Papa: rrugë të reja në mjediset dixhitale për të rrënjosur Fjalën e Zotit në zemër
R.SH. – Vatikan
Si të favorizojmë takimin me Fjalën e Zotit për ata që nuk kanë dëgjuar kurrë për të ose për ata, kulturat e të cilëve vazhdojnë të mos preken nga Ungjilli? Çfarë do të thotë sot “qasje e gjerë në Shkrimin e Shenjtë”? Pyetjet e qarta dhe të drejtpërdrejta i drejtohen, në anglisht, nga Papa anëtarëve të Federatës Biblike Katolike të pritur sot paradite, më 17 nëntor, në audiencë në Sallën e Papëve, në Vatikan. Çështje që hapin horizonte të reja të krijuara mbi të gjitha nga bota dixhitale “në të cilën – pohon Leoni XIV – Fjala e Zotit errësohet lehtësisht”.
Shpresoj që këto pyetje t'ju frymëzojnë forma të reja të pranisë biblike, të afta për të hapur rrugë të reja drejt Shkrimeve, në mënyrë që Fjala e Zotit të mund të rrënjoset në zemrat e njerëzve dhe t'i udhëheqë të gjithë të jetojnë në hirin e Tij.
Përkthime dhe lectio divina
Thelbësore për Papën është të sigurojë një qasje të gjerë në Shkrimet e Shenjta biblike në mënyrë “që të gjithë të mund të takojnë Zotin që flet, ndan dashurinë e Tij dhe na tërheq në jetën me begati”.
Në këtë drejtim, përkthimet e Shkrimeve të Shenjtë Biblike vazhdojnë të jenë të domosdoshme dhe ju falënderoj për angazhimin tuaj për të promovuar lectio divina dhe çdo iniciativë që inkurajon leximin e shpeshtë të Biblës.
Nga fjala te dëshmia
“Misioni juaj – pohon Papa leoni XIV – është të bëheni letër e gjallë e shkruar jo me bojë, por me Shpirtin e Zotit të gjallë, që dëshmon për parësinë e Fjalës së Zotit mbi zërat e shumtë që mbushin botën tonë”. Prandaj nxit t’i lutemi Virgjërës Mari, “kraharorit në të cilin Fjala e Zotit u mishërua”, për të mësuar prej Saj artin e dëgjimit.
Të shpallim me besim të palëkundur
Duke përshëndetur të pranishmit, në fillim të audiencës, Papa Prevost shpreh “mirënjohjen e tij më të thellë për shërbimin ndaj Fjalës së Zotit” dhe kujton gjashtëdhjetëvjetorin e Dei Verbum, Kushtetutës dogmatike të Koncilit të Dytë të Vatikanit mbi zbulesën hyjnore. Kështu kujton fjalët e Palit Apostull drejtuar Tesalonikasve: “lutuni për ne, që fjala e Zotit të ecë dhe të lavdërohet, siç është edhe ndër ju”. “Kjo kërkesë – thekson Leoni XIV – transmeton një dëshirë të fortë, një bindje të palëkundur dhe një qasje baritore që mund të udhëheqë reflektimin tonë së bashku”.
Mësimi i Dei Verbum është i paekuivokueshëm; jemi thirrur në “dëgjimin fetar të fjalës së Zotit dhe ta shpallim atë me besim të palëkundur” dhe të sigurojmë “që besimtarët të kenë qasje të gjerë në Shkrimin e Shenjtë”. Ky vizion i njëjtë reflektohet në Statutin tuaj, i cili thekson se Federata Biblike Katolike synon të “promovojë dhe zhvillojë Shërbimin Baritor Biblik në mënyrë që Fjala e Zotit, e pranishme në Shkrimet e Shenjta, të bëhet një burim dinamik frymëzimi për të gjitha fushat e jetës dhe të misionit të Kishës në botën e sotme”.
Besnikëria ndaj Ungjillit tregon drejtimin
Ftesa e Papës është të frymëzojë misionin e Federatës Biblike Katolike duke u nisur “nga bindja se Kisha e merr jetën jo nga vetja, por nga Ungjilli”.
Nga Ungjilli rizbulon vazhdimisht drejtimin e udhës së saj, nën udhëheqjen e Shpirtit Shenjt, i cili na mëson çdo gjë dhe na kujton gjithçka që Biri ka thënë të dëgjojmë Fjalën e Zotit dhe ta shpallim atë janë akte thelbësisht kishtare: Nusja (Kisha) dëgjon me dashuri të vëmendshme zërin e Dhëndrit (Jezu Krishtit).
