Papa: kinemaja, gjuhë e paqes, nuk trembet nga përballimi me plagët e botës
R.SH. / Vatikan
Një "falënderim" i madh për kinemanë e mirë, që vë në lëvizje "shpresën", "nxit dinjitetin njerëzor", "nuk e shfrytëzon dhimbjen, por e shoqëron atë, e heton atë" dhe rrëfen "aventurën shpirtërore të qenies njerëzore". Një ftesë edhe për artin e shtatë, i cili po kremton 130-vjetorin, që të mbetet gjithmonë "vend takimi", "shtëpi për ata që kërkojnë kuptim" dhe "gjuhë paqeje", që vazhdon të na mahnisë dhe "të na tregojë qoftë edhe një fragment të vetëm të misterit të Zotit". Pa pasur "frikë nga përballimi me plagët e botës" dhe "misteri i brishtësisë", bëhet vend "ku njeriu mund të shikojë përsëri veten dhe fatin e vet", duke zbuluar edhe "bukurinë e erës, që lëkund pemët". E gjithë kjo dhe shumë më tepër përmbahet në fjalimin e Papës Leoni XIV drejtuar më shumë se 160 përfaqësuesve të botës së kinemasë, të cilët u takuan sot në Sallën Klementine në Vatikan.
Kinemaja ndihmon për t’i parë me sy të rinj përvojat
Papa Prevost, i cili kishte kujtuar në një video dashurinë e tij për filma si "Jeta është e bukur" dhe "Tingujt e Muzikës", theksoi se ky art "i ri, ëndërrimtar dhe disi i shqetësuar" nuk është vetëm "lojë drite dhe hijeje, për të argëtuar dhe për të bërë përshtypje", siç mund të jetë dukur në kohën e vëllezërve Lumière, por është bërë "shprehje e dëshirës për ta soditur dhe për ta kuptuar jetën, për të rrëfyer madhështinë dhe brishtësinë e saj, për të interpretuar dëshirën e saj për të pafundmen". Leoni XIV falënderoi, më pas, kinemanë për të qenë "art popullor në kuptimin më fisnik, i lindur për të gjithë e që u flet të gjithëve", dhe për kombinimin e argëtimit "me rrëfimin e aventurës shpirtërore të qenies njerëzore". Kjo është arsyeja pse "feneri magjik" nuk është "thjesht fotografi lëvizëse: ai e vë shpresën në lëvizje".
Një nga kontributet më të vlefshme të kinemasë është pikërisht ai i ndihmës së shikuesit për t'u rikthyer te vetja, për të parë kompleksitetin e përvojës me sy të rinj, për ta parë botën si për herë të parë dhe për të rizbuluar, në këtë ushtrim, një pjesë të asaj shprese pa të cilën ekzistenca jonë nuk është e përmbushur.
Institucionet ta mbrojnë vlerën e sallave kinematografike
Leoni XIV u kujtoi regjisorëve dhe aktorëve se me veprat e tyre angazhohen "me ata që kërkojnë lehtësi, por edhe me ata që kanë shqetësim ndër zemra, kanë kërkim për kuptim, drejtësi e bukuri". Edhe për ata që jetojnë "me ekrane dixhitale gjithmonë të ndezura", kinemaja është "shumë më tepër sesa një ekran i thjeshtë: është udhëkryq dëshirash, kujtimesh dhe pyetjesh". Kjo i bën kinematë dhe teatrot "zemra që rrahin territoreve tona", hapësira kulturore që kontribuojnë në humanizimin e tyre. Megjithatë, këto hapësira janë në rrezik - shprehu keqardhjen Papa - për shkak të mbylljes së shumë kinemave. Për këtë arsye, u kërkon institucioneve të vazhdojnë të pohojnë "vlerën sociale dhe kulturore të këtyre aktiviteteve". Këto fjalë u përshëndeten me një duartrokitje të gjatë dhe të ngrohtë. Pasuar nga qëndrimi i Papës kundër "logjikës së algoritmit", dhe kërkesa drejtuar botës së kinemasë për të mbrojtur "ngadalësinë, kur është e nevojshme, heshtjen kur flet, ndryshimin kur provokon":
Bukuria nuk është vetëm arratisje, por mbi të gjitha, thirrje. Kinemaja, kur është autentike, nuk është vetëm ngushëllim: ajo sfidon. Ajo vë në pah pyetjet që banojnë brenda nesh e, ndonjëherë, edhe lotët që nuk e dinim se duhej t’i shprehnim.
Një shtegtim, në misterin e përvojës njerëzore
Në vitin e Jubileut të Shpresës, vazhdoi Papa Leoni XIV, regjisorët, aktorët dhe krijuesit e filmave janë në lëvizje si shtegtarë të imagjinatës, kërkues të kuptimit, rrëfyes të shpresës, lajmëtarë të njerëzimit.
Është shtegtim në misterin e përvojës njerëzore që ju e përshkoni me një vështrim depërtues, të aftë për të njohur bukurinë edhe në palosjet e dhimbjes e në shpresën brenda tragjedive të dhunës dhe të luftërave.
Papa më pas kujtoi se Kisha e sheh botën e kinemasë me respekt, duke cituar fjalët e Shën Palit VI drejtuar artistëve:
"Nëse jeni miq të artit të vërtetë, ju jeni miqtë tanë" dhe "kjo botë në të cilën jetojmë ka nevojë për bukuri që të shmangë zhytjen në dëshpërim".
Unë dëshiroj ta ripërtërij këtë miqësi, sepse kinemaja është laborator shprese, vend ku njeriu mund të kthehet për të parë veten dhe fatin e tij.
Leoni XIV u beson më pas fjalëve të regjisorit dhe prodhuesit të madh amerikan David W. Griffith: "Ajo që i mungon kinemasë moderne është bukuria, bukuria e erës që lëviz pemët".
Këto fjalë na sjellin ndërmend ato të Ungjillit të Gjonit: "Era fryn ku të dojë dhe ti e dëgjon zhurmën e saj, por nuk e di nga vjen e as ku shkon: kështu është kushdo që lind nga Fryma". Prej këndej, ftesa është ta bëjmë "kinemanë art të Shpirtit".
Në një epokë që "ka nevojë për dëshmitarë të shpresës, bukurisë dhe të së vërtetës", vazhdoi Papa Leoni XIV, "ju, me veprën tuaj artistike, mund të jeni ata ".
Rifitimi i autenticitetit të figurës për të shpëtuar dhe për të nxitur dinjitetin njerëzor, qëndron në fuqinë e kinemasë së mirë dhe krijuesve e protagonistëve të saj. Mos kini frikë të ballafaqoheni me plagët e botës!
Plagë të tilla si dhuna, varfëria, mërgimi, vetmia, varësitë dhe luftërat e harruara "kërkojnë të shihen dhe të tregohen. Kinemaja e madhe nuk e shfrytëzon dhimbjen: e shoqëron atë, e heton". Siç kanë bërë regjisorët e mëdhenj, duke i dhënë zë, me dashuri, "ndjenjave komplekse, kontradiktore dhe nganjëherë të errëta, që banojnë në zemrën e qenies njerëzore".
Arti nuk duhet t'i shpëtojë misterit të brishtësisë: duhet ta dëgjojë atë, duhet të jetë në gjendje të ndalet para tij. Kinemaja, pa qenë didaktike, zotëron brenda vetes, në format e saj autentikisht artistike, aftësinë për të edukuar shikimin.
Së fundmi, Papa Leoni XIV na kujton se një film është "akt komunal" dhe "vepër korale" dhe, për këtë arsye, do të ishte i pamundur pa "përkushtimin e heshtur" të qindra profesionistëve të tjerë, nga asistentët - te inxhinierët e zërit, nga artistët e grimit - te drejtorët e fotografisë dhe të muzikës.
Këto fjalë u pritën gjithashtu me duartrokitje të zgjatura:
Kinemaja juaj le të mbetet gjithmonë vend takimi, shtëpi për ata që kërkojnë një kuptim, një gjuhë paqeje. Le të mos e humbasë kurrë aftësinë për të mahnitur, duke vazhduar të na tregojë edhe një fragment të vetëm të misterit të Zotit.
Lutja e fundit ishte që Zoti t'i shoqërojë gjithmonë të gjithë ata që punojnë në botën e kinemasë - kujtoi Papa - "në shtegtimin e tyre krijues, në mënyrë që të jenë artizanë të shpresës". Në fund të fjalës së tij, Papa i përshëndeti një nga një gjithë të pranishmit.
