Papa: Ngjallja e Krishtit dhe sfidat e botës aktuale

Në audiencën e sotme të përgjithshme, Papa Leoni XIV shpjegoi se shpresa e krishterë "u përgjigjet sfidave me të cilat ndeshet sot i gjithë njerëzimi, duke u ndaluar në kopshtin ku i Kryqëzuari u vendos si farë, për t'u ringjallur dhe për të dhënë shumë fryt". Kujtoi, në vijim, ftesën e Papës Françesku për të pasur "vështrim kundrues" mbi krijimin, për ta ruajtur e për ta mbrojtur. Duhet kthesë e vazhdueshme, "që nis në zemër, ndryshon historinë, angazhon publikisht, aktivizon solidaritetin".

R.SH. / Vatikan

Është lidhja ndërmjet "përshpirtërisë së Pashkëve dhe ekologjisë integrale", që del duke medituar faqen e Ungjillit të Gjonit, ku Maria Magdalenë përshkruhet e mbytur në lot para varrit të Krishtit në agun e Pashkëve. Në atë kopsht ku Mësuesi qe varrosur, gruaja, zemërthyer dhe e pikëlluar, nuk e njeh të Ngjallurin në njeriun që takon, mendon se është kujdestari i vendit.  Jezusi, duke e parë ashtu, të mbytyr në vaj, e pyet: “Pse po qan?”. Kë kërkon?”. Fjalë që Krishti na i drejton edhe ne, vërejti Papa në audiencën e sotme të përgjithshme, kremtuar në Sheshin e Shën Pjetrit, në Vatikan, që na nxit të refktojmë mbi “lidhjen ndërmjet Ngjalljes së Krishtit dhe sfidës së botës aktuale, a sfidave tona” .

Të kesh shikim kundrues

Në vijim të katekizmit, Papa Leoni XIV shpjegoi se "sfidat nuk mund t’i përballosh i vetëm e se lotët janë dhanti e jetës, kur na i terin sytë e na e çlirojnë shikimin”. E Papa vijoi të na kujtojë edhe se “lufta dramatike ndërmjet territ e dritës", që shpërtheu pas "tradhtisë" së Judës dhe "arrestimit", "braktisjes, fajit, poshtërimit dhe vrasjes së Jezusit, përfundon “në paqen e së Shtunës së Madhe të Pashkëve dhe në bukurinë e një kopshti”. Pamje, kjo, që të kujton Zanafillën, kopshtin në të cilin Zoti e krijoi njeriun dhe Jezusi e punon dhe e kujdeson, sqaroi Papa, duke kujtuar fjalët e fundit të Krishtit "mbi kryq - 'Gjithçka u krye' (Gjn 19,30)- ftesë për secilin prej nesh që të rizbulojmë detyrën tonë". E gjithë kjo na bën të kuptojmë se Maria Magdalenë, së cilës Jezusi i Ngjallur i drejtohet miqësisht, duhej ta dëgjonte përsëri emrin e vet dhe të kuptonte detyrën e saj si Njeri i ri”.

Papa Françesku, me enciklikën Laudato si', tregoi nevojën e skajshme për shikim kundrues, sepse po të mos jesh roje e kopshtit, bëhesh shkatërrimtar i tij. Prandaj Leoni XIV shpjegoi se shpresa e krishterë "u përgjigjet sfidave me të cilat përballet i gjithë njerëzimi sot, duke u ndalur në kopshtin ku Kryqëzuesi u varros si farë, për t'u ringjallur dhe për të dhënë shumë fryt. 

Konvertimi ekologjik i të krishterëve

"Vdekja dhe ngjallja e Jezusit," sqaroi Papa Leoni XIV, na çojnë në rizbulimin e Parrizit; janë themeli i përshpirtërisë të ekologjisë integrale" e, jashtë saj, "fjalët e fesë mbeten të paprekura nga realiteti, ndërsa fjalët e shkencës, larg zemrës". Papa Leoni e sqaron këtë pikërisht duke u mbështetur tek enciklika Laudato si', në të cilën Papa Françesku thekson se “kultura ekologjike nuk mund të reduktohet në një seri përgjigjesh urgjente dhe të pjesshme ndaj problemeve" që lidhen me "degradimin mjedisor, varfërimin e burimeve natyrore dhe ndotjen". Përkundrazi, duhet të jetë "një perspektivë e ndryshme, një mënyrë të menduari, një politikë, një program edukativ, një stil jetese dhe një përshpirtëri, që i japin formë rezistencës".

Prandaj flasim për kthesë ekologjike, të cilën të krishterët nuk mund ta ndajnë nga ndryshimi i drejtimit, që kërkon prej tyre ndjekja e Jezusit. Një shenjë e kësaj është kthimi i Marisë atë mëngjes Pashkësh: vetëm me anë të pendesës kalojmë nga kjo luginë lotësh - në Jerusalemin e ri. Ky kalim, që nis në zemër dhe është shpirtëror, e ndryshon historinë, na angazhon publikisht dhe aktivizon solidaritetin që tani e tutje i mbron njerëzit dhe krijesat nga epshi i ujqërve, në emër dhe me fuqinë e Jezusit të Ngjallur - Qengjit Bari.

T’i dëgjojmë ata, që nuk kanë zë!

Prandaj, është konvertimi i vazhdueshëm personal ai që i shtyn të krishterët të “takojnë miliona të rinj dhe burra e gra të tjerë vullnetmirë, të cilët e kanë dëgjuar thirrjen e të varfërve dhe të tokës, duke lejuar që zemrat e tyre të preken" - shtoi Papa Leoni - i cili në vijim theksoi se shumë "dëshirojnë harmoni të re" pas "kaq shumë plagëve", përmes një marrëdhënieje më të drejtpërdrejtë me krijimin.

Prej këndej, lutja drejtuar Shpirtit Shenjt që secili prej nesh të jetë i aftë "të dëgjojë zërin e atyre që nuk kanë zë" dhe të mund ta shohë "atë kopsht, a Parrizin, ku mund të shkojmë vetëm duke e pranuar dhe duke e çuar deri në fund "detyrën tonë".

19 nëntor 2025, 12:08

Audiencat e fundit

Lexo gjithçka >