Kërko

Papa: Cop30 të jetë shpresë në një botë në flakë nga luftërat dhe ngrohja globale

Mesazhi i Leonit XIV pjesëmarrësve të Konferencës së OKB-së për ndryshimet klimatike Cop30 që zhvillohet në Belém, Brazil, lexuar nga sekretar i Shtetit të Vatikanit, kard. Parolin, kreu i delegacionit të Selisë së Shenjtë të pranishëm në "Samitin e Klimës". Papa nxit një "konvertim ekologjik" që të çojë në një ndryshim të mentalitetit dhe stilit të jetesës dhe në zhvillimin e një arkitekture të re financiare ndërkombëtare që t'u mundësojë vendeve të varfra të arrijnë "potencialin e tyre".

R.SH – Vatikan

Në një botë "në flakë", për shkak të konflikteve që shkatërrojnë pjesë të ndryshme të Planetit dhe për shkak të ngrohjes globale, Cop30 mund të jetë një "shenjë shprese", si dhe një nxitje për të përqafuar me "guxim" një "konvertim ekologjik" që të çojë në një ndjeshmëri të përhapur ndaj krizës klimatike, në një ndryshim të mentalitetit dhe stilit të jetesës, në ruajtjen e dinjitetit dhe paprekshmërisë së jetës njerëzore dhe mbi të gjitha t'u mundësojë vendeve të varfra të arrijnë potencialin e tyre maksimal. Këto janë dëshirat konkrete që Papa Leoni XIV u shpreh krerëve të shteteve dhe qeverive të mbledhur këto ditë në Belém, në zemër të Amazonës braziliane, për Cop30. Është Konferenca e 30-të e Palëve të Konventës Kuadër të Kombeve të Bashkuara për Ndryshimet Klimatike dhe në të merr pjesë edhe Selia e Shenjtë me një delegacion prej dhjetë anëtarësh, udhëhequr nga Sekretar i Shtetit të Vatikanit, kardinali Pietro Parolin.

Lidhja mes paqes dhe mbrojtjes së krijimit

Vetë kardinali Parolin, i cili mbërriti në Belém ditët e fundit, lexon mesazhin e Papës në gjuhën angleze, i cili hapet me aksiomën e përsëritur aq shpesh nga Papa Françesku dhe, para tij, nga Benedikti XVI: "Nëse dëshiron të kultivosh paqen, ruaje krijimin". Një parim që thekson "lidhjen e qartë mes ndërtimit të paqes dhe mbrojtjes së krijimit".

Kërkimi i paqes nga njerëzit me vullnet të mirë do të lehtësohet sigurisht nga njohja e përbashkët e marrëdhënies së pandashme mes Zotit, qenieve njerëzore dhe gjithë krijimit.

Paqja e kërcënuar edhe nga mungesa e respektit për krijimin

"Nëse nga njëra anë, në këto kohë të vështira, vëmendja dhe shqetësimi i komunitetit ndërkombëtar duket se përqendrohen kryesisht në konfliktet mes kombeve, nga ana tjetër ka edhe një ndërgjegjësim në rritje se paqja kërcënohet edhe nga mungesa e respektit të duhur për krijimin, nga plaçkitja e burimeve natyrore dhe nga përkeqësimi progresiv i cilësisë së jetës për shkak të ndryshimeve klimatike", thotë Papa Leoni.

Bashkëpunimi ndërkombëtar dhe multilateralizmi koheziv

Ati i Shenjtë Prevost denoncon më pas faktin se këto sfida rrezikojnë jetën e të gjithë banorëve të planetit; prandaj kërkojnë "një bashkëpunim ndërkombëtar" dhe "një multilateralizëm koheziv dhe largpamës që vendos në qendër njeriun, shenjtërinë e jetës, dinjitetin e dhuruar nga Zoti çdo qenieje njerëzore dhe të mirën e përbashkët". Fatkeqësisht, sot, përkundrazi, vërehen "qasje politike dhe sjellje njerëzore që shkojnë në drejtim të kundërt, të karakterizuara nga egoizmi kolektiv, nga përbuzja për të tjerët dhe miopia".

Në një botë që digjet, si nga mbinxehja e tokës ashtu edhe nga konfliktet e armatosura, kjo Konferencë duhet të bëhet një shenjë shprese, përmes respektit të treguar ndaj ideve të të tjerëve në përpjekjen kolektive për të kërkuar një gjuhë të përbashkët dhe një konsensus duke lënë mënjanë interesat egoiste, duke mbajtur parasysh përgjegjësinë e njëri-tjetrit dhe për brezat e ardhshëm.

Një arkitekturë e re financiare

I frymëzuar nga enciklika Laudato si’ dhe nga parimi i saj udhëheqës i klimës si “e mirë e përbashkët, që u përket të gjithëve dhe u është destinuar të gjithëve”, Papa Leoni XIV rendit më pas ato që janë shpresat e tij për Cop30 në Belém të Brazilit. Para së gjithash, që pjesëmarrësit të përqafojnë me guxim një “konvertim ekologjik me mendime dhe me veprime, duke pasur parasysh fytyrën njerëzore të krizës klimatike”.

Ky konvertim ekologjik që shpresoj të mund të frymëzojë zhvillimin e një arkitekture të re financiare ndërkombëtare të përqendruar te njeriu, e cila siguron që të gjitha vendet, veçanërisht ato më të varfra dhe ato më të prekshme nga fatkeqësitë klimatike, të arrijnë potencialin e tyre të plotë dhe të shohin të respektuar dinjitetin e qytetarëve të tyre.

“Një arkitekturë e tillë duhet të marrë parasysh edhe lidhjen midis borxhit ekologjik dhe borxhit të jashtëm”, thekson më tej Papa. Ai shpreson gjithashtu për “një edukim për ekologjinë integrale që shpjegon pse vendimet në nivel personal, familjar, komunitar dhe politik formësojnë të ardhmen tonë të përbashkët, duke ndërgjegjësuar njëkohësisht për krizën klimatike dhe duke inkurajuar mentalitete dhe stile jetese që respektojnë më shumë krijimin dhe mbrojnë dinjitetin e personit dhe paprekshmërinë e jetës njerëzore”.

Kujdesi për krijimin, shprehje e humanizmit

Në mesazhin e Leonit XIV përmenden edhe fjalët e një tjetër Pape, Shën Gjon Pali II, i cili që në vitet '90 theksonte faktin se "kriza ekologjike është një çështje morale" dhe, si e tillë, "nxjerr në pah nevojën urgjente morale për një solidaritet të ri, veçanërisht në marrëdhëniet midis vendeve në zhvillim dhe vendeve shumë të industrializuara". "Shtetet duhet të tregohen gjithnjë e më solidare dhe plotësuese mes tyre në promovimin e zhvillimit të një mjedisi natyror e social paqësor dhe të shëndetshëm", pohonte Wojtyla dhe Prevost e thekson këtë përsëri. Përkundrazi, konstaton Leoni XIV, "janë pikërisht njerëzit që jetojnë në kushte më të mëdha vulnerabiliteti ata që vuajnë të parët efektet shkatërruese të ndryshimeve klimatike, shpyllëzimit dhe ndotjes". Prandaj, kujdesi për krijimin bëhet kështu një shprehje e humanizmit dhe solidaritetit.

07 nëntor 2025, 16:09