Audienca Jubilare e 8 nëntorit 2025 Audienca Jubilare e 8 nëntorit 2025

Papa: institucionet të krijojnë mundësi punësimi, stabilitet dhe dinjitet

Në Audiencën jubilare Papa u drejtoi një përshëndetje të veçantë pjesëmarrësve në Jubileun e botës së punës, duke u bërë thirrje për "angazhim kolektiv" në shoqërinë civile, për të rritur punësimin dhe për të siguruar që "të rinjtë të mund të realizojnë ëndrrat e tyre e të kontribuojnë për të mirën e përbashkët". Në katekizmin me temë "Të shpresosh është të të dëshmosh", Papa theksoi shembullin e të Lumit Isidore Bakanja

R.SH. / Vatikan

Leoni XIV u shprehu një mirëseardhje të përzemërt pjesëmarrësve në Jubileun e Punës, mbledhur në Sheshin e Shën Pjetrit në Vatikan ndërmjet 45,000 besimtarëve të pranishëm në Audiencën e Jubileut. Pasi përfundoi katekizmin, Papa Leoni XIV iu drejtua të gjithë punëtorëve në përshëndetjen italisht, duke theksuar rëndësinë e punësimit për çdo njeri.

Puna duhet të jetë gurrë shprese e jete, që e lejon shprehjen e aftësisë krijuese të njeriut si dhe aftësinë e tij për të bërë mirë.

Të favorizohet realizimi profesional i të rinjve

Papa i bën thirrje të gjithë bashkësisë që në çdo nivel të favorizohen kushtet për realizimin profesional të të gjithëve, posaçërisht të brezave të rinj:

Shpresoj për një angazhim kolektiv nga institucionet dhe shoqëria civile për të krijuar mundësi të vlefshme punësimi që ofrojnë stabilitet e dinjitet, duke siguruar veçanërisht që të rinjtë të mund të realizojnë ëndrrat e tyre dhe të kontribuojnë në të mirën e përbashkët.

Kujtimi i shtegtimeve të botës së punës në Poloni

Duke përshëndetur shtegtarët nga Polonia, Papa Leoni XIV kujtoi edhe traditën e gjatë, në Vendin "e shtegtimeve të Botës së Punës", që buron "nga mësimet e Shën Gjon Palit II dhe Enciklikës së tij “Laborem Exercens”, frymëzuar edhe nga vepra e Atë të Lum Popiełuszko". Prej këndej, nxitja e tij:

Kthehuni tek këto burime, për të përballuar "gjëra të reja", duke inkurajuar vizionin e krishterë të punës njerëzore!

 Para se të fillonte katekizmin e tij, Leoni u bashkua me shtegtarët në shesh, me xhipin e tij të bardhë, duke u ndalur herë pas here për të bekuar fëmijët. Pastaj kaloi sheshin përpara Bazilikës së Vatikanit, ku grupe flamurmbajtësish rreshtoheshin përgjatë rrugës së papamobilit për të bërë homazhe.

Të shpresosh do të thotë të dëshmosh

 "Shpresa e Jubileut lind nga befasitë e Zotit", i cili "ndryshon nga mënyra se si jemi mësuar të jemi ne", e pikërisht Viti Shenjt "na shtyn ta njohim këtë ndryshim dhe ta jetojmë në jetën reale", “prandaj është Vit hiri: e ne mund të ndryshojmë", kujtoi  Papa, duke nisur reflektimin e tij mbi temën jubilare "Të shpresosh është të dëshmosh".

Kriteret e Zotit

Dhe në këtë drejtim, kujtoi ftesën e Shën Palit Apostull drejtuar të krishterëve të Korintit “për ta shqyrtuar thirrjen e tyre" dhe për të "parë se si Zoti i  bashkon njerëzit, që përndryshe nuk do të ishin takuar kurrë". Çka ndodh, është se "ata që janë më të përulur dhe më pak të fuqishëm, tani janë bërë të çmuar dhe të rëndësishëm".

Kriteret e Zotit, që gjithmonë fillojnë nga më të fundmit, tashmë në Korint janë një "tërmet" që nuk e shkatërron, por e rizgjon botën. Fjala e Kryqit, që e dëshmon Pali, zgjon ndërgjegjen e dinjitetin e çdo njeriu.

Të dashur vëllezër e motra, të shpresosh do të thotë të dëshmosh: të dëshmosh se gjithçka ka ndryshuar tashmë, se asgjë nuk është siç ishte më parë.

Shembulli i Isidore Bakanjas

Ndërmjet dëshmitarëve të shpresës, Papa veçoi të Lumin Isidore Bakanja, mbrojtësin e laikëve të Kongos. Një i ri që, i lindur në vitin 1885, kur Republika Demokratike e sotme ishte koloni belge, nuk kishte mundësi të studionte, sepse në qytetin e tij nuk kishte shkolla. Ai takoi "misionarët katolikë, murgjit trapistë" dhe, duke dëgjuar mësimet e tyre, rroku Krishterimin. Murgjit "i folën për Jezusin dhe ai pranoi të ndiqte udhëzimet e krishtera dhe të merrte Pagëzimin", tregon Papa, duke shtuar se "që nga ai çast, dëshmia e tij u bë gjithnjë e më rrezatuese".

Të shpresosh do të thotë të dëshmosh: kur dëshmojmë për jetën e re, drita rritet edhe mes vështirësive.

Dëshmia e Kishave të reja

Këtë e jetoi Isidori që, edhe duke punuar "si punëtor ferme për një pronar evropian të paskrupullt", i cili nuk mund ta duronte "besimin dhe autenticitetin e tij" dhe "urrente Krishterimin" e "misionarët që mbronin popullin indigjen kundër abuzimeve të kolonizatorëve", e mbajti gjithnjë "rreth qafës skapolarin e Virgjërës Mari". Duroi "keqtrajtimin dhe torturat pa humbur shpresën", derisa vdiq "duke u deklaruar Etërve Trapistë se nuk po merrte me vete asnjë pakënaqësi" si dhe duke premtuar se do të lutej "edhe në jetën e përtejme" për ata që kishin përdorur dhunën kundër tij.

Kjo, motra dhe vëllezër të dashur, është fjala e Kryqit. Është fjalë e jetuar, e cila këputë zinxhirët e së keqes. Është një lloj i ri force, që i ngatërron krenarët dhe i rrëzon të fuqishmit nga fronet e tyre. Kështu, lind shpresa. Shumë herë Kishat e lashta të Veriut të botës e marrin këtë dëshmi nga Kishat e reja, dëshmi që i shtyn të ecin përpara.

08 nëntor 2025, 18:58

Audiencat e fundit

Lexo gjithçka >