Kërko

Leoni XIV në audiencë me përfaqësues të Konferencës Ipeshkvnore Kanadeze Leoni XIV në audiencë me përfaqësues të Konferencës Ipeshkvnore Kanadeze

Papa u dhuron ipeshkvijve të Kanadasë 62 objekte nga Muzetë e Vatikanit

Leoni XIV priti në audiencë përfaqësues të Konferencës Ipeshkvnore Kanadeze. Dhuratat, sipas një deklarate të përbashkët me Selinë e Shenjtë, janë "shenjë konkrete dialogu, respekti dhe vëllazërie" dhe dëshmojnë për "historinë e takimit të besimit me kulturat e popujve indigjenë". Ipeshkvijtë pohojnë se do t'i ruajnë objektet dhe do t’i mirëmbajnë në mënyrë sa më të përshtatshme.

R.SH. / Vatikan

Sot paradite, 15 nëntor, Papa Leoni XIV priti në audiencë, në Vatikan, Kryeipeshkvin Pierre Goudreault, ipeshkëv i Sainte-Anne-de-la-Pocatière dhe Kryetar i Konferencës Ipeshkvnore Kanadeze, që shoqërohej nga Kryeipeshkvi Richard Smith i Vankuverit dhe Atë Jean Vézina, Sekretar i Përgjithshëm i së njëjtës Konferencë Episkopale. "Gjatë audiencës", shkruhet në një deklaratë të përbashkët nga Selia e Shenjtë dhe Konferenca e Ipeshkvijve kanadezë, Papa u dhuroi këtyre të fundit "gjashtëdhjetë e dy objekte nga koleksionet etnologjike të Muzeve të Vatikanit".

Shenjë konkrete dialogu, respekti dhe vëllazërie

"Në përfundim të udhëtimit Apostolik në Kanada, në vitin 2022, Papa Françesku - shkruhet në deklaratë - gjatë audiencave të ndryshme me komunitetet indigjene dhe botimin e Deklaratës mbi Doctrine of Discovery të vitit 2023", Papa "dëshiroi që kjo dhuratë të përfaqësonte një shenjë konkrete dialogu, respekti dhe vëllazërie. Është akt i bashkëndarjes kishtare", me të cilin Leoni XIV "i besoi Kishës në Kanada këto objekte, të cilat dëshmojnë historinë e takimit ndërmjet fesë dhe kulturave të popujve indigjenë".

Donacionet, pjesë e trashëgimisë së Ekspozitës Misionare të Vatikanit

"Gjashtëdhjetë e dy artefaktet, nga komunitete të ndryshme", vazhdon deklarata,“janë pjesë e trashëgimisë marrë me rastin e Ekspozitës Misionare të Vatikanit të vitit 1925, nxitur nga Papa Piu XI gjatë Vitit të Shenjtë Jubileun e Paqes 1925, për të dëshmuar besimin dhe pasurinë kulturore të popujve. Të dërguara në Romë nga misionarët katolikë ndërmjet viteve 1923 dhe 1925, këto artefakte më vonë u bënë pjesë e Muzeut Etnologjik Misionar të Lateranit, i cili më vonë u njoh me emrin Muzeu Etnologjik 'Anima Mundi'- “Shpiri i Botës”,  i Muzeve të Vatikanit".

Ruajtja, vlerësimi dhe mbrojtja e artefakteve apo artificialeve

Dhurata e Papës, përfundon deklarata, "është pjesë e Jubileut të vitit 2025, i cili kremton shpresën, dhe e 100-vjetorit të Ekspozitës Misionare të Vatikanit. Këto artefakte, të shoqëruara me informacione të mbajtura nga Muzetë e Vatikanit, që dëshmojnë origjinën e tyre dhe rrethanat e transferimit të tyre në Romë për Ekspozitën e vitit 1925, iu dorëzuan Konferencës së Ipeshkvijve Kanadezë e cila, në frymë bashkëpunimi dhe dialogu besnik me Drejtorinë e Trashëgimisë Kulturore të Shtetit të Qytetit të Vatikanit, u zotua të sigurojë kujdesin dhe ruajtjen e përshtatshme".

15 nëntor 2025, 12:07