Papa takohet me viktimat e abuzimit nga kleri, në Belgjikë
R.SH. / Vatikan
"Dje pasdite Papa Leoni XIV u takua me 15 vetë nga Belgjika, viktima të shpërdorimit nga ana e anëtarëve të klerit kur ishin të mitur". Këtë takim të dhimbshëm e kujtoi Salla e Shtypit e Selisë së Shenjtë, duke shpjeguar se takimi, i zhvilluar "në një atmosferë afërsie me viktimat, dëgjimi dhe dialogu të thellë e të dhimbshëm, zgjati pothuajse tri orë dhe përfundoi me një çast tejet prekës lutjeje".
Grupi u shoqërua nga Komisioni Papnor për Mbrojtjen e të Miturve.
Komisioni, që po punon ngusht me Kishën Belge për mbrojtjen e të miturve, u takua me këtë grup të premten në mëngjes, për të vazhduar dialogun e filluar në korrik të këtij viti, kur një delegacion nga Komisioni vizitoi Belgjikën.
Takimi i Papës Françesku me viktimat e shpërdorimit në Belgjikë
Shumica e anëtarëve të këtij grupi e kishin takuar Papën Françesku gjatë vizitës së tij apostolike në Belgjikë, në shtator 2024. Gjatë atij takimi, mbajtur në Nunciaturën Apostolike, në Bruksel, viktimat e abuzimit patën mundësinë t’i kujtonin historitë dhe dhimbjen e tyre me Papën, duke shprehur pritjet lidhur me angazhimin e Kishës për ta luftuar abuzimin.
Nga ana e tij, Papa Françesku pati mundësinë të dëgjonte dhe të ndjente dhimbje për vuajtjet e tyre, ndërsa shprehte edhe mirënjohjen për guximin - me një ndjenjë turpi për atë që kishin jetuar si fëmijë, e duke pasur parasysh edhe kërkesat që kishin bërë.
