Kërko

2025.11.17 Pjesëmarrësit në Kursin Përditësues për Udhëheqësit Baritorë Dioqezanë të Liturgjisë (@VATICAN MEDIA) 2025.11.17 Pjesëmarrësit në Kursin Përditësues për Udhëheqësit Baritorë Dioqezanë të Liturgjisë (@VATICAN MEDIA)

Leoni XIV: liturgjia në famulli të jetë e kujdesshme dhe e shpjeguar me kompetencë

Papa flet në audiencë me pjesëmarrësit e Kursit të përditësimit për të ngarkuarit dioqezanë për veprimtari liturgjike: ekspertët të bashkëpunojnë me famullitarët dhe grupet që merren me këtë temë, në mënyrë që ky aspekt i Kishës të bëhet sërish tërheqës dhe përfshirës.

R.SH. - Vatikan

Të marrësh pjesë në një Meshë, në një rit, dhe të mos kuptosh mirë se çfarë po kremtohet, shenjat që bën meshtari, vlerën e asaj që thotë. Ose të ofrohesh për një shërbim, si ai i leximit të teksteve të shenjta biblike, pa pasur një përgatitje të duhur. Rrethana mjaft të përhapura për të cilat Leoni XIV kërkon një ndryshim të tendencës, sepse, konstaton, në dioqeza dhe në famulli ka nevojë për formim "dhe është e rëndësishme, aty ku nuk ka, të fillojnë kurse biblike dhe liturgjike”.

Papa u drejtohet ekspertëve të sektorit, në veçanti profesorëve dhe pjesëmarrësve në Kursin e përditësimit për të ngarkuarit dioqezanë për veprimtari liturgjike, të pritur sot paradite, më 17 nëntor, në audiencë, të udhëhequr nga drejtuesit e Universitetit Papnor të Shën Anselmi dhe nga dekani i Institutit Papnor Liturgjik.

Kompetencat biblike bazë

Nga reforma e Koncilit të Dytë të Vatikanit e në vazhdim - nga Sacrosanctum Concilium e në vazhdim, duke kaluar nga Veritatis gaudium deri te letra apostolike e Papa Françeskut Desiderio desideravi – Ati i Shenjtë Leoni XIV thekson nevojën për t’i "ndihmuar Kishat e veçanta dhe komunitetet famullitare të kenë mundësinë për t’u formuar nga Fjala e Zotit, duke shpjeguar tekstet e Leksionarit të ditëve të javës dhe të festave" dhe të kujdesen për "një formim fillestar e të përgjithshëm të krishterë dhe liturgjik që ndihmon besimtarët të kuptojnë, nëpërmjet riteve, lutjeve dhe shenjave të ndjeshme, misterin e fesë që kremtohet". Papa kërkon ndihmë në këtë punë nga liturgjistët me udhëzime mjaft të detajuara.

Siguroni një përgatitje të thelluar të lexuesve të institucionalizuar dhe të atyre që lexojnë Shkrimet në mënyrë të qëndrueshme në kremtimet liturgjike. Kompetencat biblike bazë, një diksion i qartë, aftësia për të kënduar psalmin, si dhe për të hartuar lutjet e besimtarëve për komunitetin janë aspekte të rëndësishme që zbatojnë reformën liturgjike dhe bëjnë të rritet formimi i Popullit të Zotit.

"Kërkojmë rrugë dhe metoda të reja"

Leoni XIV vlerëson "shumë hapa përpara" të bërë në këtë drejtim, por edhe "shumë rrugë" që mbetet për të bërë. Kërkojmë, thotë Ati i Shenjtë, "udhë dhe metoda të reja", sidomos nga ana e atyre që drejtojnë zyrën për veprimtarinë liturgjike që, kujton Papa, "janë përgjegjës në çdo dioqezë për formimin liturgjik të përhershëm të klerit dhe të besimtarëve, për përgatitjen për shërbesat, për kujdesin e grupeve liturgjike famullitare, të ministrantëve, të lexuesve, të këngëtarëve".

Bëhet fjalë për të favorizuar një pjesëmarrje frytdhënëse të Popullit të Zotit, si dhe një liturgji të denjë, të vëmendshme ndaj ndjeshmërive të ndryshme dhe të matur në solemnitetin e saj. Ndër aspektet e lidhura me shërbimin tuaj si drejtorë, dëshiroj të theksoj promovimin e Liturgjisë së Orëve, kujdesin për devocionin popullor, vëmendjen ndaj dimensionit kremtues në ndërtimin e Kishave të reja dhe në përshtatjen e atyre ekzistuese.

Kreativiteti baritor

E gjithë kjo me një punë të bërë në bashkëpunim midis ekspertëve dhe, aty ku janë të pranishëm në famulli, "grupet liturgjike" që duhet të punojnë "në sinergji me komisionin dioqezan" dhe me famullitarët përkatës, duke shmangur rënien mbi ta të gjithë peshës dhe "duke u lënë vetëm disave përgjegjësinë e këngës, të shpalljes së Fjalës, të zbukurimit të Kishës". Papa u kërkon të ngarkuarve dioqezanë për liturgji t’u japin një shtysë dhe frymë të re pikërisht grupeve liturgjike, disa prej të cilave - vëren Ati i Shenjtë - me kalimin e kohës fatkeqësisht janë "zvogëluar deri në zhdukje, pothuajse sikur të kishin humbur identitetin e tyre".

Prandaj duhet të angazhohemi që ky aspekt i jetës së Kishës të bëhet sërish tërheqës, i aftë të përfshijë persona kompetentë ose të paktën të prirur ndaj këtij lloji shërbimi (...) Kreativiteti juaj baritor do të dijë pastaj të gjejë format më të përshtatshme.

17 nëntor 2025, 12:12