Kërko

Papa, 'universitetet katolike janë të thirrura të formojnë operatorë paqeje

"Paqja - tha Leoni XIV - është sigurisht dhuratë e Zotit, por kërkon njëkohësisht gra dhe burra të aftë për ta ndërtuar atë çdo ditë dhe për të mbështetur në nivelin kombëtar dhe ndërkombëtar proceset drejt një ekologjie integrale.

R.SH. / Vatikan

"Një fjalë më vete meritojnë ciklet e studimit të Shkencave të Paqes dhe Ekologjisë dhe Mjedisit, pranë Universitetit Papnor të Lateranit, të cilat me kalimin e viteve do të marrin një formë institucionale më të përcaktuar. Tematikat që ato trajtojnë janë pjesë thelbësore e magjisterit të fundit të Kishës, e cila, e vendosur si shenjë e aleancës midis Zotit dhe njerëzimit, është e thirrur të formojë operatorë paqeje dhe drejtësie". Kështu tha mes tjerash Papa Leoni duke inauguruar vitin e ri akademik të Universitetit Papnor të Lateranit, në Romë.

"Paqja - shpjegoi Papa Leoni XIV - është sigurisht dhuratë e Zotit, por kërkon njëkohësisht gra dhe burra të aftë për ta ndërtuar atë çdo ditë dhe për të mbështetur në nivelin kombëtar dhe ndërkombëtar proceset drejt një ekologjie integrale. Prandaj i kërkoj Universitetit tim të vazhdojë të zhvillojë dhe të fuqizojë në nivel ndër- dhe trans-disiplinar këto dy cikle studimi dhe, nëse është e nevojshme, t'i integrojë ato me rrugë të tjera". Dy ciklet e studimit ishin vendosur në Lateran me dëshirën e Papa Françeskut. Papa Leoni shpjegoi sot se jo vetëm do të mbeten, por do të fuqizohen.

14 nëntor 2025, 18:01