Leoni XIV: paqja është të marrësh qëndrim aty ku dinjiteti njerëzor shkelet

Të vendosësh se në cilën anë do të qëndrosh, të ndjekësh atë zjarr që Zoti solli në botë. Papa në audiencën jubilare në Sheshin e Shën Pjetrit, kujton Dorothy Day, aktivisten amerikane që ndryshoi jetën e saj pas takimit me katolicizmin, duke iu përkushtuar plotësisht të margjinalizuarve të fillimit të shekullit të njëzetë dhe duke u bërë një promovuese e pajtimit.

R.SH. – Vatikan

Një zjarr që duke u ndezur transformon zemrën dhe jetën, nxit të "marrësh qëndrim", të shpresosh për një ndryshim, të modifikosh realitetin duke transformuar "indinjatën në bashkësi dhe në veprim" për t'u bërë kështu veprimtarë paqeje si gazetarja Dorothy Day. Kjo është rruga që Papa Leoni, pas një xhiroje me papamobil mes besimtarëve në Sheshin e Vatikanit, përshkruan në katekizmin e audiencës jubilare të sotme, 22 nëntor, në Sheshin e Shën Pjetrit, në prani të pjesëmarrësve të Jubileut të Koreve dhe Koraleve të ardhur nga vende tëndryshme. Zjarri për të cilin Papa flet është ai i dashurisë së Zotit që Jezusi sjell në tokë dhe që ndez "zjarrin e dëshirës në zemrat tona". "Në një farë mënyre – shpjegon Papa Prevost – Jezusi na heq paqen, nëse e mendojmë paqen si një qetësi inerte". Sepse ajo "nuk është paqja e Zotit".

Paqja që Jezusi sjell është si një zjarr dhe na kërkon shumë. Na kërkon, mbi të gjitha, të marrim qëndrim. Përballë padrejtësive, pabarazive, aty ku dinjiteti njerëzor shkelet, aty ku të brishtëve u hiqet fjala: të marrësh qëndrim. Të shpresosh është të marrësh qëndrim. Të shpresosh është të kuptosh në zemër dhe të tregosh në vepra se gjërat nuk duhet të vazhdojnë si më parë. Edhe ky është zjarri i mirë i Ungjillit.

Të bashkosh mendjen, zemrën, duart

Papa i jep konkretësi fjalëve të tij duke treguar "gruan e vogël të madhe amerikane" Dorothy Day si shembull të asaj që "kishte zjarrin brenda" dhe që mori qëndrim si e krishterë përballë padrejtësive të punëtorëve, migrantëve, të "të mënjanuarve nga një ekonomi që vret", duke kuptuar se "modeli i zhvillimit të vendit të saj nuk krijonte të njëjtat mundësi për të gjithë". E lindur në Nju Jork në vitin 1897, ajo u konvertua në katolicizëm në vitin 1928 dhe disa vite më vonë themeloi revistën mujore "The Catholic Worker", nga e cila më pas lindi krijimi i shumë shtëpive të mikpritjes.

Ajo shkruante dhe shërbente: është e rëndësishme të bashkosh mendjen, zemrën dhe duart. Kjo është të marrësh qëndrim. Ajo shkruante si gazetare, domethënë mendonte dhe bënte të mendonin. Të shkruash është e rëndësishme. Dhe gjithashtu të lexosh, sot më shumë se kurrë. Dhe pastaj Dorothy shërbente ushqime, jepte rroba, vishej dhe hante si ata që shërbente: bashkonte mendjen, zemrën dhe duart. Në këtë mënyrë të shpresosh është të marrësh qëndrim.

Dorothy Day, punonjëse e paqes

“Dorothy Day – vazhdon Papa – përfshiu mijëra njerëz”, nga përvoja e saj u hapën shtëpi në shumë qytete, në shumë lagje: “jo qendra të mëdha shërbimesh, por pika bamirësie dhe drejtësie ku thirreshin me emër, njiheshin një nga një, dhe e shndërronin indinjatën në bashkësi dhe në veprim”. Ja si janë punonjësit e paqes: marrin qëndrim dhe i mbajnë pasojat, por shkojnë përpara. Të shpresosh do të thotë të marrësh qëndrim, si Jezusi, me Jezusin. Zjarri i Tij është zjarri ynë. Ky Jubileu e ringjallë atë në ne dhe në gjithë Kishën!

Një Kishë, “bashkësi me kufizime njerëzore”, që ka marrë shumë dhe vazhdon të marrë nga Jezusi, i cili pret shumë prej nesh, “është një shenjë besimi, një shenjë miqësie”. “Pret shumë – thotë Papa – sepse na njeh dhe e di se ne mundemi”.

Martirët që mësojnë të mbjellin paqen

Duke iu drejtuar besimtarëve portugezë, Papa nxit të mos lejohen të tërhiqen “nga globalizimi i indiferencës, që duket se nuk ka fund në botën e sotme” dhe fton të marrin forcë nga Fjala e Zotit, duke bashkuar “mendjen, zemrën dhe duart për të bërë ndryshimin në shoqëri”. Në përshëndetjet drejtuar shtegtarëve polakë, Leoni XIV kujton se në popullin e tyre ka shumë martirë që kanë marrë qëndrim si Familja e Ulma e shpallur e Lumtur, të gjithë të ngritur në nderimet e altarëve, përfshirë fëmijën që nëna kishte në bark. Ata u shfarosën sepse kishin fshehur tetë hebrenj gjatë Luftës së Dytë Botërore. Papa Leoni XIV përmend edhe vullnetaren e re, Shërbëtoren e Zotit Helena Kmieć, misionare e vrarë në janar 2017 gjatë një sulmi kundër jetimores ku ajo shërbente në Cochabamba, Bolivi.

Të ndezur nga zjarri i Jezusit dhe të ndërtuar nga shembulli i tyre, mbillni paqen e Zotit aty ku jetoni dhe punoni çdo ditë.

Shën Çeçilia, muzikë dhe lutje

Në fund, Papa, në përshëndetjet në italisht, kujton Jubileun e Koret dhe Koraleve, duke i falënderuar për "shërbimin e tyre të çmuar" në komunitetet e tyre.

Muzika dhe kënga e lidhur me fushën liturgjike janë një formë lutjeje, një perceptim i tërheqjes së bukurisë që ngre shpirtin drejt Zotit dhe bashkon zemrat në lavdërim. Shën Çeçilia, pajtorja qiellore e muzikës dhe këngës, kujtimin e së cilës e kremtojmë sot, le të mbështesë angazhimin dhe misionin tuaj.

 

22 nëntor 2025, 10:58

Audiencat e fundit

Lexo gjithçka >