Ambulatori Shën Martinit hapet në Shën Pjetër: përurimi në prani të Papës
R.SH. / Vatikan
Ambulatori i Shën Martinit hapet sot, më 14 nëntor, nën Kolonadën e Shën Pjetrit, në Vatikan, dhjetë vjet pas hapjes së Klinikës “Nëna e Mëshirës” dhe në pritje të Ditës Botërore të të Varfrit, e cila kremtohet të dielën, më 16 nëntor. E inauguron vetë Papa.
Sipas një deklarate nga Dikasteri i Vatikanit për Shërbim ndaj Bamirësisë, përfshin dy dhoma të reja me pajisje të teknologjisë së fundit dhe një shërbim të ri radiologjie. Falë një makine me rreze X të teknologjisë së fundit, do të lejojë diagnostikimin e shpejtë dhe të saktë të pneumonisë, frakturave të kockave, tumoreve, sëmundjeve degjenerative, gurëve në veshka dhe bllokimeve të zorrëve - gjendje që shpesh anashkalohen tek ata që jetojnë në varfëri. Diagnostikimi i hershëm i këtyre gjendjeve do të lejojë fillimin në kohë të trajtimit të duhur, duke ndihmuar në përmirësimin e cilësisë së jetës së atyre, që nuk kanë asgjë.
Tek të varfrit, fytyra e Krishtit
Ky objekt, i krijuar në bashkëpunim me Drejtorinë e Shëndetit dhe të Higjienës së Guvernatoratit të Qytetit të Vatikanit, tregon kujdes për të gjithë ata, që kërkojnë ndihmë. Vend ku ne mirëpresim dhe kujdesemi, duke u rikthyer kështu dinjitetin të varfërve që trokasin në derën e Zyrës së Bamirësive Papnore, nevojtarëve "tek të cilët nuk shohim një njeri të pastrehë, njeri të varfër, por fytyrën e Krishtit", theksoi Kardinali Konrad Krajewski, Lëmoshtar i Shenjtërisë së Tij.
Shërbimi shëndetësor falas
Ambulatori i Shën Martinit plotëson kështu Klinikën e Nënës së Mëshirës, e cila ofron kujdes shëndetësor falas çdo ditë për ata që jetojnë në varfëri, në braktisje a vështirësi, duke u mbështetur drejtpërdrejt në parimet e Ungjillit dhe Doktrinës Sociale të Kishës.
Në Zyrën e Bamirësive Papnore, mbi 2,000 shërbime shëndetësore ofrohen plotësisht falas çdo muaj në sajë të punës së 120 mjekëve, infermierëve dhe teknikëve të kujdesit shëndetësor vullnetarë. Janë ndihmuar përafërsisht 10,000 të varfër nga 139 kombësi të ndryshme. Deri më sot, 102,060 shërbime shëndetësore janë ofruar plotësisht falas, për ata që kanë më shumë nevojë; janë shpërndarë edhe 141,200 pako me ilaçe.
Falë dy klinikave, të varfrit do të vazhdojnë të kenë kontrolle të përgjithshme dhe të specializuara mjekësore, vizita te dentisti, analiza gjaku dhe teste radiologjike. Do të dhurohen edhe proteza dhëmbësh, syze dhe aparate dëgjimi. Së fundmi, ilaçet e përshkruara, të dhuruara plotësisht falas, do t'u dorëzohen direkt atyre që kanë nevojë.
