Papa pret në audiencë Abbas: ndalimi i konfliktit në Gaza dhe zgjidhja me dy shtete
R.SH. – Vatikan
Një shtrëngim duarsh i ngrohtë, përshëndetja e mirëseardhjes, dhuratat, mes të cilave një portret i madh i Papës; më pas biseda private, në prani të një përkthyesi, njëri përballë tjetrit ulur në tryezën e madhe prej druri të Bibliotekës së Pallatit Apostolik, për të folur ndër të tjera – bën të ditur Selia e Shenjtë – për "urgjencën" e një ndihme për popullsinë e Gazës, e cila ende vuan sulmet izraelite pavarësisht armëpushimit të 10 tetorit, fundit të konfliktit në Rrip, angazhimit për zgjidhjen me dy shtete. Mahmoud Abbas, presidenti i Shtetit të Palestinës, u prit këtë mëngjes, më 6 nëntor, nga Papa Leoni XIV në Vatikan.
Takimi i sotëm me Papa Leonin ishte takimi i parë personal. Mes të dyve ka pasur një telefonatë më 21 korrik mbi zhvillimet në Gaza dhe problemet në Bregun Perëndimor; së bashku me këtë, përkujtimi i 10-vjetorit të Marrëveshjes Globale ndërmjet Selisë së Shenjtë dhe Shtetit të Palestinës, e nënshkruar më 26 qershor 2015. Dhjetëvjetori i marrëveshjes ishte gjithashtu rasti i audiencës së sotme të presidentit Abbas në Vatikan, ku ai mbërriti në orën 10.20, mes masave të rrepta sigurie, i pritur në Oborrin e Shën Damasit nga regjenti i Shtëpisë Papnore, Imzot Leonardo Sapienza, së bashku me delegacionin prej dhjetë anëtarësh.
Një komunikatë e Selisë së Shenjtë bën të ditur se: "Gjatë bisedës së përzemërt, u konstatua urgjenca për të ofruar ndihmë për popullsinë civile në Gaza dhe për t'i dhënë fund konfliktit, duke ndjekur perspektivën e zgjidhjes me dy shtete".
Fjalët e Papës në Castel Gandolfo
Kjo pikë e fundit ka qenë gjithmonë pozicioni zyrtar i Selisë së Shenjtë, i përsëritur në disa raste nga Sekretar i Shtetit të Vatikanit, kardinali Pietro Parolin, dhe madje më parë nga Papa Françesku e tani nga Papa Leoni. Ky i fundit, të martën e kaluar në mbrëmje, duke iu përgjigjur pyetjeve të gazetarëve jashtë rezidencës së tij në Castel Gandolfo, theksoi brishtësinë e armëpushimit në Gaza dhe çështjen e kolonëve në Bregun Perëndimor. "Falë Zotit – shtoi Leoni XIV – të paktën faza e parë e Marrëveshjes së Paqes ende po ecën përpara". Tani, megjithatë, "duhet të kërkojmë se si të kalojmë në fazën e dytë, të shohim çështjen e qeverisjes, si mund të garantohen të drejtat e të gjithë popujve". E nevojshme, pati thënë Papa, është "të përpiqemi të punojmë së bashku për drejtësi për të gjithë popujt".
