishte ngjarje providenciale e unitetit. Qëllimi i përkujtimit të kësaj ngjarjeje, megjithatë, nuk është thjesht të kujtojmë rëndësinë historike të Koncilit, por të na inkurajojë të jemi vazhdimisht të hapur ndaj të njëjtit Shpirt Shenjt që foli përmes Nikesë, ndërsa përballojmë sfidat e shumta të kohës sonë. Jemi thellësisht mirënjohës ndaj të gjithë prijësve dhe delegatëve të Kishave e bashkësive të tjera kishtare që dëshiruan të merrnin pjesë në këtë ngjarje. Përveçse i njohim pengesat që krijohen për  rivendosjen e bashkimit të plotë ndërmjet  gjithë të krishterëve - pengesat që kërkojmë t'i adresojmë përmes dialogut teologjik - duhet të pranojmë gjithashtu se çka na bashkon, është feja e shprehur në Besojmën e Nikesë. Kjo është feja që shëlbon në vetjen e Birit të Zotit, Zot i vërtetë prej Zotit të vërtetë, homoousios me Atin, që për ne dhe për shpëtimin tonë u mishërua dhe banoi ndërmjet nesh, u kryqëzua, vdiq e u varros, u ringjall të tretën ditë, u ngjit në qiell dhe do të vijë përsëri për të gjykuar të gjallët dhe të vdekurit. Nëpërmjet ardhjes së Birit të Zotit, ne hymë në misterin e Trinisë Shenjte - Ati, Biri e Shpirti Shenjt - dhe jemi ftuar të bëhemi, në vetjen e Krishtit e nëpërmjet Tij, bij të Atit dhe bashkëtrashëgimtarë me Krishtin përmes hirit të Shpirtit Shenjt. Të pajisur me këtë rrëfim të përbashkët, ne mund të përballemi me sfidat që ndajmë në dëshmimin e besimit të shprehur në Nike me respekt të ndërsjellë dhe mund të punojmë së bashku drejt zgjidhjeve konkrete, me shpresë të sinqertë.

Jemi të bindur se përkujtimi i këtij përvjetori të rëndësishëm mund frymëzojë hapa të rinj dhe të guximshëm në rrugën drejt unitetit. Ndërmjet vendimeve të tij, Koncili i Parë i Nikesë vendosi edhe kriteret për përcaktimin e datës së Pashkëve, të përbashkëta për të gjithë të krishterët. Jemi mirënjohës ndaj Provanisë Hyjnore që këtë vit e gjithë bota e krishterë i kremtoi Pashkët në të njëjtën ditë. Është dëshira jonë e përbashkët të vazhdojmë procesin e eksplorimit të një zgjidhjeje të mundshme për të kremtuar Festën e Festave së bashku çdo vit. Shpresojmë dhe lutemi që të gjithë të krishterët, "në çdo dije e mençuri shpirtërore" (Kolosianëve 1:9), të angazhohen në procesin që synon arritjen e kremtimit të përbashkët të Ngjalljes së lumnueshme të Zotit tonë Jezu Krisht.

Sivjet përkujtojmë edhe 60-vjetorin e Deklaratës historike të Përbashkët të Paraardhësve tanë të Nderuar, Papa Pali VI dhe Patriarku Ekumenik Athenagoras I, e cila hoqi shkëmbimin e shkishërimit të vitit 1054. Falënderojmë Zotin sepse ky gjest profetik i nxiti Kishat tona të ndjekin "në frymë besimi, respekti dhe bamirësie të ndërsjellë, dialogun që do t'i çojë ato, me ndihmën e Zotit, të jetojnë përsëri, për të mirën më të madhe të shpirtrave dhe ardhjen e Mbretërisë së Zotit, në bashkësinë e plotë të fesë, harmonisë vëllazërore dhe jetës sakramendore që ekzistonte ndërmjet tyre gjatë mijëvjeçarit të parë të jetës së Kishës" (Deklaratë e Përbashkët e Papa Palit VI dhe Patriarkut Ekumenik Athenagoras I, për të hequr nga kujtesa dhe nga mesi i Kishës dënimet e shkishërimit të vitit 1054, 7 dhjetor 1965). Në të njëjtën kohë, i nxisim ata që ende ngurrojnë për çdo formë dialogu ta dëgjojnë atë që Shpirti u thotë Kishave (krh. Zb. 2,29), duke na nxitur, në rrethanat aktuale të historisë, t'i paraqesim botës një dëshmi të ripërtërirë paqeje, pajtimi dhe uniteti. 

Të bindur për rëndësinë e dialogut, vijojmë mbështetjen tonë të vazhdueshme të punës së Komisionit të Përbashkët Ndërkombëtar për Dialogun Teologjik ndërmjet Kishës Katolike dhe Kishës Ortodokse, i cili aktualisht po shqyrton çështje që historikisht konsiderohen burime përçarjesh. Përveç rolit të pazëvendësueshëm që luan dialogu teologjik në procesin e afrimit ndërmjet Kishave tona, ne gjithashtu përgëzojmë elementët e tjerë të nevojshëm të këtij procesi, duke përfshirë kontaktet vëllazërore, lutjen dhe punën e përbashkët në të gjitha ato fusha ku bashkëpunimi është tashmë i mundur. I nxisim fuqimisht të gjithë besimtarët e Kishave tona, veçanërisht klerin dhe teologët, të mirëpresin me gëzim frytet e arritura deri tani dhe të angazhohen për rritjen e tyre të vazhdueshme.

Qëllimi i unitetit të të krishterëve përfshin qëllimin e kontributit në  mënyrë themelore dhe jetëdhënëse për paqen ndërmjet të gjithë popujve. Së bashku, ne lartojmë me zjarr zërat tanë duke thirrur dhuratën hyjnore të paqes mbi botën tonë. Tragjikisht, në shumë nga rajonet e saj, konflikti dhe dhuna vazhdojnë të shkatërrojnë jetën e kaq shumë njerëzve. Ne u drejtojmë thirrjen që, me përgjegjësi civile dhe politike, të bëjnë gjithçka është e mundur për të siguruar që tragjedia e luftës të përfundojë menjëherë, dhe u kërkojmë të gjithë njerëzve vullnetmirë ta mbështesin thirrjen tonë.

Në veçanti, hedhim poshtë çdo përdorim të fesë dhe Emrit të Zotit për të justifikuar dhunën. Ne besojmë se dialogu i vërtetë ndërfetar, larg qenies shkak i sinkretizmit dhe konfuzionit, është themelor për bashkëjetesën e popujve me tradita dhe kultura të ndryshme. Duke qenë të vetëdijshëm për 60-vjetorin e Deklaratës Nostra Aetate, i nxisim të gjithë burrat dhe gratë me vullnet të mirë të punojnë së bashku për të ndërtuar një botë më të drejtë e më mbështetëse dhe të kujdesen për krijimin që na e besoi Zoti. Vetëm në këtë mënyrë familja njerëzore mund ta kapërcejë indiferencën, dëshirën për sundim, lakminë për fitim dhe ksenofobinë.

Edhe pse jemi thellësisht të alarmuar nga situata aktuale ndërkombëtare, ne nuk e humbasim shpresën. Zoti nuk do ta braktisë njerëzimin. Ati dërgoi Birin e tij të vetëm për të na shpëtuar, e Biri i Hyjit, Zoti ynë Jezu Krisht, na dha Shpirtin Shenjt për të na bërë pjesëmarrës në jetën e tij hyjnore, duke ruajtur dhe duke mbrojtur shenjtërinë e personit njerëzor. Nëpërmjet Shpirtit Shenjt, ne e dimë dhe e jetojmë se Zoti është me ne. Për këtë arsye, në lutjen tonë, ia besojmë Zotit çdo qenie njerëzore, veçanërisht atyre që janë nevojtarë, atyre që vuajnë nga uria, vetmia ose sëmundja. I lutemi çdo anëtari të familjes njerëzore për çdo hir dhe bekim, në mënyrë që "zemrat e tyre të ngushëllohen. E kështu, duke qenë të bashkuar në dashuri, ata u pasuruan me kuptim të plotë inteligjence për të njohur misterin e Zotit" (Kol 2,2), i cili është Zoti ynë Jezu Krishti.

Nga Fanari, 29 nëntor 2025

29 nëntor 2025, 12:59