Kërko

Leoni XIV letonezëve: në konfliktin që po përjeton rajoni juaj, besojani veten Zotit

Duke përshëndetur shtegtarët e ardhur nga vendi baltik, Papa gëzohet për lidhjet e Letonisë gjithnjë e më “të ngushta” me Selinë e Shenjtë. Kujton Udhëtimin Apostolik të Papa Françeskut në vitin 2018, në njëqindvjetorin e pavarësisë, dhe citon shkrimtaren Zenta Maurina, e cila pohonte se rrënjët e kombit qëndrojnë “në qiell”.

R.SH. – Vatikan

Konflikti që kërcënon dyert e Letonisë rrezikon të sjellë në kujtesë të kaluarën e “trazuar” të vendit. Përballë “mundimeve” të tilla, është thelbësore t'i drejtohemi Zotit, për t'u ngushëlluar nga hiri që vjen nga ai "qiell" ku zhyten “rrënjët” e kombit. Kjo është nxitja që Papa Leoni XIV u drejton sot paradite, më 24 nëntor, më shumë se 200 shtegtarëve të ardhur nga vendi baltik, të pritur në Sallën Klementine në Vatikan.

Njëqind vjet nga shtegtimi i parë

Papa thekson se ardhja e tyre në Romë përkon me njëqindvjetorin e shtegtimit të parë zyrtar letonez në Roëm. Prandaj është bukur të shohësh që e mbani gjallë këtë traditë të shtegtimit dhe që ndiqni gjurmët e paraardhësve tuaj në fe.

Shpresa mes sfidave dhe pasigurive

Një udhëtim që është kujtesë se si Roma ka qenë “gjithmonë shtëpi për të gjithë të krishterët”, dhe vend ku “apostujt e mëdhenj” Pjetri dhe Pali u bënë martirë për fenë e krishterë duke dhënë “dëshminë më të lartë” të Ungjillit.

Është lutja ime që të mund të merrni frymëzim prej Apostujve dhe prej vendeve të tjera të shenjta në Romë. Të gjithë kanë treguar se shpresa nuk zhgënjen pavarësisht pasigurisë së situatave të tyre dhe sfidave me të cilat u përballën.

T'i drejtohemi Zotit në mundime

Kanë qenë pikërisht pasiguritë dhe kontekstet e komplikuara ato që kanë përshkuar historinë e Letonisë, pohon Leoni XIV. Këtë e kujtonte edhe paraardhësi i tij, Papa Françesku, duke vizituar Letoninë në vitin 2018, në njëqindvjetorin e pavarësisë.

Ndërsa konflikti aktual në rajonin tuaj mund të evokojë kujtime të atyre kohërave të trazuara, është e rëndësishme për ne t'i drejtohemi Zotit dhe të forcohemi nga hiri i tij kur përballemi me mundime të ngjashme.

Rrënjët "në qiell"

Tema qendrore e Jubileut, shpresa, nuk sjell me vete “të gjitha përgjigjet”, por përfaqëson pikërisht një ftesë për të “vendosur besimin tonë te Zoti dhe për të ndjekur Krishtin më nga afër”. Jo rastësisht, siç kujtoi akoma Papa Françesku gjatë fjalimit të tij të mbajtur në Pallatin Presidencial të Rigës, feja e krishterë ka luajtur një “rol themelor” në historinë e vendit. Në këtë drejtim Papa Bergoglio citoi shkrimtaren lokale Zenta Maurina, e cila shkruante se rrënjët e Letonisë “janë në qiell”.

Për këtë arsye, jam mirënjohës që lidhjet midis Letonisë dhe Selisë së Shenjtë janë bërë më të ngushta vitet e fundit. Përshëndetja drejtuar kryeministres letoneze

Duke shtrirë përshëndetjen e tij për kryeministren letoneze, Evika Siliņa, e pranishme në Sallën Klementine, në Vatikan, Papa Leoni XIV thekson se virtyti i shpresës është i lidhur thellësisht me atë të fesë, për të fiksuar shikimin në të tashmen, dhe për të mirëpritur bekimet e Zotit në “këtu dhe tani”.

Zëri Zotit dëgjohet në "heshtje" të shtegtimit

Në këtë kuptim, shtegtimi luan një rol thelbësor në jetën e fesë, sepse ofron kohë dhe hapësirë “për të takuar Zotin më thellë”, duke u larguar nga rutina dhe “zhurma” e përditshme, duke ofruar “heshtjen për të dëgjuar më qartë zërin e Zotit”.

Prandaj, ju inkurajoj të përdorni këtë mundësi lutjeje dhe të hapeni ndaj hirit të Zotit, në mënyrë që të forcojë besimin tuaj dhe t'ju japë paqen që bota nuk mund ta japë.

Udhëtimi vazhdon

Shtegtimi, përfundon Papa, arrin edhe në atdheun ku ju ktheheni. Farat e tij, në fakt, duhet të zënë "rrënjë në dishepullimin tuaj të përditshëm dhe të japin fryt në jetën tuaj".

Në këtë mënyrë, Kisha në Letoni me siguri do të vazhdojë të jetë një burim gëzimi dhe shprese për të gjithë letonezët.

24 nëntor 2025, 13:02