Kërko

Në tryezë me Papën, ku uria gjen lehtësim, miqësi, shpresë

Në Sallën Pali VI, në Vatikan, Dita Botërore e të Varfërve festohet në një atmosferë të madhe familjariteti, gëzimi dhe uniteti. Janë 1300 të ftuar nga çdo prejardhje që kanë shijuar drekën e ofruar nga familja Vincenziane, duke lehtësuar barrën e shqetësimeve që shoqërojnë ngjarje të dhimbshme të bëra kryesisht nga braktisje, sëmundje, papunësi. Midis të ftuarve, histori lodhjeje dhe përpjekje për t'u ngritur sërish në këmbë.

R.SH. - Vatikan

Një motër e re rregulltare ushqen me biberon një foshnjë me ngjyrë. Ajo, Misionare e Dashurisë, e varfër mes më të varfërve të botës, ndalet te pjata e saj me lazanjë me perime sepse prioritare është ushqyerja e të voglit. Në Sallën Pali VI në Vatikan është një festë me notat e traditës melodike napolitane të ekzekutuar drejtpërdrejt nga orkestra e vogël e Forcella-s për të gëzuar banketin në Ditën e IX Botërore të të Varfërve. Papa Leoni XIV, i ardhur pas recitimit të lutjes së Engjëllit të Zotit në Shën Pjetër, zë vend në tryezën e vendosur në qendër pranë skenës dhe bashkëndan disa fjalë mirëseardhjeje: Me gëzim të madh mblidhemi këtë pasdite për këtë drekë, në këtë Ditë që e ka dashur aq shumë i dashuri ynë, paraardhësi im, Papa Françesku. Një duartrokitje e fortë për Papa Françeskun.

"Mirëdita të gjithëve - tha Papa Leoni XIV duke hyrë në Sallën Pali VI -. Mirëdita! Me gëzim të madh mblidhemi këtë mesdite për drekë, në Ditën (e të Varfërve, shën. red.) që e ka dashur aq shumë i dashuri ynë, paraardhësi im, Papa Françesku. Një duartrokitje e fortë për Papa Françeskun.

Kjo drekë që tani marrim ofrohet nga dashuria dhe bujaria e madhe e Komunitetit të Shën Vinçencit, familja rregulltare e Vinçencianëve që duam t'i falënderojmë. Dhe pastaj është një përvjetor: janë 400 vjet nga lindja e themeluesit të tyre. Ata do të na shoqërojnë duke shërbyer në tavolinë. Urime të gjithëve ju, meshtarëve, motrave rregulltare, laikëve vullnetarë që punojnë në të gjithë botën duke ndihmuar shumë njerëz të varfër dhe njerëz që jetojnë nevoja të ndryshme.

Jemi vërtet, vërtet plot me këtë frymë falënderimi, mirënjohjeje në këtë ditë. Tani, pra, t’i kërkojmë Zotit t’i bekojë dhuratat që do të marrim, të bekojë jetën e secilit prej nesh këtu të pranishëm, të dashurit tanë, familjarët, njerëzit që kanë bërë aq shumë për të na shoqëruar. I japim gjithashtu bekimin e Zotit shumë njerëzve që vuajnë për shkak të dhunës dhe luftës, të urisë; dhe që ne sot mund ta festojmë këtë festë në frymën e vëllazërisë".

16 nëntor 2025, 17:23