SHBA-Venezuelë, Papa: me dhunë nuk gjenden zgjidhje
R.SH. / Vatikan
“Dialog” mes Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Venezuelës, “drejtësi për të gjithë popujt” në Lindjen e Mesme, ftesë për respektimin e “të drejtave shpirtërore” të migrantëve të ndaluar në SHBA, shqetësimi për vdekjet në punë. Kështu Papa Leoni XIV dje në mbrëmje, jashtë rezidencës së tij në Castel Gandolfo, duke iu përgjigjur pyetjeve të gazetarëve që e prisnin mbrëmë jashtë Villa Barberini.
Pasi doli nga porta rreth orës 20.30, pas një përshëndetjeje të shpejtë me njerëzit në rrugë, Papa ndalon para mikrofonave dhe kamerave dhe, para së gjithash, kujtoi festën e Forcave të Armatosura që dje festuan në Itali: “Urime! Një vend ka të drejtë të ketë ushtarakë për të mbrojtur paqen, për të ndërtuar paqen”. Duke u nisur nga ky supozim, Papa Prevost shikon me shqetësim “tensionet” e këtyre ditëve në brigjet e Venezuelës mes luftës kundër trafikut të drogës dhe dislokimit të marinsave amerikanë në Karaibe, me kërcënimin e një “lufte të ftohtë”. “Mendoj se me dhunë nuk fitojmë”, thotë Leoni XIV, duke shpjeguar se kishte lexuar pak minuta më parë një lajm për një afrim më të madh të anijeve luftarake në brigjet e Venezuelës. “Çështja është të kërkojmë dialogun, të kërkojmë një mënyrë të drejtë për të gjetur zgjidhje për problemet që mund të ekzistojnë në ndonjë vend”. Paqe në Lindjen e Mesme
Më pas vështrimi zhvendoset në Lindjen e Mesme, me armëpushimin e rrezikuar nga sulmet e reja izraelite në Gaza, si dhe provokimet e kolonëve në sheshin e Xhamive dhe sulmin ndaj disa fshatrave në Bregun Perëndimor. Armëpushimi “është shumë i brishtë”, thotë Papa Leoni XIV, duke shprehur megjithatë një mendim pozitiv për faktin se “të paktën faza e parë e marrëveshjes së paqes (ajo e nënshkruar më 10 tetor, shën. red.) ende vazhdon”. Tani, megjithatë, thekson Papa, “duhet të kërkojmë si të kalojmë në fazën e dytë, të shohim çështjen e qeverisjes, si mund të garantohen të drejtat e të gjithë popujve”. “Çështja e Bregut Perëndimor, e kolonëve është vërtet komplekse: Izraeli pati thënë një gjë, pastaj ndonjëherë bën gjë një tjetër”, thekson ai. Nevoja është “të përpiqemi të punojmë së bashku për drejtësi për të gjithë popujt”.
Respektimi i nevojave shpirtërore të migrantëve në SHBA
Papa Leonit iu bë edhe një pyetje për Çikagon, qytetin e tij të lindjes, ku autoritetet u kanë ndaluar meshtarëve katolikë të japin kungimin migrantëve të burgosur. Para së gjithash, Papa kujton se “roli i Kishës është të predikojë Ungjillin”. Ai kujton në këtë drejtim Ungjillin e Mateut, kapitulli 25, “në të cilin Jezusi thotë shumë qartë: në mbarim të botës do të na pyetet: si e keni pritur të huajin? E keni pritur dhe pranuar apo jo?”. “Mendoj se ka një reflektim të thellë për të bërë mbi atë që po ndodh”, thekson më pas Papa Leoni. “Shumë njerëz që kanë jetuar për vite e vite pa shkaktuar kurrë probleme, janë prekur thellë nga ajo që po ndodh në këtë moment”. Ftesa është pra të merren parasysh edhe të drejtat shpirtërore të personave të ndaluar: “Do t'i ftoja sigurisht autoritetet të lejonin operatorët baritorë të kujdesen për nevojat e këtyre personave. Në shumë raste ata janë ndarë nga familjet e tyre për një periudhë të gjatë kohore, askush nuk e di se çfarë po ndodh... por nevojat e tyre shpirtërore duhet të respektohen”. Puna, një e drejtë e njeriut
Në bisedën e shkurtër me gazetarët nuk mungoi një koment mbi temën e punës, në pragun e Jubileut të ardhshëm të Botës së Punës që do të mbahet në Vatikan dhe në dritën e rasteve të shumta të vdekjeve të bardha, në Itali dhe jo vetëm, punëtorët humbin jetën në vende të punës.
“Zëri i Kishës është për të drejtat. Mendojmë se vërtet duhet të punojmë të gjithë së bashku. Është një e drejtë e qenies njerëzore të ketë një punë të denjë, ku mund të fitojë edhe për të mirën e familjes”, përgjigjet Papa, duke theksuar shqetësimin për sigurinë në vende të punës dhe duke thënë se kremtimi i Jubileut dëshiron gjithashtu “të japë pak shpresë dhe të përpiqet të bashkojë forcat për të gjetur zgjidhje dhe jo vetëm të komentojë problemet”.
