Leoni XIV Meshë për shpirtin e Françeskut, kardinajve dhe ipeshkvijve të ndjerë
R.SH. - Vatikan
Flet për “shpresë”, Leoni XIV, në Meshën kremtuar për shpirtin e Papa Françeskut dhe të 8 kardinajve e 134 kryeipeshkvijve dhe ipeshkvijve të vdekur gjatë vitit të fundit. Shpresa e krishterë, shpresa “pashkore” e ringjalljes, shpresa që nuk zhgënjen, që është dhuratë dhe hir, që mundëson të mos jesh i dëshpëruar as përballë vdekjes së të brishtëve të shkëputur nga jeta nga një sëmundje apo vdekjeve tragjike ose traumatike si ato të fëmijëve apo të të pafajshmëve. Vdekje “të tmerrshme”, këto të fundit, që Hyji Atë nuk i do dhe për të cilat “ka dërguar Birin e Tij, Jezu Krishtin në botë për të na çliruar prej tyre”.
Vetëm Ai mund të mbajë mbi vete dhe brenda vetes këtë vdekje të korruptuar pa u korruptuar prej saj. Vetëm Ai ka fjalë jete të amshuar – e ne me drithërimë e rrëfejmë këtu pranë Varrit të Shën Pjetrit – dhe këto fjalë kanë fuqinë të ndezin sërish fenë dhe shpresën në zemrat tona.
Papa Françesku, dëshmitar shprese
Këtë shpresë, Papa Françesku dhe kardinajtë e prelatët e vdekur nga tetori 2024 deri më sot, “e kanë jetuar, dëshmuar dhe mësuar”. Dhashtë Zoti që shpirtrat e tyre “të shkëlqejnë si yje në qiell”, tha Papa Leoni XIV në homelinë e Meshës, të cilën e fillon me një kujtim pikërisht të Françeskut, të cilit i shpreh “respekt e dashuri të madhe”.
Ai vdiq pasi hapi Portën e Shenjtë dhe i dha Romës e botës Bekimin Pashkor. Falë Jubileut, kjo kremtim – për mua është i pari – merr një shije karakteristike: shijen e shpresës së krishterë.
Trauma e vdekjes së të vegjëlve
Papa Leoni XIV e shtjellon reflektimin e tij duke u nisur nga leximet biblike të liturgjisë, duke filluar nga “ikona e madhe biblike” që përmbledh kuptimin e Vitit të Shenjtë: tregimi i dishepujve të Emausit në Ungjillin e Lukës (Lk 24,13-35). “Në të gjendet i përfaqësuar plastikisht shtegtimi i shpresës, që kalon përmes takimit me Krishtin e Ngjallur”. Pika e nisjes është “përvoja e vdekjes” në formën e saj më të keqe: “Vdekja e dhunshme që vret të pafajshmin dhe kështu lë të pashpresë, të dekurajuar, të dëshpëruar”.
Sa njerëz – sa “të vegjël”! – edhe në ditët tona pësojnë traumën e kësaj vdekjeje të tmerrshme sepse është shpërfytyruar nga mëkati.
Një shpresë "e re"
“Për këtë vdekje nuk mund dhe nuk duhet të themi Laudato si’”, pohon Leoni XIV, duke iu referuar Këngës së Krijesave në të cilën Shën Françesku e quante vdekjen “motër”. Vdekjen “e tmerrshme” të kaq shumë të pafajshmëve të vegjël, pohon Papa Prevost, “Hyji Atë nuk e do” dhe për këtë ka dërguar Krishtin për të çliruar të gjithë nga kjo zgjedhë dhe për të dhuruar shpresë. Një shpresë tërësisht “e re”, thekson Leoni XIV: një realitet të ri, një dhuratë, një hir. Është falë fesë dhe shpresës që të krishterët nuk mposhten nga vdekja. “Jemi të pikëlluar, sigurisht, kur një person i dashur na lë. Jemi të skandalizuar kur një qenie njerëzore, veçanërisht një fëmijë, një ‘i vogël’, një i brishtë shkëputet nga një sëmundje ose, më keq, nga dhuna e njerëzve. Si të krishterë jemi të thirrur të mbajmë me Krishtin peshën e këtyre kryqeve”, pohon Papa. Por nuk jemi të trishtuar si ata që janë pa shpresë, sepse edhe vdekja më tragjike nuk mund ta pengojë Zotin tonë të mirëpresë në krahët e Tij shpirtin tonë dhe të transformojë trupin tonë të vdekshëm, edhe më të shpërfytyruarin, sipas imazhit të trupit të Tij të lavdishëm.
"Nuk jemi të trishtuar si të tjerët që nuk kanë shpresë"
Shpresa “pashkore” është shumë e ndryshme nga ajo njerëzore, shton Papa Leoni XVI. Është e ndryshme nga ajo e grekëve, e judenjve, e filozofëve dhe e ligjit. Është shpresa e themeluar “vetëm dhe tërësisht në faktin se i Krishti i Kryqëzuar është ngjallur”, “është një shpresë që nuk shikon horizontin tokësor, por përtej, shikon Hyjin, në atë lartësi dhe thellësi nga ku ka lindur Dielli që erdhi për të ndriçuar ata që janë në errësirë dhe në hijen e vdekjes”.
Atëherë po, mund të këndojmë: Lëvduar qofsh, o Zoti im, për motrën tonë vdekjen trupore. Dashuria e Krishtit të kryqëzuar dhe të ngjallur e ka transformuar vdekjen: nga armike e ka bërë motër, e ka zbutur. Dhe përballë saj ne nuk jemi të trishtuar si të tjerët që nuk kanë shpresë.
