Kërko

2023.05.08 Beata Vergine del Santo Rosario di Pompei

Papa: Kisha e Pompeit, fortesë e paqës, që duhet mbrojtur

Në letrën drejtuar Kardinalit Pietro Parolin, Legat Papnor për kremtimet me rastin e 150-vjetorit të arritjes së figures të Zojës Rruzare, Papa Leoni XIV na fton ta gjallërojmë "shpirtin kristologjik dhe kundrues të Rruzares" duke ndjekur shembullin e Shën Bartolo Longos, shpallur shenjt më 19 tetorin e kaluar.

R.SH. / Vatikan

Dashuria e zellshme Marisë, nga shtëpia e Nazaretit - deri në Kalvar, "vazhdon e, si të thuash, zgjatet 'në kujdesin e saj për të përvuajturit, të varfrit, të ligshtit, në angazhimin e saj të vazhdueshëm për paqen dhe harmoninë shoqërore'".

Ky është një fragment nga Letra, në latinisht, shkruar nga Papa, me datën 7 tetor, Festa e Zojës Rruzare, drejtuar Kardinalit Pietro Parolin, Sekretar i Shtetit të Vatikanit, i cili më 12 shtator Leoni XIV e emëroi Legat Papnor për kremtimet e 13 nëntorit në Shenjtëroren e Pompeit. Kremtime, që festohen me rastin e 150-vjetorit të mbërritjes së ikonës së Zojës Rruzare.

Në tekst, Papa Loni XIV kujton atë ngjarje të 13 nëntorit 1875, në Luginën e asokohshme "të pangushëlluar", e quajtur kështu për shkak të gjendjes së braktisjes dhe shkretimit që kishte ndodhur në zonën ku Bartolo Longo, themeluesi i Shenjtërores së Pompeit, kishte mbërritur disa vjet më parë. Festimet e këtij viti bien pothuajse një muaj pas kanonizimit të "bamirësit të njerëzimit", siç e përshkroi Papa në predikimin e tij në Meshë, më 19 tetor. Që nga ajo ditë nëntori, 150 vjet më parë, lidhja e Virgjërës Mari me besimtarët është unike "falë veprës së dashur të shenjtit të ri, Bartolo Longo, atyre fillimeve, në dukje të përulura", shkruan Papa, "që mbanin në prehër vendlindjen e veprave të mëdha të bamirësisë, që janë para syve të të gjithëve".

“Duke u bërë fortesa supreme e asaj Paqeje, që duhet të fitohet dhe të mbrohet vazhdimisht, mësuam - shkruhet në tekst, se Tempulli i shkëlqyer i Luginës së Pompeit po përgatitet me  frymë mirënjohjeje, për ta ripërtërirë përkujtimin e 150-vjetorit të mbërritjes së figurës së Zojës së Bekuar”. Për këtë arsye, pas kërkesës së Imzot Tommaso Caputo, Kryeipeshkëv-Prelat i Pompeit dhe Delegat Papnor për Shenjtëroren e së Lumes Mari Virgjër, Zojës së Rruzares Shenjte, Papa zgjodhi të dërgonte Kardinalin Parolin.

Detyrat e tij përfshijnë kryesimin e Kremtimit eukaristik, bekimin e besimtarëve dhe të mysafirëve për vepra bamirësie, “nxitjen e tyre për të zhvilluar, në këtë Tempull të besimit dhe të bamirësisë, të ndërtuar falë përpjekjeve të kaq shumë njerëzve”, shkruan Papa Leo, “shpirtin kristologjik dhe kundrues të Rruzares, sipas impulsit të nxitur kohëve të fundit nga Shën Bartolomeu dhe i nxitur nga Paraardhësi ynë Leoni XIII, Papa i Rruzares”.

09 nëntor 2025, 15:29