Papa motrave rregulltare: vazhdoni t’i përkushtoheni bamirësisë
R.SH. – Vatikan
Asnjë nga themeluesit e Motrave të Jezus-Marisë dhe të Motrave Misionare të Shën Karl Borromeo, "nuk u tërhoq, as nuk u dekurajua dhe sekreti i një besnikërie kaq të madhe duhet kërkuar pikërisht në takimin me Jezusin e Ngjallur". Në gjurmët e tyre, mos "kini frikë të braktisni siguritë e tuaja, duke u aventuruar, nëse Zoti e kërkon, në shtigje të reja" dhe, mbi të gjitha, "vazhdoni me guxim dhe këmbëngulje të shpenzoni veten në bamirësi". Në përshëndetjen drejtuar pjesëmarrësve në kapitujt e përgjithshëm të dy kongregatave rregulltare - gjithsej rreth njëqind -, gjatë audiencës së sotme 6 nëntor, në Sallën Klementine në Vatikan, Papa Leoni XIV i ftoi motrat rregulltare të shikonin Parimin e tyre, atë "besnikëri" nga ku "gjithçka filloi", shkëndija e themelimit të instituteve të tyre. "Nga aty fillohet dhe nga aty riniset, kur është e nevojshme", tha Papa.
Kapitujt e përgjithshëm
Të dy kongregatat rregulltare, theksoi Papa, lindën “edhe pse në rrethana të ndryshme, nga e njëjta dashuri për të varfrit”, “ndaj të rejave në vështirësi” dhe migrantëve. Motrat Rregulltare të Jezus-Marisë janë një kongregatë e së drejtës papnore dhe e spiritualitetit ignacian, themeluar nga Shën Klaudina Thévenet në Lion, Francë, më 6 tetor 1818. Që nga 15 tetori i kaluar, ato janë të angazhuara, në Romë, pranë Shtëpisë së Përgjithshme në via Nomentana, në punimet e Kapitullit të tyre të 38-të të përgjithshëm me temën “Ku të shkosh ti, do të vij edhe unë” (Rut, 1,16). Motrat Misionare të Shën Karl Borromeut, të njohura edhe si motrat Skalabriniane, u themeluan në vitin 1895 nga Shën Gjon Battista Scalabrini, nga e Lumja Assunta Marchetti (1871 –1948) dhe nga i Nderuari Don Giuseppe Marchetti (1869-1896). Nga 16 tetori deri më 9 nëntor 2025, në Rocca di Papa, pranë Romës, ato janë duke mbajtur Kapitullin e tyre të 15-të të përgjithshëm të frymëzuar nga vargu biblik “Vetë Jezusi iu afrua” (Lk 24,15)..
Nisma e Zotit dhe përgjigja e njeriut
Dhe pikërisht duke u nisur nga ndërlidhja e temave dhe e përmbajtjeve të përshtatshme
në qendër të dy kapitujve të përgjithshëm të Kongregatave rregulltare, u zhvillua reflektimi i Papa Leonit në fjalimin e tij. Në Ungjillin e Lukës, Zoti merr iniciativën, shpjegoi Ipeshkvi i Romës: "Jezusi u bashkohet dishepujve të Emausit dhe ecën me ta, për t'i bërë ata ta njohin Atë në thyerjen e bukës dhe t'i bëjë ata apostuj të Ringjalljes së Tij". Ndërsa në librin e Rutit, në Besëlidhjen e Vjetër, është gruaja ajo që merr përgjegjësinë e një zgjedhjeje bamirësie: "Vajza e re moabite – argumentoi Papa – edhe pse mund ta bënte, nuk e braktis vjehrrën e vjetër Naomi, e cila kishte mbetur vetëm, por e ndjek atë në tokë të huaj, për ta ndihmuar deri në fund".
Jezusi në qendër
Më pas Papa shtoi sugjerime të çmuara se si të përballohet një Kapitull i Përgjithshëm, një moment në të cilin "Jezusi ju bashkohet dhe ecën me ju për t'ju ndihmuar të rilexoni, në dritën e Pashkëve të Tij, historinë tuaj". Leoni XIV nxiti motrat rregulltare ta vendosin Jezusi në qendër, duke i dhënë "shumë hapësirë lutjes dhe heshtjes" sepse "ndriçimet më të mira dhe më të rëndësishme merren në gjunjë", domethënë duke u lutur "para Tabernakullit të Shenjtnueshmit Sakrament të Eukaristisë dhe në dëgjimin e Fjalës së Zotit". Vetëm kështu, shtoi Papa duke cituar fjalët e Papa Françeskut të lutjes së Engjëllit të Zotit të 26 tetorit 2014, "bëhesh gjithnjë e më i aftë të 'kërkosh fytyrën e Zotit te vëllai dhe motra në nevojë'". Madje, të shohësh te tjetri "një epifani të pranisë hyjnore", tha akoma Leoni XIV, duke cituar këtë herë Shën Gjon Pali II në homelinë për kanonizimin e Claudine Thévenet dhe Teresa de Jesús de Los Andes më 21 mars 1993.
