Papa: Vëllazëria nuk është ëndërr e pamundur. Na çliron nga egoizmi, urrejtja dhe arroganca

Vëllazëria e dhuruar nga Krishti i vdekur e i ringjallur na çliron nga logjika negative e egoizmit, e përçarjes dhe e arrogancës dhe na rikthen në thirrjen tonë origjinale, në emër të dashurisë dhe të shpresës, që përtërihen çdo ditë. I Ngjalluri na tregoi rrugën për të ecur së bashku me Të, për ta ndjerë njëri-tjetrin e për të qenë "vëllezër të gjithë"

R.SH. / Vatikan

Në Ngjalljen e Jezusit bëhemi dëshmitarë, si dishepujt, të një historie të re në të cilën vëllazëria rritet. Ky është koncepti i fuqishëm që Papa Leoni XIV shprehu në katekizmin e tij në audiencën e sotme të përgjithshme, 12 nëntor, mbajtur paradite në Sheshin e Shën Pjetrit, në Vatikan, pas një sjelljeje të gjatë në Papamobil ndërmjet turmës së besimtarëve.

Duke vazhduar ciklin e Jubileut "Jezu Krishti shpresa jonë" dhe duke ia kushtuar reflektimin e katekizmit të sotëm temës "Përshpirtëria e Pashkëve gjallëron vëllazërinë. 'Duajeni njëri-tjetri, ashtu siç ju desha unë'"- Papa Prevost theksoi se "besimi në vdekjen e në ngjalljen e Krishtit dhe të jetuarit e përshpirtërisë së Pashkëve ngjallin shpresë në jetë dhe të inkurajojnë të investosh në të mirë".

Luftërat, e kundërta e vëllazërisë

"Omnes frates"- "vëllezër të gjithë": kjo ishte përshëndetja me të cilën Shën Françesku u drejtohej njerëzve pavarësisht nga zanafilla e tyre gjeografike, kulturore, fetare e doktrinore. Papa Leoni na fton të rizbulojmë kuptimin e saj në katekizëm, duke theksuar se përshëndetja e Shenjtit të Asizit "i vinte të gjitha qeniet njerëzore në të njëjtin nivel, pikërisht sepse e njihte fatin e tyre të përbashkët të dinjitetit, të dialogut, të pranimit e të shëlbimit".

Afrimi i njeriut të varfër të Asizit - shtoi Papa - u mor më vonë nga Papa Françesku në enciklikën “Fratelli tutti” - "Vëllezër të gjithë", sepse vëllazëria përfaqëson "një nga "sfidat e mëdha të njerëzimit bashkëkohor" që rrjedh nga aftësia për të krijuar marrëdhënie dhe lidhje të mirëfillta, duke na çliruar nga narcizizmi dhe duke i parë të tjerët si "dikush, nga i cili duhet të marrim, pa qenë kurrë vërtet të gatshëm të japim, të dhurohemi".

E dimë fare mirë se edhe sot vëllazëria nuk duket se dhurohet sakaq, se është e menjëhershme. Shumë konflikte, shumë luftëra të përhapura në mbarë botën, shumë tensione sociale dhe ndjenja urrejtjeje do të dukeshin madje se tregojnë të kundërtën. Megjithatë, vëllazëria nuk është ëndërr e bukur, e pamundur, nuk është as dëshira e disa njerëzve të mashtruar.

"Vëlla"

Rrënja e vëllazërisë është drita, e cila arrin nga Krishti, i vetmi që "na çliron nga helmi i armiqësisë", se edhe në marrëdhëniet më të ngushta ndërmjet të afërmve të një gjaku, theksoi Leoni XIV gjatë audiencës së sotme të përgjithshme, mund të depërtojnë përçarja dhe urrejtja.

Fjala "vëlla" vjen nga një rrënjë shumë e lashtë, që do të thotë të kujdesesh, të kesh zemër, të mbështesësh dhe të mbështetesh. E zbatuar për çdo njeri, bëhet thirrje, bëhet ftesë!

Urdhërimi i Jezusit

Shprehja "Të gjithë vëllezër” e Shën Françeskut është "shenja mikpritëse e vëllazërisë universale" - kujtoi Papa Leoni XIV - "tipar themelor i Krishterimit, i cili që nga fillimi ka qenë shpallja e Lajmit të Mirë - Ungjillit të paracaktuar për shpëtimin e të gjithëve, kurrë në një rreth të ngushtë, ose privat".

Kjo vëllazëri bazohet në urdhërimin e Jezusit, i cili është i ri sepse i realizuar nga Vetvetja, përmbushje e begatë e vullnetit të Atit: falë Tij, që na deshi dhe dhuroi Vetveten për ne, ne, nga ana tjetër, mund ta duam njëri-tjetrin dhe të japim jetën tonë për të tjerët, si bij të të njëjtit Atë dhe vëllezër të vërtetë në Jezu Krishtin.

Të besosh në Ringjalljen, për t'u bërë dëshmitarë

Jezusi, pranë fundit, provon mundimin dhe braktisjen më të tmerrshme, shton Papa, por pikërisht në Ngjalljen e Tij fillon një histori e re në të cilën "dishepujt bëhen plotësisht vëllezër" sepse e njohin si të Ngjallurin, "marrin dhuratën e Shpirtit dhe bëhen dëshmitarë të tij".

12 nëntor 2025, 11:45

Audiencat e fundit

Lexo gjithçka >