Kërko

Papa Leoni XIV Papa Leoni XIV

Papa: parandaloni të gjitha format e abuzimit. Të miturit duhet të respektohen dhe të vlerësohen

Themeluar nga Papa Françesku në mars 2024, dorëzuan raporte mbi punën e bërë deri tani, duke nisur me përfundimin e Sinodit mbi Sinodalitetin. Raportet përfundimtare duhet t'i dorëzohen Leonit XIV më 31 dhjetor. Ndër temat e trajtuara janë misioni dixhital, roli i grave, ekumenizmi, poligamia, liturgjia, shërbesa e nuncëve dhe përzgjedhja e ipeshkvijve.

R.SH. / Vatikan

Tema, shkruan Ati i Shenjtë Prevost, “është shumë pranë zemrës sime": "Ndërtimi i komuniteteve ku dinjiteti i çdo personi, veçanërisht i të miturve dhe i më të ligshtëve, mbrohet dhe nxitet". Për këtë arsye "parandalimi i të gjitha formave të abuzimit". Papa Leoni XIV u dërgoi një mesazh të gjatë pjesëmarrësve në seminarin "Ndërtimi i komuniteteve që mbrojnë dinjitetin", i nxitur nga Komisioni Papnor për Mbrojtjen e të Miturve, i cili fillon sot në Romë dhe zgjat deri më 19 nëntor. Një nismë, që bashkon përfaqësues të konferencave të ndryshme të  rregulltarëve dhe rregulltareve dhe instituteve të shumta të jetës së shuguruar, apostolike dhe kundruese nga njëzet vende, përfshirë Dikasterin për Institutet e Jetës së Shenjtëruar dhe Shoqëritë e Jetës Apostolike.

Kjo është faza e parë e "një udhëtimi dëgjimi, mirëkuptimi dhe shoqërimi të ndërsjellë" që Tutela Minorum synon të fillojë, në përgatitje të botimit të raportit të saj të tretë vjetor. Fokusi do të jetë në jetën e bashkësive fetare, të cilat nganjëherë janë vende të abuzimit të ndërgjegjes, të pushtetit dhe madje edhe të shpërdorimit seksual, për shkak të marrëdhënieve të pashëndetshme ose mungesës së dallimit të komunitetit, siç vunë në dukje folësit në seminarin e sotëm. Ndarja e pyetjeve dhe nevojave të drejtpërdrejta si dhe përvojave të jetës reale, synon të jetë gur themeli për ndërtimin e "bashkësive që mbrojnë dinjitetin".

Dinjiteti, dritë që asnjë errësirë ​​nuk mund ta zhdukë

Dinjiteti është "dhuratë nga Zoti, i cili krijoi qeniet njerëzore sipas shëmbëlltyrës dhe ngjashmërisë së tij", siç deklaroi Papa Leoni në mesazhin e tij të lexuar - pas një çasti muzike dhe lutjeje - në hapje të seancës së parë, të mbajtur në Palazzo Maffei Marescotti, seli e Komisionit Papnor. Dinjiteti, shkroi Papa, "nuk është diçka e fituar nëpërmjet meritës apo forcës, as nuk varet nga ajo që zotërojmë ose arrijmë. Është  dhuratë që na paraprin: lind nga shikimi i dashur me të cilin Zoti na deshi, një nga një, dhe vazhdon të na dëshirojë". Kështu, "në çdo fytyrë njerëzore, edhe kur është e shënuar nga mundi ose nga dhimbja, ka reflektimin e mirësisë së Krijuesit, dritë që asnjë errësirë ​​nuk mund ta zhdukë". Fryti i këtij shikimi është pikërisht "kujdesi dhe mbrojtja e njeriut për të afërmin e tij", i cili "lind nga dëshira për t'u afruar me respekt dhe butësi, për të ndarë barrët dhe shpresat e të tjerëve".

"Duke pasë nën kontroll jetën e të tjerëve, mësojmë lirinë e vërtetë, llojin që nuk sundon, por shërben; nuk zotëron, por shoqëron", thekson Leoni XIV. E jeta e shenjtëruar në veçanti, shkruan ai në mesazh, "është e thirrur në një mënyrë të veçantë të jetë shtëpi mikpritëse dhe  vend takimi e hiri. Ata që e ndjekin Zotin në rrugën e dlirësisë, të varfërisë dhe të bindjes, zbulojnë se dashuria e vërtetë lind nga njohja e kufizimeve vetjake; nga dija se jemi të dashur edhe në ligshtinë tonë, e pikërisht kjo na mundëson t’i duam të tjerët me respekt, ndjeshmëri dhe zemër të hapur".

T’i llogarisim, me të vërtetë e përvujtëri, shtigjet e mbrojtjes

Prej këndej lind inkurajimi për të "ndarë përvoja dhe shtigje, që na mësojnë si të parandalohen të gjitha format e abuzimit dhe si të llogariten, me të vërtetë dhe përulësi, shtigjet e ndërmarra të mbrojtjes". Papa na nxit të "vazhdojmë këtë angazhim në mënyrë që komunitetet të bëhen gjithnjë e më shumë shembuj të besimit dhe të dialogut, ku çdo person respektohet, dëgjohet dhe vlerësohet". "E aty ku drejtësia praktikohet me mëshirë", siguron Ipeshkvi i Romës, "plaga shndërrohet në frëngji hiri".

17 nëntor 2025, 12:43