Papa: komunikimi duhet të çlirohet nga modat dhe polemikat
R.SH. / Vatikan
E vërteta dhe komunikimi: shoqërues shtegtimi, në udhëtimin e njerëzimit, sot humbur në "vrullin e modës" dhe në zhurmën e polemikave që nuk e dinë më çfarë është të dëgjuarit. Në një botë ku fjalët mbivendosen si valë, një "mbingarkesë informacioni" errëson kuptimin dhe vetëdijen, duke krijuar një "dehumanizim" të heshtur. Ne mësohemi me manipulimin si zhurmë në sfond, të shpërqendruar nga monotonia e motos gri "biznesi është biznes".
Megjithatë, komunikimi nuk është shkëmbim i të dhënave, por përpjekje e vazhdueshme për t’u siguruar që "gjërat e reja" të bëhen dhuratë për ata që lihen skutash ose i nënshtrohen "logjikës së pushtetit". Këto janë disa nga pikat që Papa Leoni XIV trajtoi sot, 7 nëntor, në fjalimin e tij drejtuar anëtarëve të Bordit Këshillimor të Akademisë RCS - institucion i arsimit të lartë i specializuar në gazetari, ekonomi, komunikim dhe biznes – i pritur në audiencë në Sallën Klementine të Pallatit Apostolik të Vatikanit.
Humanizëm i ri, në epokën dixhitale
Papa, duke kujtuar se pjesëmarrësit mblidhen këto ditë për të diskutuar mundësinë e një "humanizmi të ri në epokën dixhitale", bëri një inkurajim të veçantë për të korrur përfitimet e një diskutimi të frytshëm mbi marrëdhënien ndërmjet etikës dhe Inteligjencës Artificiale, dhe për të shpjeguar sesi komunikimi mund t'u shërbejë njerëzve, duke mos u bërë "sistem algoritmesh që riprodhojnë pafundësisht, pa asnjë ndërgjegje apo vetëdije, arsyetimin tonë, duke e transformuar atë në të dhëna të thjeshta".
Edukimi për Mjedise Teknologjike
"Sfida arsimore" e Akademisë RCS është pjesë e një vizioni më të gjerë të arsimit që, sipas Papës, e bën dinjitetin njerëzor aktiv dhe transformues, duke nxitur "qytetarinë lokale dhe globale" autentike dhe duke inkurajuar parimet e pjesëmarrjes, solidaritetit dhe lirisë.
Për këtë arsye, edukimi në mjediset dixhitale dhe në një marrëdhënie kritike me inteligjencën artificiale është themelor dhe nuk duhet të ndahet nga zhvillimi integral i individëve dhe bashkësive.
Tepricat dhe zbraztësitë
Këto janë çështje komplekse, por themelore për të parandaluar që nga teprica e informacionit të lindë "boshllëku paradoksal i dijes", duke nxitur forma të dehumanizimit dhe manipulimit që, në mënyrë delikate, "e paraqesin shfrytëzimin si kujdes, e gënjeshtrat si të vërteta".
Të njihen logjikat pas mesazheve
Prandaj, detyra e komunikuesit është e dyfishtë: të informojë në mënyrë të përgjegjshme dhe, në të njëjtën kohë, ta ndihmojë publikun të vlerësojë në mënyrë kritike lajmet, duke dalluar faktet nga opinionet dhe duke injoruar lajmet e rreme.
T’i njohësh dhe t’i bësh të arritshme logjikat që lindin mesazhe, është themelore për të vepruar me ndërgjegje dhe përgjegjësi në diskursin publik në tërësi. Korporatat e mëdha luajnë një rol vendimtar në këto procese, jo vetëm si patronë kulturorë, por edhe si aktorë të vijës së parë.
Jo ndaj shprehjes "biznesi është biznes"
Megjithatë, paralajmëron Leoni XIV, është e rrezikshme ta lejojmë veten të kapërdihemi nga logjika, që thotë "biznesi është biznes", ose të thithemi nga një organizatë "deri në atë pikë, sa të bëhemi ingranazh ose funksion i thjeshtë". Humanizmi i vërtetë, vazhdon Papa, lind nga të menduarit kritik, nga "ripërsëritja e vazhdueshme", nga pyetjet, që shqyrtojnë kuptimin e veprimeve tona:
Ku po shkojmë? Për kë dhe për çka po punojmë? Si po e bëjmë botën më të mirë? Reflektime të tilla kërkojnë guxim dhe largpamësi, sepse nuk ka të ardhme pa drejtësi.
Komunikimi dhe e vërteta
Ekonomia e komunikimit dhe ekonomia e së vërtetës, pra, sipas Papës, kanë një fat të përbashkët. Në të vërtetë, "e drejta për shtetësi" arrihet përmes çelësave të shumtë: transparenca e burimeve dhe pronësia, llogaridhënia, cilësia, qartësia dhe objektiviteti. Të pohosh këto parime vetëm formalisht, do të ishte si të hapje një plagë në shoqërinë njerëzore dhe t’i tradhtoje, siç e pohoi vetë Papa, anëtarët e saj më të ligshtë a më të braktisur.
Duke perceptuar "rëndësinë e plotë të fjalëve"
Në fjalimin e tij, Leoni XIV kujtoi më pas letrën që Papa Françesku i shkroi nga shtrati i spitalit Luciano Fontanës, redaktorit të Corriere della Sera, duke e rekomanduar që ta ndiejmë dhe ta perceptojmë "rëndësinë e plotë të fjalëve". Ato tejkalojnë natyrën e tyre, duke u bërë "fakte, që ndërtojnë mjedise njerëzore".
Mund të lidhin ose të zgjidhin, t'i shërbejnë të vërtetës ose ta shfrytëzojnë atë. Ne duhet t'i çarmatosim fjalët, të çarmatosim mendjet dhe të çarmatosim Tokën. Ekziston një nevojë e madhe për reflektim, për qetësi, për një ndjenjë kompleksiteti.
Krijimtaria e vizioni
Fjalë që tingëllojnë më të rëndësishme se kurrë, duke bërë thirrje për përgjegjësi dhe ndershmëri në përmbushjen e roleve të dikujt, për të ndërtuar së bashku "informacionin e së ardhmes". Ndërmarrje e vërtetë, që kërkon aftësi krijuese dhe vizion, horizonte largpamëse dhe ndërtimtare, të afta për të çliruar komunikimin nga "vrulli i modës", "përpjestimi i interesave" dhe "polemikat" që pengojnë dëgjimin.
"Gjërat e reja" me të cilat duhet të ndeshemi kërkojnë mendim të ri dhe perspektiva të reja, të afta për të angazhuar ata që janë të përjashtuar ose të shfrytëzuar nga logjika e pushtetit. Kjo është sfida për ata që përhapin lajme.
Përtej përfitimeve të menjëhershme
Leoni XIV e përfundoi fjalimin duke përsëritur nevojën për sipërmarrës dhe komunikues "të ndershëm dhe të guximshëm", të aftë të kujdesen për të mirën e përbashkët. Ndërgjegjësimi për rolin e dikujt, paralajmëron ai, duhet të jetë nxitje për të parë përtej "përfitimeve të menjëhershme" që, në realitet, e varfërojnë të ardhmen.
Ungjilli i Krishtit, i cili mbetet gjithnjë lajm i mirë për botën, ju frymëzoftë gjithmonë në udhën tuaj.
Po kujtojmë se RCS (Shërbimet e Komunikimit të Pasur) është kanali i komunikimit i caktuar për bisedat biznes-konsumator. Protokolli RCS lejon ofrimin e përmbajtjes së pasur mediatike me shkallë të lartë angazhimi direkt në aplikacionin Mesazhe në telefonin Android të klientit, dhe deri në vitin 2024, me publikimin e iOS 18, edhe në pajisjet Apple
