Kërko

Liban: Papa, "vëllazëria dhe miqësia shoqërore, shtyllat e paqes në Levant"

Leoni XIV arriti në Bejrut ku para autoritetit në fjalimin e parë foli për qëndrueshmërinë e vendit të kerdave, por edhe mbi sfidën e një pajtimi që duhet të shkojë më tej se ekuilibri midis interesave. "Kultura e pajtimit nuk mund të lindë vetëm nga poshtë". "Pyetni veten: çfarë duhet të bëhet që të rinjtë të mos jenë të detyruar të emigrojnë?". Lavdëroi për gratë veprimtare të paqes që ruajnë jetën dhe marrëdhëniet".

R.SH. / Vatikan

Papa Leoni XIV posa mbërrini, më 30 nëntor pasdite, në Liban, "Tokën e Kedrave", u takua me autoritet e shoqërisë civile dhe Trupin Diplomatik të vendin, në "Sallën 25 Maj" në Bejrut. Në fjalën e tij, Papa Leoni XIV inkurajoi një popull që ka vuajtur kaq shumë dhe për të cilin paqja "është një projekt i përhershëm", pasi “këtu, në Liban, paqja është një dëshirë dhe një thirrje, është një dhuratë dhe një kantier ndërtimi gjithmonë i hapur.” Leoni XIV përmendi pastaj "pasojat shkatërruese" të paqëndrueshmërisë globale, një nga shkaqet e emigrimit edhe për shumë libanezëve. Për shoqërinë libaneze sot duhet një "shërim i kujtesës", së bashku me institucionet që duhet të njohin përparësinë e së mirës së përbashkët dhe t’i vlerësojnë gratë. Më pas Ati i Shenjtë Prevost u bëri thirrje edhe të gjithë udhëheqësve fetarë dhe atyre civilë që të rrisin ndërgjegjësimin brenda bashkësisë ndërkombëtare për të siguruar për Libanin një të ardhme për gjithë e në mënyrë të veçantë për të rinjtë.

Të gjithë janë të thirrur t’i përgjigjen kësaj pyetjeje: “të krishterët dhe myslimanët, së bashku me të gjithë përbërësit fetarë dhe civilë të shoqërisë libaneze”. Misioni i tyre, shtoi Papa, është gjithashtu të rrisin ndërgjegjësimin në mesin e bashkësisë ndërkombëtare, sepse paqja në Liban është një pjesë integrale e stabilitetit rajonal.

Leoni XIV më pas i kushtoi fjalë veçanërisht të forta kontributit të grave në ndërtimin e paqes. “Dua të nënvizoj rolin thelbësor të grave në angazhimin e mundimshëm dhe të durueshëm për ruajtjen dhe ndërtimin e paqes”, tha Ati i Shenjtë, duke kujtuar se “gratë kanë një aftësi specifike për të punuar për paqen, sepse ato dinë të ruajnë dhe zhvillojnë lidhje të thella me jetën dhe me njerëzit”. Pjesëmarrja e tyre në jetën politike, shoqërore dhe fetare është, sipas Leonit XIV, një faktor i ripërtëritjes autentike, i aftë të rigjallërojë edhe shoqëritë e shënuara nga kriza dhe përçarja. Pastaj bekimi i tij: “Të lume, pra, janë paqebërëset, të lum dhe të bekuar janë të rinjtë që qëndrojnë ose që kthehen në vend për të bërë që Libani të vazhdojë të jetë një tokë plot jetë”.

Papa e përfundoi fjalimin e tij duke evokuar një tipar dallues të traditës libaneze: muzikën që bëhet valle. Një imazh që bëhet një metaforë shpirtërore. "Paqja nuk është thjesht rezultat i përpjekjeve njerëzore, sado e nevojshme që të jetë. Paqja është një dhuratë që vjen nga Zoti dhe që banon së pari në zemrat tona", shpjegoi Ati i Shenjtë Prevost. Ajo i ngjan "një lëvizjeje të brendshme që rrjedh jashtë", e aftë të harmonizojë hapat e secilit person me ato të të tjerëve, si në një valle kolektive. "Kushdo që vallëzon përparon lehtë... e tillë është paqja", një rrugë e lindur nga Shpirti dhe "e bën zemrën të dëgjojë", duke e bërë atë të aftë për respekt, vëmendje dhe afërsi”.

Papa Leoni XIV më pas shprehu shpresën e tij se kjo "dëshirë për paqe që vjen nga Zoti" do të rritet në Tokën e Kedrave, duke transformuar "mënyrën se si i shohim të tjerët dhe duke banuar së bashku në këtë tokë të cilën Zoti e do". Një reflektim ky që mbylli fjalimin e Papës tërësisht dedikuar rivendosjes së besimit, të ardhmes së Libanit dhe një detyre të përbashkët: që Libani të bëhet edhe një herë, përmes të rinjve, grave dhe komuniteteve, shenjë paqeje për të gjithë Levantin

30 nëntor 2025, 18:25