Kërko

Papa pret në audiencë kryeministrin e Gjeorgjisë

Papa priti sot në audiencë kryeministrin e Gjeorgjisë, Irakli Kobakhidze. Gjatë bisedimeve në Sekretarinë e Shtetit të Vatikanit, u theksuan disa aspekte të jetës së Kishës Katolike lokale dhe një fokus mbi situatën rajonale dhe sfidat me të cilat përballet vendi.

R.SH. / Vatikan

Sot paradite, më 24 nëntor, Papa Leoni XIV priti në audiencë në Vatikan kryeministrin e Gjeorgjisë, Irakli Kobakhidze, i cili më pas takoi kardinalin Pietro Parolin, Sekretar i Shtetit të Vatikanit, i shoqëruar nga imzot Paul Richard Gallagher, sekretar për Marrëdhëniet me Shtetet dhe Organizatat Ndërkombëtare.

Bisedimet në Sekretarinë e Shtetit

"Gjatë bisedimeve të përzemërta në Sekretarinë e Shtetit të Vatikanit - thuhet në një komunikatë të Sallës së Shtypit të Selisë së Shenjtë - u shpreh kënaqësia për marrëdhëniet e mira midis Selisë së Shenjtë dhe Gjeorgjisë, dhe u theksuan disa aspekte të jetës së Kishës Katolike në vend". “Në të njëjtën kohë - vazhdon njoftimi - iu kushtua vëmendje temave të tjera me interes të përbashkët, në veçanti disa çështjeve që kanë të bëjnë me marrëdhëniet dypalëshe, çështjeve që kanë të bëjnë me situatën rajonale, si dhe sfidave me të cilat vendi duhet të përballet”.

24 nëntor 2025, 11:30