Papa: nevojiten politika që mbrojnë dinjitetin e të miturve në epokën e AI-së
R.SH. - Vatikan
Politika të përshtatshme dhe edukimi dixhital i të rriturve. Këta janë faktorët që Leoni XIV i konsideron thelbësorë për të garantuar që Inteligjenca Artificiale të jetë një aleat dhe jo një kërcënim. Udhëzime të ripohuara nga Papa në fjalimin e tij të mbajtur sot paradite në audiencë me pjesëmarrësit e konferencës "Dinjiteti i Fëmijëve dhe Adoleshentëve në Epokën e Inteligjencës Artificiale" që u zhvillua dje në Pallatin e Kancelarisë në Vatikan, organizuar nga Telefono Azzurro dhe Fondacioni Fëmijë për Studimin dhe Kërkimin në Fëmijëri dhe Adoleshencë.
Përditësimi i rregulloreve
Cenueshmëria e fëmijëve dhe adoleshentëve përballë manipulimit përmes algoritmeve të AI-së, të cilat mund të ndikojnë në vendimet dhe preferencat e tyre, duhet të merret në konsideratë maksimale, thekson Papa. Dhe e konsideron "vendimtare që prindërit dhe edukatorët të jenë të vetëdijshëm për këto dinamika". Prandaj shpreson që të zhvillohen mjete "për të monitoruar dhe kontrolluar ndërveprimet e të miturve me pajisjet teknologjike". Ati i Shenjtë thërret në veprim politikën në nivelin global:
Qeveritë dhe organizatat ndërkombëtare kanë përgjegjësinë të zhvillojnë dhe zbatojnë politika që mbrojnë dinjitetin e të miturve në epokën e Inteligjencës Artificiale. Kjo përfshin përditësimin e ligjeve ekzistuese për mbrojtjen e të dhënave, për t'iu përgjigjur sfidave të reja të paraqitura nga teknologjitë në zhvillim, dhe promovimin e standardeve etike për zhvillimin dhe përdorimin e AI-së.
Angazhim edukativ i përditshëm dhe i vazhdueshëm
Duke kujtuar atë që theksonte paraardhësi Françesku kur, me rastin e një Projekti Mbrojtjeje të promovuar nga tre realitete të rëndësishme të shoqatave katolike italiane, fliste për nevojën, nga ana e të rriturve, për të qenë besnikë ndaj asaj që ai e quante artizanati i edukimit, Papa Leoni nuk ndalet vetëm te theksimi i udhëzimeve etike, pasi rreziqet e "një qasjeje të hershme, pa kufij dhe verifikime" mund të dëmtojnë marrëdhëniet dhe zhvillimin e të rinjve. Është një hap i rëndësishëm në fakt hartimi dhe zbatimi i kodeve etike, por jo i mjaftueshëm. Nevojitet një punë edukative, e përditshme dhe e vazhdueshme, e kryer nga të rritur të formuar dhe të mbështetur nga rrjete aleancash edukative për të mbrojtur të miturit në epokën e Inteligjencës Artificiale.
