Komisioni Papnor për Shtetin e Qytetit të Vatikanit ndryshon rregullin mbi presidentin
R.SH. / Vatikan
Jo vetëm kardinajtë, por edhe "anëtarët e tjerë" mund ta kryejnë detyrën e Kryetarit të Komisionit Papnor për Shtetin e Qytetit të Vatikanit, duke përfshirë laikët dhe laiket. E përcakton një Motu Proprio e lëshuar nga Papa Leoni XIV sot, 21 nëntor, duke shfuqizuar Nenin 8 të Ligjit Themelor, botuar në qershor 2023, në dritën e "nevojave të qeverisjes që po duken gjithnjë e më të ndërlikuara e më të ngutshme". Që nga 1 marsi 2025, me urdhër të Papës Françesku, një motër rregulltare, Motra Raffaella Petrini, u emërua kryetare e Komisionit Papnor për Shtetin e Qytetit të Vatikanit dhe Guvernatoratin. Është gruaja e parë e cila ka rol të dyfishtë, që përfshin funksione si legjislative - ashtu edhe administrative në Shtetin e Qytetit të Vatikanit.
Artikulli i ri
Buletini i Zyrës së Shtypit të Selisë së Shenjtë i 25 shkurtit 2025, lidhur me emërimin e Sekretarëve të Përgjithshëm të Guvernatoratit, sqaroi se Papa Françesku e kishte ndryshuar Ligjin Themelor të Shtetit të Qytetit të Vatikanit. Sot, publikimi i Motu Proprio të Leonit XIV e konsolidon ndryshimin e dëshiruar nga paraardhësi i tij.
Më hollësisht, Neni 8 i Ligjit Themeltar përcaktonte: "Komisioni Papnor përbëhet nga Kardinaj, ndërmjet të cilëve Presidenti dhe anëtarë të tjerë, të emëruar nga Papa për një mandat pesëvjeçar". Në Motu Proprio-n e sotme, neni në fjalë shfuqizohet dhe zëvendësohet me sa vijon: "Komisioni Papnor për Shtetin e Qytetit të Vatikanit përbëhet nga Kardinaj dhe anëtarë të tjerë, përfshirë Presidentin, emëruar nga Papa, për një mandat pesëvjeçar".
Ky ndryshim krijon mundësinë që edhe "anëtarë të tjerë" që nuk janë kardinaj, siç janë laikët dhe laiket, të mund ta drejtojnë Komisionin.
Vendimi i Papës
Papa Leoni e përligji vendimin duke e shpjeguar, në letrën e tij apostolike:
"Guvernatori është i thirrur të kontribuojë, me strukturën e vet, në misionin e duhur të Shtetit të Qytetit të Vatikanit, duke e kryer këtë detyrë në shërbim të Pasardhësit të Pjetrit, të cilit i përgjigjet drejtpërdrejt". Në përmbushjen e kësaj "detyre të vështirë", Guvernatori ushtron "një formë bashkëpërgjegjësie in communio - në bashkësi e cila - thekson Papa - është një nga parimet për shërbimin e Kuries Romake, siç dëshirohej nga Papa Françesku dhe përcaktohet në Kushtetutën Apostolike Praedicate Evangelium të 19 marsit 2022, e vlefshme edhe për Shtetin e Qytetit të Vatikanit". Kjo "formë përgjegjësie e përbashkët" e bën "të përshtatshme konsolidimin e disa zgjidhjeve të zhvilluara deri tani në përgjigje të nevojave të qeverisjes, që po paraqiten gjithnjë e më të ndërlikuara e më urgjente".
Motu Proprio, e nënshkruar më 19 nëntor, por e publikuar sot, hyn në fuqi po sot.
