Kërko

Papa Shërbëtorëve të Marisë: shenja paqeje dhe vëllazërie në një botë të ndarë nga lufta

Duke pritur në audiencë Urdhrin e rregulltarëve Servitë, Leoni XIV i fton ata të kthehen te burimet për të parë më mirë të ardhmen, duke dëgjuar thirrjen e të varfërve, duke jetuar sipas Ungjillit dhe në devotshmërinë ndaj Virgjërës Mari, duke promovuar ekologjinë integrale. "Maria ju tregoftë – thotë Papa – si të qëndroni pranë kryqeve të panumërta të njerëzve për t'u sjellë ngushëllimin, ndihmën dhe bukën e çmuar të dashurisë"

R.SH – Vatikan

Vëllazëria, shërbimi dhe spiritualiteti marian: këto janë tre udhët që Papa tregon duke pritur sot paradite, më 24 nëntor, në Vatikan pjesëmarrësit e Kapitullit të 215-të të Përgjithshëm të Shërbëtorëve të Marisë, një urdhër rregulltar i frymëzuar nga rregulli i Shën Augustinit, i cili mblidhet deri më 30 nëntor në Ariccia, jo larg Romës, me temën: "Të jesh shërbëtor në një botë të polarizuar për të ndërtuar atë që na bashkon, duke vlerësuar ndryshimet". Fretërit Servitë u themeluan nga shtatë miq, "një rast pothuajse unik – thekson Leoni XIV – në historinë e themelimeve rregulltare", njerëz të lidhur nga "një miqësi e fortë në Krishtin".

Në një botë si e jona, kjo është shenjë e një detyre dhe një thirrjeje të veçantë: të jetosh dhe të sjellësh vëllazëri, veçanërisht aty ku njerëzit janë të ndarë për shkak të konflikteve, pasurisë, diversiteteve kulturore, racës apo fesë. Në të gjitha këto kontekste, ju jeni thirrur të jeni bartës të miqësisë dhe paqes, siç ishin "Shtatë" themeluesit që, në qytetet e tyre, të ndara gjithashtu nga urrejtjet vëllavrasëse, u bënë bartës të pajtimit dhe dashurisë.

Të shikosh prapa për një vështrim profetik mbi të ardhmen

Ftesa e parë e Papës drejtuar rregulltarëve Shërbëtorëve të Marisë është kthimi te burimet, "sa më shumë të kthehesh te origjina jote, – thotë Ati i Shenjtë – aq më shumë bëhesh i aftë për kreativitet dhe profeci", prandaj duhet gjithmonë të ktheheni te Ungjilli, Rregulli, Kushtetuta dhe trashëgimia e spiritualitetit që karakterizon urdhrin e Servitëve. "Këto burime ju ofrojnë – thekson Leoni XIV – çelësin ekzegjetik me të cilin, me ndihmën e Shpirtit Shenjtë, të lexoni dhe interpretoni atë që Fjala e Zotit ju thotë".

Britma e të varfërve

Kthimi i tretë, për Papa Leonin, është dëgjimi i britmës së të varfërve, "moment hiri në të cilin gjen kuptim ajo që Zoti ju ka dhënë". Një kthim i trefishtë për t'u jetuar sipas tre udhëve të treguara nga Papa si vëllazëria, por edhe shërbimi që përmendet në emrin e zgjedhur nga themeluesit – Shërbëtorët e Marisë – dhe në përkushtimin ndaj të sëmurëve, shtegtarëve, grave të varfra që asokohe, në vitin 1233, karakterizoi veprën e spitalit të Fonte Viva del Bigallo në Bagno a Ripoli, jo larg Firences. "Dhe është përvoja e shërbimit të Zotit në plagët e të vuajturve – shton Papa – që shpejt i çoi ata në takimin me Të në soditjen e Malit Senario, një zemër dhe një shpirt në Zotin (cor unum et anima una in Deum) (Rregulla, 3)".

Jeta sipas Ungjillit është kështu: është pasion për Zotin dhe për njeriun, që të çon të duash me të njëjtin intensitet qiellin dhe tokën.

Vazhdoni të shërbeni

"Vetëm në këtë bashkim – thotë Papa Leoni XIV – lindin dhe piqen zgjedhjet e duhura që, sot si atëherë, mundësojnë të jesh i pranishëm aty ku vëllai dhe motra janë më të plagosur, aty ku Zoti na do".

Në këtë kuptim, dëshiroj t'ju inkurajoj në shërbimin tuaj ndaj të varfërve – emigrantëve, të burgosurve, të sëmurëve – si dhe në angazhimin që po vazhdoni për promovimin e një ekologjie integrale për mbrojtjen e krijimit dhe të njerëzve në vendet ku veproni.

Spiritualiteti marian

Kërkesa e fundit e Leonit XIV ndaj Shërbëtorëve të Marisë është të promovojnë si "të mëdhenj, të dashuruar të veçantë të Zojës Mari", devotshmërinë ndaj Virgjërës Shenjte, "të bazuar në Fjalën e Zotit dhe me referenca të forta teologjike dhe ekleziologjike". Ati i Shenjtë Prevost lavdëron më pas punën që po bëhet në Fakultetin Teologjik Marianum dhe në kujdesin baritor në shumë Shenjtërore mariane me të cilat merret urdhri i Shërbëtorëve të Marisë.

Maria, e pranishme pranë Kryqit të Jezusit, e fortë, besnike, ju tregoftë si të qëndroni pranë kryqeve të panumërta ku Krishti ende vuan në vëllezërit e tij, për t'u sjellë ngushëllim, bashkësi, ndihmë dhe bukën e çmuar të dashurisë.

Urdhri lypsar i Shërbëtorëve të Marisë sot përbëhet nga rreth 700 vëllezër rregulltarë në kontinente të ndryshme, por numëron edhe praninë e murgeshave që bëjnë jetë kundruese në 12 manastire, motra që i përkasin 21 Kongregatave të jetës aktive, të kushtuara dhe laikë.

24 nëntor 2025, 12:19