"Leo nga Çikago", dokumentari mbi rrënjët amerikane të Leoni XIV publikohet më 10 nëntor
R.SH. / Vatikan
Për të kujtuar gjashtëmujorin e zgjedhjes së Papës Leoni XIV, Vatican Radio – Vatican News po publikon "Leo nga Çikago", dokumentar që gjurmon historinë, rrënjët familjare, studimet dhe thirrjen augustiniane të Robert Francis Prevost në tokën e tij të lindjes: Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Udhëtimi fillon me fëmijërinë e Robertit në Dolton, përmes kujtimeve të vëllezërve të tij Louis dhe John, e vazhdon me shkollat dhe universitetet, komunitetet dhe famullitë, me zërat e bashkëpunëtorëve, mësuesve, shokëve të klasës dhe miqve të tij të hershëm.
Leo nga Çikago vjen pas dokumentarit "León de Perú", paraqitur qershorin e kaluar, që kujton vitet e misionit të Papës së ardhshëm në vendin e Amerikës së Jugut. Është prodhim i Drejtorisë Editoriale të Dikasterit për Komunikim, në bashkëpunim me Kryedioqezën e Çikagos dhe Apostolado El Sembrador Nueva Evangelización (ESNE). U prodhua nga gazetarët Deborah Castellano-Lubov, Salvatore Cernuzio dhe Felipe Herrera-Espaliat, me redaktim nga Jaime Vizcaíno Haro.
Në orën 18:00 (ora e Romës) të hënën, më 10 nëntor, dokumentari do të publikohet në kanalin YouTube Vatican News në tri gjuhë (anglisht, italisht dhe spanjisht) dhe do të shpërndahet përmes mediave të tjera ndërkombëtare.
"Leo nga Çikago" do të shfaqet në ditët në vijim në disa qytete italiane gjatë takimeve publike të promovuara nga Dikasteri për Komunikim kushtuar figurës së Papës Leo, veçanërisht në Vicenza dhe Kremona (21 nëntor), Trento (25 nëntor), Verona (1 dhjetor), Gjenova (5 dhjetor) dhe Cagliari (15 dhjetor).
