Kërko

Koloseu i ndriçuar për iniciativën fondacionit 'Ndihmë për Kishën që vuan' ACS (ANSA) Koloseu i ndriçuar për iniciativën fondacionit 'Ndihmë për Kishën që vuan' ACS (ANSA)

Filloi Red Week e fondacionit 'Ndihmë për Kishën' : thirrja e botës për liri fetare

Nga data 15 e deri më 23 nëntor, fushata ndërkombëtare e nxitur nga fondacioni papnor 'Ndihmë për Kishën' që Vuan do të sensibilizojë ndërgjegjësimin publik për gjendjen e vështirë të të krishterëve të persekutuar dhe do të kërkojë të drejtën për liri fetare. Kishat, pallatet dhe vendet simbolike do të ndriçohen me ngjyrë të kuqe. Të paktën gjysmë milioni njerëz do të mobilizohen për çaste lutjeje, ngjarje publike, tubime shkollore, koncerte dhe marshime, duke përfshirë edhe mediat shoqërore.

R.SH. / Vatikan

E kuqja e dritave të kujton flijimin e atyre që e dëshmojnë fenë deri në pikën e fundit të derdhjes së gjakut. Ky është mesazhi i Javës së Kuqe 2025 të fondacionit 'Ndihmë Kishës që Vuan' (ACS), fushatë ndërkombëtare, e cila do të vijojë që nga data 15 e deri më 23 nëntor, nga fondacioni papnor, për të thelluar ndërgjegjësimin publik lidhur me gjendjen e vështirë të të krishterëve të persekutuar dhe për të drejtën e lirisë fetare.

Nga Roma - në Bogota, nga Sidnei - në Paris - kishat, pallatet dhe vendet simbolike të mbarë botës po ndriçohen me të kuqe: edicioni i këtij viti përfshin mbi 100 ngjarje në Itali, Australi, Austri, Gjermani, Portugali, Holandë, Mbretëri e Bashkuar, Francë, Irlandë, Zvicër, Hungari, Kanada, Meksikë dhe Kolumbi, duke përfshirë më shumë se 10,000 njerëz në lutje, ngjarje publike, tubime shkollore, koncerte dhe marshime. Të paktën 500,000 njerëz marrin pjesë përmes mediave dhe platformave online. E ndriçohen mbi 635 kisha.

Mobilizim global

Për herë të parë, Parlamenti Evropian autorizoi ndriçimin me të kuqe të selisë së tij në Bruksel, më 19 nëntor. "Ishte gjest zyrtar në emër të 27 Shteteve Anëtare", sipas një deklarate nga ACS.

Të mërkurën e ardhshme Pallati Chigi në Romë, Palazzo della Loggia në Brescia dhe kati i sipërm i rrokaqiellit Pirelli në Milano, do të ndriçohen me të kuqe. E do të marrin pjesë në këtë nismë edhe Ambasadat italiane e spanjolle pranë Selisë e Shenjtë si dhe Bashkësia e  Shën Egjidit.

Të krishterët e persekutuar

Sipas raportit të fundit të fondacionit 'Ndihmë Kishës që Vuan', 413 milionë të krishterë jetojnë në vende ku liria fetare shkelet rëndë. E nga këto, afërsisht 220 milionë janë drejtpërdrejt përballë persekutimit. Përveçse vuajtjes së sulmeve, dhunës së tmerrshme, madje deri në vdekje, dhe arrestimeve në 33 vende, detyrohen të largohen edhe nga shtëpitë e tyre. Kjo i ndodhi Haroon Shehzad, një të krishteri pakistanez nga Sargodha (Punjab), i cili u akuzua dhe u gjykua në vitin 2023 për blasfemi dhe për shpërndarjen në mediat sociale të një fragmenti nga Letra I e Shën Palit drejtuar Korintasve.

Pa koment!

Më 8 nëntorin e kaluar agjencia e lajmeve Fides njoftoi se u lirua nga Gjykata e Rrethit e Sargodhas.

16 nëntor 2025, 15:46