Papa në Bazilikën Santa Maria Maggiore për t'u lutur në varrin e Françeskut
R.SH. - Vatikan
Para se të shkonte në Castel Gandolfo, për ditën tashmë të zakonshme të pushimit javor, Papa Leoni XIV deshi të ndalej dje rreth orës 20:05 në Bazilikën romake Santa Maria Maggiore për t'u lutur para varrit të Papa Françeskut. Mbi mermer – ku gjithmonë ndodhet një trëndafil i bardhë, në kujtim të Shën Terezës, prani konstante në jetën e Jorge Mario Bergoglio – Papa Leoni XIV u gjunjëzua dhe vendosi një buqetë me trëndafila të bardhë. Një homazh, pra, për paraardhësin e varrosur midis Kapelës Sforza dhe Kapelës Paoline, ku ruhet ikona e Zoja Mari ‘Salus Populi Romani’, një shenjtërore mariane e vizituar aq shpesh nga Papa argjentinas, para dhe pas çdo udhëtimi të tij ndërkombëtar apo shtrimi në spital.
Para ikonës së Zojës Mari ‘Salus Populi Romani’, edhe Papa Leoni u ndal mbrëmë në lutje – siç informon Salla e Shtypit e Selisë së Shenjtë – për të lënë më pas bazilikën Santa Maria Maggiore rreth orës 20:15 dhe për të vazhduar rrugën drejt Castel Gandolfo.
