Kërko

Papa: në kohën tonë të mbushur me sfida, vendosni Krishtin në qendër

Mesha e kryesuar nga Leoni XIV sot pasdite, më 11 nëntor, në Romë, në Kishën e Shën Anselmit në Aventino me rastin e 125-vjetorit të kushtimit. Papa kujton se kjo Kishë qe ndërtuar me vullnetin Leonit XIII së bashku me Kolegjin Ndërkombëtar të bashkangjitur, për të forcuar praninë benediktine në Kishë dhe në botë. "Jemi të thirrur të kërkojmë" Jezusin dhe ta çojmë atë "tek të gjithë ata që takojmë, mirënjohës për dhuratat që na ka dhuruar" dhe për dashurinë me të cilën na ka paraprirë.

R.SH. / Vatikan

“Edhe në kohën tonë nuk mungojnë sfidat me të cilat duhet të përballemi. Ndryshimet e papritura që shohim na sfidojnë dhe na vënë në pikëpyetje, duke ngritur çështje të papara më parë". Kështu pohoi Papa Leoni XIV në homelinë e Meshës së kryesuar në Kishën e Shën Anselmit në lagjen romake Aventino, me rastin e 125-vjetorit të Kushtimit të Kishës së Etërve Benediktinë. Papa Prevost kujtoi vullnetin e Leonit XIII i cili e konsideronte Urdhrin e Benediktinëve "një ndihmë të madhe për të mirën e gjithë popullit të Zotit në një moment plot sfida, siç ishte kalimi nga shekulli XIX në shekullin XX".

Në fakt, theksoi Ati i Shenjtë Leoni XIV, " murgjëria që nga origjina ka qenë një realitet 'kufitar', që ka shtyrë burra dhe gra të guximshme të krijojnë vatra lutjeje, pune dhe bamirësie në vendet më të largëta dhe të vështira, shpesh duke transformuar zona të shkreta në toka pjellore dhe të pasura, nga pikëpamja bujqësore dhe ekonomike, por mbi të gjitha shpirtërore". Manastiri, kështu, është karakterizuar gjithnjë e më shumë si "vend rritjeje, paqeje, mikpritjeje dhe uniteti, edhe në periudhat më të errëta të historisë".

Kjo festë "na kujton se - shtoi Papa Prevost -, si Pjetri apostull, dhe së bashku me të Benedikti Abat dhe shumë të tjerë, edhe ne do të mund t'u përgjigjemi kërkesave të thirrjes së marrë nga Zoti vetëm duke e vendosur Krishtin në qendër të ekzistencës sonë dhe të misionit tonë, duke filluar nga ai akt besimi që na bën ta njohim Atë si Shpëtimtar dhe duke e mishëruar atë në lutje, në studim dhe në angazhimin e një jete të shenjtë".

Gjithçka fillon në vitin 1888 kur Papa Leoni XIII i beson Kryeipeshkvit të Katanias, murgut benediktin Giuseppe Benedetto Dusmet, detyrën për të rihapur kolegjin e lashtë Shën Anselmit. Kisha e Shën Anselmit në Romë u përfundua dhe u shenjtërua më 11 nëntor 1900. Sot, pas 125 vjetësh, Papa Leoni XIV, përballë shumë benediktinëve, kryeson Meshën më të rëndësishme në përvjetorin e Përkushtimit. Kujtojmë gjithashtu se që nga viti 1962 Kisha romake e Shën Anselmit është vendi nga ku nis procesioni pendestar i kryesuar nga Papa të Mërkurën e Përhirme, në fillim të Krezhmëve.

11 nëntor 2025, 18:32