Papa: të kultivojmë lidhjet që na bashkojnë për të qenë paçebërës
R.SH. – Vatikan
Në Meshën e tij të parë publike të kremtuar jashtë Italisë, në udhëtimin e tij të parë apostolik, për të dielën e parë të kohës së Ardhjes, Papa Leoni XIV, në Volkswagen Arena, në Stamboll, i bën jehonë fjalëve të Izaisë profet dhe imazhit të tij të "një bote ku mbretëron paqja". Një kremtimin e Meshës morën pjesë më shumë se 4.000 njerëz, nga e gjithë Turqia (Türkiye), nga Ankaraja dhe Bursa, nga Smyrna dhe Konja, nga Anadolli dhe Deti i Zi, por edhe nga shtatëdhjetë vende të tjera. Patriarkut Ekumenik Bartolomeu, i cili mori pjesë përkrah Papës në procesionin e hyrjes së Meshës, iu bashkuan patriarkë të tjerë dhe udhëheqës të bashkësive të tjera të krishtera. Papa, në predikimin e tij në anglisht, e përshkroi botën e re ashtu siç bëri profeti: "Ata shpatat e veta do t’i kthejnë në plorë e heshtat në drapërinj. Një popull nuk do të ngritë shpatën kundër një populli tjetër dhe më s’do të ushtrohen për luftë”.
Sa urgjente e ndiejmë këtë thirrje, sot! Sa shumë nevojë ka për paqe, unitet dhe pajtim përreth nesh, dhe gjithashtu edhe brenda nesh dhe midis nesh!
Përpjekje për unitet në tre nivele
Si mund t'i përgjigjemi edhe ne kësaj nevoje? pyet Leoni XIV para altarit, në skenën e dominuar nga një Kryq i madh i bardhë, në një festë të pasuruar nga këngë sugjestive si Psalmi i Meshës në gjuhën aramaike, i kënduar në formën kaldease. Ati i Shenjtë përdor imazhin e urës, i pranishëm edhe në logon e udhëtimit të tij apostolik në Turqi, i cili i referohet urës së madh të Dardaneleve (e Çanakalasë), e cila, duke kaluar Ngushticën e Bosforit, bashkon kontinentet e Azisë dhe Evropës. Papa kujton se me kalimin e kohës janë shtuar edhe dy ura të tjera, duke krijuar kështu "tre struktura të mëdha komunikimi, shkëmbimi dhe takimi". Struktura mbresëlënëse, "por kaq të vogla dhe të brishta, në krahasim me territoret e gjera që lidhin".
Shtrirja e tyre e trefishtë përgjatë Ngushticës na bën të reflektojmë mbi rëndësinë e përpjekjeve tona të përbashkëta për unitet në tre nivele: brenda komunitetit, në marrëdhënie ekumenike me anëtarë të besimeve të tjera të krishtera dhe në takime me vëllezër dhe motra të feve të tjera. Kujdesi për këto tre ura, forcimi dhe zgjerimi i tyre në çdo mënyrë të mundshme, është pjesë e thirrjes sonë për të qenë një qytet i ndërtuar mbi një mal.
Gëzimi i mirësisë është ngjitës
Një mal që profeti e quan "vend drite dhe paqeje". Dhe i cili, për Papën, është simbol i "qenies sonë Kishë". Në pragun e festës së Shën Andreut, "apostull dhe mbrojtës qiellor i kësaj toke", Leoni XIV u kujton besimtarëve të grigjës së vogël të katolikëve turq, të përfaqësuar nga mijëra që festojnë në objektin shumëfunksional që është pjesë e kompleksit kulturor Uniq në Stamboll, se bukuria e Sionit, qytetit në mal, na kujton se gëzimi i mirësisë është ngjitës. Për shumë njerëz që e prisnin në në Volkswagen Arena, duke kënduar "Jezu Krisht, ti je jeta ime", himnin e Ditës Botërore të Vitit të Ri 2000 dhe himnin e Udhëtimit apostolik, Papa Leoni XIV thekson ftesën për të gjithë që "të ripërtërijnë në fe forcën e dëshmisë sonë". Me entuziazmin e Shën Andreut, i cili lehtëson takimin e vëllait të tij, Shën Pjetrit, me Jezusin, dhe zellin e Gjon Pagëzuesit, i cili i çon Andreun dhe Gjonin Apostull te Jezusi Zot. Dhe së fundmi, predikimin e zjarrtë të Shën Ambrozit, i cili e çon Shën Augustinin te Krishti.
Të dashur miq, nëse duam vërtet t’u ndihmojmë njerëzve që takojmë, le të jemi vigjilentë, siç rekomandon Ungjilli: le ta kultivojmë fenë tonë me lutje dhe me Sakramentet, le ta jetojmë atë vazhdimisht në dashuri, le t’i hedhim poshtë – siç na thotë Shën Pali në leximin e dytë – veprat e errësirës dhe të veshim armatimin e dritës.
