Kërko

Leoni XIV: në konflikte, të krishterët të jenë fara paqeje dhe pajtimi

Video-mesazhi, prodhuar nga Rrjeti Botëror i Lutjeve i Papës, u publikua dje, më 26 nëntor dhe përmban ndjetet e lutjes së Papës për muajin dhjetor: njerëzit që vuajnë në zonat e luftës, veçanërisht në Lindjen e Mesme, le të "ndjejnë mirësinë e butë" të Zotit dhe afërsinë e Kishës universale.

R.SH. / Vatikan

Për disa sekonda, Kisha duket si çdo tjetër. Besimtarë që luten, fëmijë në krahët e prindërve. Pastaj, zhurma ogurzezë e një rakete mortaje që po afrohej, me kulmin e saj dramatik.

Së fundi, një shpërthim dridh muret e Kishës së vogël, që nuk është si çdo tjetër, por famullia katolike e Familjes Shenjte në Gaza, e cila ka qenë shumë herë në lajmet televizive, sepse shpesh ka qenë në shënjestër të raketave, dhe një herë, më 17 korrik të kaluar, u godit drejtpërdrejt. Kështu fillon videoja e re me ndjetet e lutjes së Papa Leonit XIV, kushtuar të “krishterëve në kontekste konflikti”, veçanërisht në Lindjen e Mesme. Videomesazhi u shpërnda më 26 nëntor, nga Rrjeti Botëror i Lutjes së Papës me bashkëpunim me Mediat e Vatikanit, në pragun e udhëtimit apostolik të parë të Leonit XIV në Turqi dhe Liban.

Papa thërret të lutemi... ...që krishterët që jetojnë në kontekste luftërash ose konfliktesh, veçanërisht në Lindjen e Mesme, të jenë fara të paqes, pajtimit dhe shpresës.

Lutja, në fakt, nuk është një kërkesë drejtuar Zoti që të përfundojnë konfliktet, por një kërkesë shumë më e vështirë drejtuar “Zotit të paqes” që, “edhe pse të rrethuar nga dhimbja”, të krishterët ta ndiejnë gjithmonë mirësinë e prekshme të pranisë sate dhe lutjet e vëllezërve dhe motrave të tyre në fe.

Fara paqeje mes Luftës dhe dhunës

Leoni XIV, në lutjen e tij, nuk dëshiron që të krishterët të jenë "të mbyllur në mbrojtje". Përkundrazi. Ai kërkon që "në mes të luftës dhe dhunës", ata të bëhen "fara pajtimi, ndërtues shprese në gjeste të mëdha dhe të vogla, të aftë për të falur dhe për të ecur përpara, duke kapërcyer përçarjet dhe duke kërkuar drejtësi me mëshirë.

Papa i kërkon Jezusit, i cili i quajti ata që punojnë për paqen "të bekuar", të na bëjë "instrumente paqeje edhe aty ku harmonia duket e pamundur". Duke iu lutur Shpirti Shenjt, Leoni XIV na kërkon të mbështesim "fenë e atyre që vuajnë" dhe të forcojmë shpresën e tyre, por mbi të gjitha, "të mos na lënë të biem në indiferencë" dhe të na bëjnë "ndërtues të unitetit" si Jezusi.

Të krishterët në Lindjen e Mesme

Sipas Raportit të vitit 2025 mbi Lirinë Fetare, të botuar më 21 tetorin e kaluar nga Fondacioni Papnor ‘Ndihmë për Kishën që Vuan’, numri i konflikteve në Lindjen e Mesme dhe kushtet socioekonomike i ekspozojnë pakicat fetare, veçanërisht të krishterët, ndaj cenueshmërisë ekstreme. Në Palestinë, pas dy vitesh lufte, shumë Kisha janë bërë strehë për familjet e pastreha, të moshuarit dhe personat me aftësi të kufizuara. Në Liban, kriza e rëndë ekonomike po i shtyn qindra mijëra njerëz, veçanërisht të rinjtë, të emigrojnë, duke zbrazur shkollat ​​dhe duke varfëruar famullitë kishtare nga prania e tyre. Në Siri dhe Irak, rindërtimi po ecën ngadalë mes paqëndrueshmërisë politike, pasigurisë dhe mungesës së perspektivës për të rinjtë.

Vuajtjet e krishterëve në zemrën e Papës

“Gjendja e krishterëve në kontekste konflikti është një shqetësim i vazhdueshëm në zemrën e pasardhësit të Pjetrit”, thekson Atë Cristóbal Fones, drejtori ndërkombëtar i Rrjetit Botëror të Lutjes së Papës. “Gjatë viteve, Papa Françesku i kishte besuar shumë herë lutjes së Kishës universale vështirësitë dhe dëshmitë e krishterëve që jetojnë në kontekste të vështira”.

Papa Bergoglio i kishte në zemër vështirësitë e tyre dhe kishte kërkuar vazhdimisht lutje për krishterët e përndjekur në mars 2017; për dialogun dhe pajtimin në Lindjen e Mesme në nëntor 2019; për komunitetet fetare të diskriminuara dhe të përndjekura në janar 2022 dhe për martirët e rinj, dëshmitarë të Krishtit, në mars 2024.

Me këtë videomesazh, për Atë Fones, Papa Leoni XIV e vazhdon këtë trashëgimi. Në lidhje me udhëtimin e tij apostolik të parë në Turqi dhe Liban, thirrja e tij për falje është një gjest afërsie ndaj krishterëve të Palestinës, Libanit, Sirisë, Irakut dhe shumë vendeve të tjera që Kisha universale nuk i harron, por i përfshin në lutjet e saj. Në kuadër të Jubileut, videomesazhi i Papës Leoni XIV merr një rëndësi të veçantë, sepse bën të njohur ndjetet e lutjes që Papa i ka në zemër: të lutësh për të njëjtat qëllime me Ipeshkvin e Romës është kusht për të marrë edhe hirin e ndjesës së plotë jubilare.

27 nëntor 2025, 10:43