Papa: Kardinali Duka “dëshmitar i patrembur i Ungjillit” në persekutim
R.SH. / Vatican
Një bari "i farkëtuar në fe dhe shpallës i patrembur i Ungjillit", i aftë për një "vepër të dendur baritore", të kryer me guxim "në periudhën e persekutimit, kur, i privuar nga liria, nuk u lëkund në besnikërinë e tij ndaj Krishtit e Kishës" dhe në udhëheqjen e popullit të Zotit, me zemër Ati "duke promovuar pajtimin, lirinë fetare dhe dialogun ndërmjet fesë dhe shoqërisë". Kështu Papa Leoni XIV, në një telegram drejtuar kryeipeshkvit metropolit të Pragës, Jan Graubner, kujtoi figurën dhe shërbimin ndaj Kishës të kardinalit Dominik Duka, kryeipeshkvit metropolit të nderit të kryeqytetit çek, i cili ndërroi jetë më 4 nëntor në moshën 82-vjeçare. Funerali do të mbahet më 15 nëntor në Katedralen e Pragës.
Një shërbesë e bazuar "në karizmën domenikane të së vërtetës dhe dashurisë"
Në mesazhin e tij, Papa shpreh afërsinë e tij me bashkësinë kishtare të Pragës, me bashkëvëllezërit e tij të urdhrit të predikuesve, me meshtarët, rregulltarët dhe besimtarët, të cilët e vlerësuan si bari nga viti 2010 deri në vitin 2022. Shërbesa ipeshkvore e Dukës, e kryer fillimisht në Hradec Králové nga viti 1998, qyteti i tij i lindjes, dhe më pas edhe në Litoměřice, si administrator apostolik, ishte "e bazuar në karizmën domenikane të së vërtetës dhe dashurisë – thekson Leoni XIV - siç na kujton edhe motoja e tij In spiritu veritatis" dhe "mbetet shembull i përkushtimit besnik ndaj misionit". Para se të japë bekimin e tij apostolik, Leoni XIV ia beson mëshirës hyjnore "shpirtin e këtij shërbëtori të mirë e bujar, duke u lutur që Zoti ta presë atë në gëzimin e mbretërisë së tij".
