Kërko

2025.11.21 Incontro Digitale di Papa Leone XIV con i Giovani americani

Leoni XIV: ekonomia të mos jetë thjesht "makinë, që prodhon"

Në një mesazh, nënshkruar në Vatikan, më 26 nëntor, për pjesëmarrësit në takimin global "Ekonomia e Françeskut", Papa Leoni XIV i nxit brezat e rinj të mos dorëzohen, duke u kërkuar të dalin nga “vatha” e indiferencës dhe e objektivave personale. Gjithashtu, i inkurajon të nxjerrin në pah "paaftësitë" e sistemeve, që i shtojnë pabarazitë e nuk janë në gjendje të kujdesen për të brishtët

R.SH. – Vatikan

Shkoni përtej mbylljes në indiferencë, për të cilën ekonomia është kthyer thjesht në ingranazh, në "makinë, që prodhon" e aq. Përkundrazi, rizbuloni limfën jetësore të sistemeve, që qeverisin botën, duke mos u dorëzuar kurrë dhe duke demaskuar të metat e politikave, që nxisin pabarazinë dhe harrojnë më të brishtët. Kjo është ftesa, që Papa Leoni XIV u drejton, në një mesazh, pjesëmarrësve në takimin global të promovuar nga “Ekonomia e Franceskut” (The Economy of Francesco) – bashkësia e ekonomistëve të rinj, të frymëzuar nga një letër e Papës Françesku. Takimi mbahet që nga dita e sotme, 28 nëntor e deri të dielën, në Qendrën Mariapoli, në Castel Gandolfo.

"Ta bëjmë edhe shkretëtirën të lulëzojë"

Në tekstin e nënshkruar në Vatikan, më 26 nëntor, Papa thekson se askush më mirë se brezat e rinj, nuk është në kontakt me "gjërat e reja" mbi të cilat njerëzimi ndërton të ardhmen. Takimi i Castel Gandolfos pasurohet edhe nga fakti se po zhvillohet në gjirin e Kishës, e cila, nëpërmjet Ekonomisë së Françeskut, promovon një rrugë që "fekondon mendimin dhe iniciativën ekonomike". Farë ungjillore, që "e bën edhe shkretëtirën të lulëzojë", rritur nga Shën Françesku i Asizit dhe dëshmuar, shekuj më vonë, nga Papa Françesku "me gjithë forcat e tij".

“Po, miq të dashur, - shkruan Leoni XIV - Ungjilli e shndërron punën njerëzore dhe prodhon ndryshime brenda nesh, përmes të cilave hyn në botë jeta e begatë”.

Ekonomi, që nuk prodhojnë hedhurina

Mendimet e Papës shkojnë tek Françesku, i cilë ndërroi jetë "në aromën e Pashkëve".  Trashëgimia e tij është angazhim për ekonomistët e rinj, me të cilët ishte thellësisht i lidhur. Leoni XIV citon një fragment nga një fjalim, që Papa Françesku pati mbajti para një delegacioni syresh:

“Në mesin tuaj, të lindë një mënyrë e re për të ndenjur së bashku dhe për të zhvilluar atë ekonomi, që nuk prodhon hedhurina, por mirëqenie materiale dhe shpirtërore”.

"Të ringjallen ëndrrat"

Rrjeti i Ekonomisë së Françeskut përfaqëson, në vizionin e Papës, një mundësi për t’u çliruar nga indiferenca dhe për të dalë jashtë "kufijve të objektivave personale dhe grupore", duke mirëpritur "Mbretërinë e Zotit dhe drejtësinë e Tij" përmes mënyrave të reja të dashurisë për të mirën e përbashkët. Është fjala për ringjalljen e ëndrrave, vlerësimin e lutjes, studimit, punës dhe të mendimit të përbashkët me energji të ripërtërira.

Ati i Shenjtë përqendrohet më pas në temën e takimit të këtij viti: "Rigjallërimi i Ekonomisë", që synon promovimin e sistemeve, të cilat shkojnë përtej "makinës, që vetëm prodhon", duke u rikthyer jetën e iniciativën njerëzve, bashkësive dhe shtëpisë sonë të përbashkët.

"Gjërat e reja"

"Gjërat e reja", përmendur nga Papa në fillim, rishfaqen kur ai flet për enciklikën “Rerum Novarum” të Leonit XIII, një titull që - pohon Leoni XIV - na sfidon ende sot.

“Sigurisht që ka "gjëra të reja" në botë, por kur e themi këtë, shpesh përdorim një "vështrim nga qendra" dhe u referohemi realiteteve si Inteligjenca Artificiale, ose robotika. Por sot, dua t’i shoh "gjërat e reja" me ju, duke filluar nga periferia”.

Perspektivë e njohur për të rinjtë e mbledhur në përputhje me stilin e Françeskut: një ekonomi e aftë të zhvishet nga privilegjet, duke i parë “gjërat e reja nga periferia, me impenjimin, që nuk kufizohet vetëm në protesta, por kërkon zgjidhje”. Papa ripohon parimin e "vogëlsisë" së benediktinit francez Ghislain Lafont: motori i historisë nuk është pushteti, por varfëria; e akoma: ndryshimi i vërtetë ndodh nëpërmjet veprimit të elementëve të brishtë”.

Demaskimi i të metave të sistemeve ekonomike

Leoni XIV i inkurajon të rinjtë të demaskojnë me jetën e tyre, me punën dhe studimet, "paaftësinë e një sistemi" që i shton pabarazitë dhe nuk kujdeset për të vegjlit dhe të brishtët.

“Së bashku, - shkruan ai - mund të përqafojmë ëndrrat e Zotit dhe t'i shohim si i zgjerojnë tonat, duke na angazhuar në një aventurë populli, në të cilën muret dhe paragjykimet bien dhe paqja del në pah”.

Puna dhe veprimi shoqëror

Së fundi, Papa këshillon që puna të shoqërohet me një veprim social, që nuk është i lidhur me modat kalimtare. Fton të ushqehet shpirti me Ungjillin dhe me librat e tjerë të Biblës, që i quan "peizazhi në të cilin Zoti na bën ende ta dëgjojmë zërin e tij dhe na frymëzon vizionet".

“Do të jeni sipërmarrës dhe ekonomistë të mirë nëse e kuptoni kështu ekonominë hyjnore: është sekreti i sa e sa dëshmitarëve, që na kanë paraprirë dhe që ende ecin me ne. Të dashur të rinj, ecni përpara. Madje, le të ecim përpara së bashku!”

28 nëntor 2025, 15:37