Papa do të përfundojë Asamblenë e 81-të CEI në Assisi, më 20 nëntor
R.SH. / Vatikan
Papa Leoni XIV do të mbyllë Asamblenë e 81-të të Përgjithshme të Konferencës Ipeshkvnore Italiane (CEI), planifikuar të zhvillohet në Assisi, në Domus Pacis (Santa Maria degli Angeli) nga 17 deri më 20 nëntor. Takimi i Papës me ipeshkvijtë italianë do të mbahet të enjten, më 20 nëntor, në orën 9:30, në Bazilikën e Santa Maria degli Angeli (e Shën Marisë së Engjëjve).
Perspektivë për baritorinë
Asambleja e Përgjithshme e Konferencës Ipeshkvnore Italiane (CEI), e cila do të hapet në orën 16:00 të hënën, më 17 nëntor, me një hyrje nga Kardinali Matteo Zuppi, Kryeipeshkëv i Bolonjës dhe Kreu i Konferencës së Ipeshkvijve Italianë (CEI), do të përqendrohet në udhëzimet dhe vendimet që përmbyllin Udhëtimin Sinodal të Kishave në Itali. Pas miratimit të Dokumentit Përmbledhës nga Asambleja III Sinodale, Asambleja e Përgjithshme thirret të diskutojë prioritetet, rezolutat dhe shënimet e zhvilluara, bazuar në tekstin e miratuar. Nga problemet që dalin, do të përcaktohen veprimtaritë baritore për vitet e ardhshme, të cilat do të diskutohen në Asamblenë e Përgjithshme, në maj 2026.
Feja katolike në shkolla
Të martën, më 18, pas një fjalimi mirëseardhjeje nga Imzot Thibault Verny, Kryetar i Komisionit Papnor për Mbrojtjen e të Miturve, puna do të vazhdojë në Grupet e Studimit. Në rendin e ditës është edhe miratimi i dokumentit “Mësimi i fesë katolike: laborator kulture e dialogu” si dhe paraqitja e dokumenteve titulluar "Edukimi për Paqen".
Lutje për viktimat e shpërdorimit
Gjatë punimeve, janë në kalendar dy çaste veçanërisht të rëndësishme: kremtimi i lutjeve Mbrëmësore dhe lutja për viktimat dhe të mbijetuarit e shpërdorimit, kryesuar nga Imzot Ivan Maffeis, Kryeipeshkëv i Perugia-Città della Pieve dhe Ipeshkëv Delegat për Shërbimin Rajonal të Mbrojtjes së të Miturve e Njerëzve të Cenueshëm të Konferencës Episkopale Umbriane.
Takimi është planifikuar për të martën, më 18, në orën 19:15, në Bazilikën Santa Maria degli Angeli. Kremtimi i Mbrëmjes dhe lutja për paqe, për të mërkurën, më 19, në orën 19:00, në Bazilikën e Poshtme. Lutja do të kryesohet nga Kardinali Zuppi, i cili do të takohet me gazetarët po atë ditë, në Domus Pacis të Shën Marisë së Engjëjve.
