Kërko

Leoni XIV: Promovoni arsimin katolik cilësor në Afrikë Leoni XIV: Promovoni arsimin katolik cilësor në Afrikë

Leoni XIV: bashkëpunimi misionar në Afrikë për të shpallur Ungjillin

Papa, duke pritur Fondacionin Ndërkombëtar ‘Fetë dhe Shoqëria’, i angazhuar në edukim dhe ungjillëzim, kujton nevojën për të punuar gjithmonë në sinergji për të qenë "dishepuj misionarë dhe barinj" sipas vullnetit të Zotit.

R.SH. /Vatikan

Fjalë inkurajimi për të vazhduar punën e ndërmarrë prej kohësh në kontekstin afrikan, Papa Leoni XIV u drejton anëtarëve të Fondacionit Ndërkombëtar Fetë dhe Shoqëria, të pritur sot, më 7 nëntor, në Vatikan, pak ditë pas kremtimit të Jubileut të Botës Edukative.

Një realitet ipërkushtuar, thekson Leoni XIV në përshëndetjen e tij, në frëngjisht, "për të promovuar një edukim katolik cilësor në Afrikë dhe për të nxitur një bashkëpunim misionar më të mirë midis Jugut dhe Veriut", i hapur edhe ndaj sfidave të reja si Kongresi i dytë që do të mbahet në Nairobi, Kenia, pas dy javësh, me temën: "Edukimi katolik dhe promovimi i shenjave të shpresës në kontekstin afrikan".

Thirrjet e heshtura

Papa Leoni vlerëson përpjekjet "për të ofruar një edukim cilësor, të mbushur me identitetin afrikan, siç rekomandon Pakti Edukativ Afrikan", i cili është pjesë e Paktit Edukativ Global, i përuruar nga Papa Françesku në vitin 2019 për të përtërirë angazhimin ndaj një edukimi më të hapur dhe gjithëpërfshirës. Më pas Papa kujton takimin me edukatorët mbajtur më 31 tetor të kaluar.

Sot, në kontekstet tona edukative, është shqetësuese të shohim zhvillimin e simptomave të një brishtësie të brendshme të përgjithësuar, në të gjitha moshat. Nuk mund t'i mbyllim sytë para këtyre thirrjeve të heshtura për ndihmë.

Solidariteti baritor

Jo vetëm edukim, por edhe mision e në veçanti, thekson Papa, në rastin e Fondacionit Ndërkombëtar Fetë dhe Shoqëria, bëhet fjalë për një "bashkëpunim misionar midis Veriut dhe Jugut". Është thelbësore të ecësh së bashku për të shpallur Ungjillin dhe po aq e rëndësishme për të nxitur integrimin në Kishat dioqezane.

Misioni kërkon të punosh në sinergji, të shmangësh izolimin dhe të pranosh të ndërtosh një solidaritet të fortë baritor, që nuk kufizohet vetëm në mjetet ekonomike, por përfshin edhe shkëmbimin e operatorëve baritorë midis Kishave.

Bukuria e ungjillëzimit

Për bashkëpunimin misionar, kujton Papa Leoni XIV, u fol majin e kaluar në takimin e mbajtur në Abacinë e Maredsous, në Belgjikë, rast që çoi në krijimin e një Qendre Ndërkombëtare të Misiologjisë dhe Veprimtarisë Baritore Veri-Jug. Urimi i Leoni XIV është që të rigjehet vrulli misionar, duke propozuar me guxim dhe dashuri Ungjillin e Jezusit.

Faleminderit, vëllezër të dashur, për gjithçka që bëni: kujtojuni të gjithëve bukurinë e ungjillëzimit. I kërkojmë Zotit hirin për të qenë dishepuj misionarë dhe barinj sipas vullnetit të tij. Që Ai të frymëzojë projektet tuaja dhe që Shpirti i Shenjtë t'ju mbështesë në angazhimin tuaj në shërbim të Ungjillit.

 

07 nëntor 2025, 11:18