Kërko

Papa gjatë audiencës me anëtarët e CCEE-së, CEC-së dhe përfaqësuesit e Kishave të Krishtera të Evropës, nënshkrues të Charta Oecumenica-s Papa gjatë audiencës me anëtarët e CCEE-së, CEC-së dhe përfaqësuesit e Kishave të Krishtera të Evropës, nënshkrues të Charta Oecumenica-s

'Karta Ekumenike' e re evropiane. Papa: 'Vizion i përbashkët mbi sfidat bashkëkohore'

Në përshëndetjen e tij drejtuar anëtarëve të CCEE, CEC dhe përfaqësuesve të Kishave të krishtera të Evropës, nënshkrues të Charta Oecumenica, Leoni XIV kujton "shenjat pozitive dhe inkurajuese" në disa pjesë të kontinentit, duke vënë në dukje megjithatë se komunitete të ndryshme kishtare e perceptojnë "vazhdimisht e më shumë veten si një pakicë". Dokumenti i ri paraqitet si një "përpjekje sinodale" që synon ndërtimin e një vizioni të përbashkët për këtë dhe sfida të tjera bashkëkohore.

R.SH. – Vatikan

Ka "zëra të rinj" që shfaqen, histori të reja që trokasin në dyert e Evropës, kultura të reja që kërkojnë strehë. Në "takimet e përditshme", lind ftesa e Papa Leoni XIV: të forcojmë lidhjet që mund të heshtin jehonën e luftërave dhe t'i kthejnë kontinentit të vjetër frymën e paqes. Me këtë urim, Papa u drejtohet sot, më 6 nëntor, anëtarëve të Komitetit të Përbashkët të Këshillit të Konferencave Ipeshkvore të Evropës (CCEE), Këshillit Ekumenik të Kishave (CEC) dhe përfaqësuesve të Kishave të krishtera të Evropës, nënshkrues të Charta Oecumenica.

Charta Oecumenica është një dokument i nënshkruar në vitin 2001 nga Kishat e krishtera evropiane për të promovuar bashkëpunimin ekumenik dhe unitetin midis besimeve të ndryshme, përmes udhëzimeve. Ajo përfaqëson një instrument inovativ dhe pjesërisht ende të papërfunduar në lidhje me angazhimin e përbashkët të krishterimit për paqen, drejtësinë dhe ruajtjen e krijimit.

Dokumenti i rinovuar

Dokumenti, i nënshkruar dje në Kishën e Martirizimit të Shën Palit pranë Abacisë Tre Fontane në Romë, ishte shpallur për herë të parë në vitin 2001, duke përfaqësuar, siç kujtuan nënshkruesit, "një gur kilometrik të bashkëpunimit ekumenik në Evropë". Procesi i gjatë dhe i kujdesshëm i rishikimit, i nisur në vitin 2022, është udhëhequr në të gjitha fazat e tij nga një grup pune i përbashkët, delegacioni i të cilit u prit sot paradite në Sallën e Koncistorit në Vatikan.

Evolucionet dhe shqetësimet e përbashkëta

Rishikimi i Kartës ekumenike, shpjegon Papa, u bë i nevojshëm për shkak të evolucionit të vazhdueshëm të sfidave me të cilat përballen të krishterët në rrugën ekumenike, duke ftuar të vëzhgohet me sy të rinj konteksti evropian dhe të bashkëndahen "shqetësimet e përbashkëta" lidhur me shpalljen e Ungjillit.

Në të vërtetë, është i nevojshëm një shqyrtim i vazhdueshëm dhe i kujdesshëm për të përmbushur mandatin e madh për të bërë dishepuj të gjithë popujt, duke i pagëzuar në emër të Atit, të Birit dhe të Shpirtit të Shenjtë.

"Breza të rinj dhe të ardhur të rinj"

Sipas Papës, situata e krishterimit në Evropë ecën me dy shpejtësi: nga njëra anë shfaqen "shenja pozitive dhe inkurajuese", nga ana tjetër, shumë komunitete të krishtera e zbulojnë veten "gjithnjë e më shumë si pakicë". Konteksti kontinental përfshin gjithashtu praninë e "brezave të rinj dhe të ardhurve rishtazi", bartës të historive personale dhe "shprehjeve kulturore shumë të ndryshme".

Prandaj, ka shumë zëra të rinj për t'u dëgjuar dhe histori për t'u mirëpritur përmes takimeve të përditshme dhe marrëdhënieve më të ngushta, pa harruar urgjencën për të promovuar dialogun, harmoninë dhe vëllazërinë mes zhurmës së dhunës dhe luftës, jehona e të cilave dëgjohet në të gjithë kontinentin.

Në këtë kontekst, "hiri, mëshira dhe paqja e Zotit janë vërtet thelbësore", pasi vetëm ndihma e Zotit mund të tregojë udhën e shpalljes së Krishtit në këto "kontekste të ndryshueshme".

"Të shohim historinë me sytë e Krishtit"

Duke u nisur nga bindja e përbashkët se Zoti i flet "popullit të tij të shenjtë dhe përmes tij", Charta Oecumenica e re bëhet dëshmi e gjallë e gatishmërisë së Kishave evropiane për "të parë historinë tonë me sytë e Krishtit". Të mbështetur nga Shpirti Shenjt, shton Papa, do të jetë më e qartë të kuptohen sukseset, dështimet dhe drejtimi që duhet marrë për të shpallur Ungjillin.

Charta Oecumenica jo vetëm që propozon metoda, por thekson edhe nevojën për të qenë bashkudhëtarë dhe udhë të mundshme për t'u ndjekur. Duke bërë këtë, ne duhet të mbetemi gjithmonë të hapur ndaj frymëzimeve dhe surprizave të Shpirtit Shenjt!

Ekumenizmi dhe sinodaliteti

"Rruga e sinodalitetit, të cilën po ndjek Kisha Katolike, është dhe duhet të jetë ekumenike, ashtu si rruga ekumenike është sinodale", pohonte Papa Françesku, dhe në këtë drejtim Charta Oecumenica konkretizon rrugën "e përbashkët" të ndërmarrë nga të krishterët e traditave të ndryshme në Evropë, të aftë për dëgjim të ndërsjellë dhe shqyrtim të përbashkët. Ndër pikat më domethënëse të rishikimit të dokumentit, Leoni XIV thekson "vizionin e përbashkët" mbi sfidat bashkëkohore dhe prioritetet për të ardhmen e kontinentit të vjetër, në bindjen e "aktualitetit të përhershëm" të mesazhit ungjillor.

Në një farë mënyre, kjo mund të përshkruhet si një përpjekje sinodale për të ecur së bashku.

Udhëtimi në Turqi dhe Jubileu

Papa Leoni XIV kujton së fundi Udhëtimin Apostolik të ardhshëm në Turqi, në vendet e Koncilit të Nikesë, ku do të takohet dhe do të lutet me krerët e Kishave dhe përgjegjësit e Bashkësive të krishtera "duke kremtuar së bashku Jezu Krishtin si Zotin dhe Shpëtimtarin tonë". Duke përfunduar, Leoni XIV shpreh shpresën se, në Jubileun aktual, mund t'u shpallet të gjithë popujve të Evropës se "Jezu Krishti është shpresa jonë", pasi Ai është njëkohësisht "udha" që ndjekim dhe "qëllimi i fundit" i shtegtimit tonë shpirtëror.

06 nëntor 2025, 10:29