Papa Leoni XIV: "para se të jesh për të tjerët, të jesh me të tjerët"
R.SH. / Vatikan
Leoi XIV, sot në ditën e tij të dytë në Turqi, vizitoi strehën e Motrave të Vogla të të Varfërve, gra rregulltare që i janë përkushtuar shërbimit bamirës ndaj të tjerëve tashmë më shumë se njëqind vjet. Papa u prit në hyrje të Shtëpisë së Pritjes nga Nëna Eprore, nga ish-Eprorja dhe Provincialia e Bashkësisë. Hynë të gjithë në Kapelën e institutit, ku ishin të pranishëm punonjësit, të asistuarit dhe bamirësit e Shtëpisë. Fjalët e përshëndetjes drejtuar Papës iu besuan Drejtoreshës:
"Atë i Shenjtë, me gëzim dhe mirënjohje të pamasë ju mirëpresim në shtëpinë tonë të përvujtë. Jemi shumë mirënjohës ndaj Zotit për këtë privilegj që na u dhurua! Në emër të Eprores, Nënës së përgjithshme dhe të gjitha Motrave të Vogla të të Varfërve, që shërbejnë në mbarë botën, ju sigurojmë për dashurinë tonë të thellë dhe lutjet tona të përditshme kushtuar qëllimeve tuaja". E është i madh gëzimi i të gjithëve për këtë vizitë: e falënderojmë Papën "që e përfshiu edhe këtë vizitë tek të moshuarit në programin e tij. Duke vepruar kështu, Ati i Shenjtë nënvizon rëndësinë e vërtetë të kujdesit për të moshuarit në botën e sotme" – kujtoi Drejtoresha.
Papa Leinu XIV, atëhere, u drejtoi të pranishmëve disa fjalë në anglisht: "Ju falënderoj nga zemra për fjalët tuaja të mirëseardhjes dhe për mikpritjen tuaj. Mikpritja është dhurata e kësaj shtëpie! Një dhuratë që vjen nga Zoti dhe bëhet e frytshme nga Motrat e Vogla të të Varfërve, punonjësit e bamirësit, si dhe nga të gjithë mysafirët, në jetën e tyre të përditshme së bashku. Faleminderit të gjithëve!".
Gëzimi i Papës është i dukshëm, i prekshëm, i gjallë. E para se të largohej nga shtëpia, Papa Leoni XIV deshi të linte "dy reflektime të thjeshta". I pari, i frymëzuar nga emri i motrave rregulltare:
"Ju quheni 'Motrat e Vogla të të Varfërve'. Një emër i bukur, që ju bën të mendoni! Po, Zoti nuk ju ftoi thjesht për t’i ndihmuar a për t’i asistuar të varfrit. Ju thirri të jeni 'motrat' e tyre! Ashtu si Jezusi, të cilin Ati na e dërgoi jo vetëm për të na ndihmuar dhe për të na shërbyer, por për të qenë vëllai ynë". Për Papën Leoni, ky është sekreti i dashurisë bamirëse të krishterë: "Para se të jeni për të tjerët, jini me të tjerët, me një bashkëndarje të bazuar në vëllazëri".
Papa kaloi më pas në reflektimin e dytë:
"Ju jeni të moshuar. Dhe kjo fjalë, 'të moshuar', sot rrezikon ta humbasë kuptimin e saj më të vërtetë: në shumë kontekste shoqërore, ku dominojnë efikasiteti dhe materializmi, ndjenja e respektit për të moshuarit ka humbur”. Në vend të saj, Shkrimi Shenjt dhe traditat e mira na mësojnë se - siç i pëlqente Papës Françesku ta përsëriste - të moshuarit janë urtia e një populli, pasuri për nipërit e mbesat e tyre, për familjet e tyre, për shoqërinë në tërësi!".
Vizita e Papës në strehën e Motrave të Vogla të të Varfërve, përfundoi me lutjen e 'Të falemi Mari' në anglisht. Së fundi, Papa Leoni XIV u dha të pranishmëve bekimin apostolik. Pastaj shkroi dhe nënshkroi një mesazh në Librin e Nderit:
"E bekoj ngrohtësisht këtë shtëpi me të gjithë banorët e saj dhe, në mënyrë të veçantë, Motrat e Vogla të të Varfërve për shërbimin e tyre këtu dhe dëshminë e tyre për të gjithë. Me bekimin tim Apostolik".
Pastaj, shkëmbimi i dhuratave. Papa dhuroi një ikonë të Zojës Mari të Iverskajës. Ndërmjet ikonave që ekzistonin në qytetin e Nikesë gjatë Koncilit, ishte një që tradicionalisht nderohej si vepër e Shën Lukës Ungjilltar. I përkiste një familjeje pikturash, të quajtura Hodegetria - që në greqisht do të thotë “Ajo që tregon rrugën” - të cilat e paraqesin Marinë duke treguar Krishtin Fëmijë me dorën e djathtë, ndërsa e mban atë në krahun e majtë.
