Kërko

Papa Leoni XIV Papa Leoni XIV

Papa Leoni XIV: "Nuk mund të tolerojmë më padrejtësitë strukturore"

Tekst i pabotuar i Papës në librin e tij të ri të botuar nga Libreria Editrice Vaticana me titull "Forca e Ungjillit. Feja e krishterë në 10 fjalë", një antologji e ndërhyrjeve dhe fjalimeve të Leonit XIV e organizuar rreth fjalëve kyçe të krishterimit. "Dëshira për bashkim, njohja e njëri-tjetrit si vëllezër, është antidot ndaj çdo ekstremizmi", shkruan Papa në vëllimin, që del më 20 nëntor, i cili do të prezantohet në disa qytete italiane.

R.SH. / Vatikan

"Nuk mund të tolerojmë më padrejtësitë strukturore për të cilat kush ka më shumë, ka gjithmonë më shumë, dhe anasjelltas kush ka më pak, bëhet gjithnjë e më i varfër". Kështu shkruan Papa Leoni XIV në Hyrjen e pabotuar të librit të tij të ri Forca e Ungjillit. Besimi i krishterë në 10 fjalë, i cili do të botohet më 20 nëntor në gjuhën italiane nga Libreria Editrice Vaticana.

Njohja si vëllezër

Libri, i redaktuar nga Lorenzo Fazzini, përgjegjës editorial i Libreria Editrice Vaticana, është një antologji e ndërhyrjeve dhe fjalimeve të Leonit XIV e organizuar rreth 10 fjalëve kyçe të krishterimit, të paraqitura me këtë rend: Krishti, zemra, Kisha, misioni, bashkimi, paqja, të varfrit, brishtësia, drejtësia, shpresa. Në Hyrjen e tij, Leoni XIV, duke parë situatën e botës bashkëkohore, thekson se: "Urrejtja dhe dhuna rrezikojnë, si një plan i pjerrët, të përmbyten derisa mjerimi të përhapet midis popujve." Përballë kësaj, Papa Prevost identifikon një ilaç të mundshëm: "Pikërisht dëshira për bashkim, njohja e njëri-tjetrit si vëllezër, është antidoti ndaj çdo ekstremizëm".

Prezantimet e vëllimit në Itali

Libri Forca e Ungjillitdo të jetë objekt i disa takimeve publike në ditët në vijim në qytete të ndryshme italiane me iniciativën e Libreria Editrice Vaticana dhe të disa realiteteve kishtare dhe kulturore. Këto janë datat: 21 nëntor Vicenza dhe Cremona; 25 nëntor Trento; 1 dhjetor Verona; 5 dhjetor Genova; 15 dhjetor Cagliari. Përveç prezantimit të librit Forca e Ungjillit, në këto raste do të shfaqen dokumentarët León de Perù dhe i fundit Leo from Chicago, prodhuar nga Dikasteri i Vatikanit për Komunikimin, kushtuar periudhës misionare të Prevost në Peru dhe rrënjëve të tij amerikane.

13 nëntor 2025, 16:07