Papa në aeroplan drejt Turqisë: "Ky udhëtim është mesazh uniteti. Gjallërojmë paqen"
R.SH. / Vatikan
"Amerikanëve këtu, Gëzuar Ditën e Thanskiving! Është ditë e bukur për ta festuar dhe dua të filloj duke e falënderuar secilin prej jush për shërbimin që i ofroni Vatikanit, Selisë së Shenjtë dhe mua, por edhe të gjithë botës". Papa Leoni XIV buzëqesh ndërsa flet në mikrofon, anglisht, me 81 gazetarët, kameramanët dhe fotografët, afërsisht njëzet media ndërkombëtare që e shoqërojnë në udhëtimin e tij të parë apostolik. Papa rrin përpara perdes gri të Airbus 320neo të ITA Airways - nisur në orën 7:58 të mëngjesit - nga e cila mund të shihet, në vendin e parë, fugurja e Nënës së Këshillit të Mirë, figurë e dashur për bijtë e Shën Augustinit, ikona e së cilës mbahet në qytetin Genazzano të Lacios, ku Atë Robert Francis Prevost i sapozgjedhur Papë shtgetoi dy ditë pas Konklavit.
Toni i zërit të Papës është i sigurt, por fytyra ia tradhton emocionin. Për të, që si Epror i Përgjithshëm i Augustinianëve ka bërë mbi 50 shtegtime nëpër botë, kjo është hera e parë si Papë... Hera e tij e parë në Turqi (Türkiye) dhe në Liban; hera e parë që fluturon jashtë Vatikanit "si Papë". Fluturimi nga Roma vijon drejt Ankarasë, për t’u vijuar pastaj në mbrëmje, nga Ankara për në Stamboll, ndërsa nesër, në një ndalesë në Iznik për të kremtuar 1700-vjetorin e Koncilit të Nikesë me patriarkët dhe përfaqësuesit e Kishave të krishtera. Duke filluar nga 30 nëntori, Papa do të udhëtojë drejt Libanit, për të ngushëlluar një popullsi të plagosur nga lufta dhe kriza dhe për të kërkuar paqe urgjente në Lindjen e Mesme.
Paqe, mesazh për botën
"Paqe" - Papa e përsëriti këtë disa herë në përshëndetjen e tij për gazetarët, njëzet minuta pas nisjes. "Ky udhëtim në Turqi e në Liban ka, para së gjithash, kuptim uniteti, duke kremtuar 1700-vjetorin e Koncilit të Nikesë. Dhe e kam dëshiruar shumë këtë udhëtim për çka do t’u thotë gjithë të krishterëve, por është gjithashtu edhe mesazh i madh për mbarë botën. E, mbi të gjitha, prania ime, ajo e Kishës dhe e besimtarëve si në Turqi, ashtu edhe në Liban, shpresojmë se do të përcjellë dhe do të shpallë sa e rëndësishme është paqja në mbarë botën".
Një shtegtim, që është, pra, mesazh, por dhe ftesë "për të ecur së bashku e për të kërkuar gjithnjë e më shumë unitet, gjithnjë e më shumë harmoni dhe për të parë se si të gjithë burrat dhe gratë mund të jenë vërtet vëllezër e motra". Sepse, thekson Papa, "përtej dallimeve, përtej feve të ndryshme, besimeve të ndryshme, ne të gjithë jemi vëllezër e motra dhe shpresojmë ta përhapim paqen dhe unitetin në mbarë botën".
Zemra latino-amerikane e Papës
"Faleminderit që jeni këtu", vazhdon Papa Leoni, "faleminderit për shërbimin që do të ofroni këto ditë e faleminderit që jeni pjesë e këtij çasti historik". "Faleminderit" njëheresh me "mirë se vini", i tha pak më parë Papës Valentina Alarzraki, gazetare meksikane, dekane e të gjithë gazetarëve të akredikuar pranë Vatikanit me 163 udhëtime papnore në emrin e saj, që nga i pari, në vitin 1979 në Meksikë me Gjon Palin II. "Paraardhësit tuaj, Françeskut, i cili në Buenos Aires dukej se nuk i pëlqente gazetarët, i pata thënë që në udhëtimin e parë: mirë se vini në kafazin e luanëve! Tani jeni luani! Pra, mirë se vini!”
Gazetarja i dhuroi Papës një ikonë të Virgjërës së Guadalupës, në stilin bizantin: "Për një Papë nga Amerika e Veriut, por me zemër latino-amerikane".
León de Perú dhe Leo nga Çikago
Prej andej, filloi gjiroja e përshëndetjeve, vend më vend. Traditë e filluar nga paraardhësi i Leonit, Françesku, e tani, kohë për shaka, deklarata dhe komente të shkurtra, selfie, foto, kërkesa për bekime për veten e tij ose për miqtë dhe familjen. E, mbi të gjitha, një çast shkëmbimi dhuratash. E njëjta gjë po ndodh edhe me Papën Leoni. Dhurata të shumta nga gazetarët. E para, kolazhi i dyfishtë i fotove më domethënëse nga dokumentari León de Perú dhe Leo nga Çikago, të prodhuara në muajt e fundit nga Radio Vatikani - Vatican News. Njëra nga të dyja përmban edhe një foto, e cila u bë virale në mediat sociale: foto e një Prevosti shumë të ri, të veshur si Blues Brothers në vitet 1980, me rastin e publikimit të filmit kult të John Landis, xhiruar në Çikago. Papa e tregon me gisht atë dhe shpërthen në një të qeshur me gjithë zemër: "Ah, sa bukur!". Ai mbante gjithashtu një medalje të Shën Agustinit - këtë herë nga Doltoni, shtëpia e fëmijërisë së tij - për ta mbrojtur gjatë udhëtimit.
Për ta nderuar Papën e parë amerikan të historisë iu ofruan më pas torta dhe ëmbëlsira të tjera, veçanërisht byreku me kungull, pjatë tradicionale e falënderimeve.
