Papa Leoni viziton Xhaminë Blu, një nga më të rëndësishmet në Stamboll
R.SH. / Vatikan
Duke filluar ditën e tij të tretë në Turqi, në Udhëtimin e tij të parë Apostolik jashtë vendit, Papa Leoni XIV vizitoi Xhaminë Sulltan Ahmed, e njohur edhe si "Xhamia Blu". "Papa e përjetoi vizitën në Xhami në heshtje, me një përqendrim shpirtëror dheme respekt të thellë për vendin dhe për besimin e atyre që mblidhen në këtë vend në lutje", sipas Zyrës së Shtypit të Selisë së Shenjtë.
Kujtojmë se Xhamia Blu që u vizitua nga Papa, quhet kështu sepse muret e saj janë të veshura me 21.000 pllaka qeramike nga Izniku të pikturuara me motive floreale, në të cilat sundon ngjyra blu. Një nga më të rëndësishmet në Stamboll, Xhamia Blu, e ndërtuar pranë Kishës së Shën Sofisë nga sulltani Ahmeti I në vitin 1617, në një pjesë të vendit të Pallatit të Madh të Kostandinopojës, është një kryevepër elegance e harmonie. Kjo Xhami të bëhej vendi më i rëndësishëm i kultit në Perandorinë Osmane. Tetë vëllime, që tani ruhen në Bibliotekën Topkapi, dokumentojnë ndërtimin e Xhamisë.
Papa Leoni bëhet kështu Papa i tretë që viziton Xhaminë Blu, duke ndjekur gjurmët e paraardhësve të tij Françeskut (në vitin 2014) dhe Benediktit XVI (në vitin 2006). Vizita e Benediktit ishte hera e dytë në histori që një Papë vizitonte një Xhami, pas vizitës historike të Gjon Palit II në Xhaminë Umajad në Damask gjatë Udhëtimit të tij Apostolik në Siri në vitin 2001.
Papa Leoni sot gjatë gjithë ditës ka në program takime dhe vizita të ndryshme . Pas vizitës në Xhaminë Blu, Ati i Shenjtë do të zhvillojë një takim privat me udhëheqësit e Kishave lokale dhe komuniteteve të krishtera në Kishën Ortodokse Siriane të Mor Efremit. Më pas, në Kishën Patriarkale të Shën Gjergjit, Ati i Shenjtë Leoni XIV do të marrë pjesë në Doksologji së bashku me Patriarkun Ekumenik Bartolomeu I të Konstandinopojës.
