Papa: varësitë, simptomë e degradimit social, të ndihmohen e të formohen të rinjtë
R.SH. – Vatikan
Papa Leoni bëhet interpretues i shqetësimeve në lidhje me të rinjtë, të cilët shpesh bien viktima të varësisë, jo vetëm nga alkooli apo droga, por edhe nga interneti. Në të njëjtën kohë, Ati i Shenjtë Prevost bëhet zëri i shqetësimit të të rinjve që jetojnë "një kohë provash dhe pyetjesh", të paaftë përballë një mijë stimujve të dallojnë të mirën nga e keqja dhe për rrjedhojë të paaftë për të vendosur një kufi moral. Një vizion i dyfishtë që Papa ofron në videomesazhin dërguar Konferencës së VII Kombëtare italiane mbi varësitë, promovuar në Romë nga Kryesia e Këshillit të Ministrave të Italisë, e cila u hap sot më 7 nëntor. Një takim dyditor dëgjimi dhe ballafaqimi, në të cilin mori pjesë edhe presidenti i Italisë Sergio Mattarella, midis subjekteve publike dhe private të angazhuara në parandalimin, trajtimin dhe rikuperimin.
Varësia bëhet obsesion
Është e gjatë lista, që Papa bën, e varësive të reja për shkak të përdorimit në rritje të internetit, të kompjuterit dhe celularit, e cila nuk sjell vetëm përfitime të qarta.
Një përdorim i tepërt që shpesh çon në varësi me pasoja negative për shëndetin, të cilat kanë të bëjnë me lojërat kompulsive dhe bastet, me pornografinë, praninë pothuajse të vazhdueshme në platformat e botës dixhitale. Dhe objekti i varësisë bëhet një obsesion, duke kushtëzuar sjelljen dhe ekzistencën e përditshme.
Një botë pa shpresë
Fenomene, pohon Leoni XVI, të cilat "janë simptomë e një shqetësimi mendor ose të brendshëm të individit dhe e një degradimi social të vlerave dhe referencave pozitive, veçanërisht tek adoleshentët dhe të rinjtë", në një kohë kur kërkohet t'i jepet një kuptim jetës së tyre. Një rrugë që zhvillohet në një botë të hiperlidhur ku mendohet se mund të bëhet gjithçka pa kufij moralë, ku kufijtë e të mirës dhe të së keqes janë gjithnjë e më të paqartë.
Rritja e tregut dhe e konsumit të drogave, përdorimi i fitimit të lehtë përmes lojërave elektronike, varësia nga interneti që përfshin edhe përmbajtje të dëmshme, tregojnë se jetojmë në një botë pa shpresë, ku mungojnë propozime njerëzore dhe shpirtërore të fuqishme.
Krijues të lirë të ekzistencës së tyre
Është po aq e vërtetë – thekson Papa Leoni XIV – se prindërit, shkolla, famullitë kishtare, oratorët bëjnë përpjekje të rëndësishme për t'i bërë brezat e rinj më të përgjegjshëm, pavarësisht frikës nga e ardhmja që ushqen brishtësinë e tyre dhe i mbyll në vetvete. Adoleshentët dhe të rinjtë kanë nevojë të formojnë ndërgjegjen, të zhvillojnë jetën e brendshme dhe të krijojnë marrëdhënie pozitive me bashkëmoshatarët dhe një dialog konstruktiv me të rriturit, për t'u bërë krijues të lirë dhe të përgjegjshëm të ekzistencës së tyre.
Etja për të jetuar
Ftesa e Papa Leonit është të veprohet "në mënyrë të koordinuar, në një vepër parandalimi që të konkretizohen në një ndërhyrje të komunitetit në tërësi". Apeli i tij drejtuar Shtetit, shoqatave vullnetare, Kishës dhe shoqërisë është për të kapur dhe kuptuar thirrjen për ndihmë të të rinjve, por edhe "etjen e tyre të thellë për të jetuar", duke ofruar kështu një prani të vëmendshme që t'i ndihmojë ata të "farkëtojnë vullnetin e tyre". Prandaj, thekson Papa, "është e nevojshme të rritet vetëbesimi i brezave të rinj për të luftuar ndjenjën e pasigurisë dhe paqëndrueshmërisë emocionale të favorizuar si nga presionet sociale, ashtu edhe nga vetë natyra e fazës së adoleshencës".
Mundësitë e punës, edukimi, sporti, jeta e shëndetshme, dimensioni shpirtëror i ekzistencës: kjo është rruga e parandalimit të varësive.
Kultura e dëgjimit
Papa u kërkon të pranishmëve "propozime operative" për të promovuar "një kulturë solidariteti dhe subsidiariteti", e orientuar drejt tjetrit, "duke dëgjuar, në një rrugëtim takimi dhe marrëdhënieje me të afërmin, veçanërisht kur tjetri është më i prekshëm dhe i brishtë".
